Dënimet dhe lirimet nga burgu
Historia e vrasësve me pagesë

Dënimet dhe lirimet nga burgu<br />Historia e vrasësve me pagesë
TIRANE - A1Report zbulon historinë kriminale ndër vite të anëtarëve të bandës më të madhe të vrasësve me pagesë në vendin tonë. Kristi Pine, Aleksandër Gora dhe Alfred Qefalia, të arrestuar dy javë më parë, janë dënuar për vepra të ndryshme penale, dhe në disa raste kanë fituar lirinë duke kryer shumë pak vite burg, e në disa raste duke përfituar nga amnistia. Grupi i personave që Policia e Shtetit dyshon se janë vrasës me pagesë, drejtohej nga Admir Tafili, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasje, i cili sipas hetimeve jepte porositë nga burgu për ekzekutimet e kryera. Në listën e personave të akuzuar si pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal janë dhe dy persona të tjerë të shpallur në kërkim.

Qefalia u dënua në 2013 se ndihmoi në arratisjen e Tafilajt
Rezulton se për 32-vjecarin Alfred Qefalia më 14 dhjetor 2013 gjykata do të caktonte masë sigurie arrest me burg, pasi ndihmoi për tu arratisur nga burgu i Drenovës në Korçë Admir Tafilin. Po ashtu arresti me burg për Qefaliajn është dhënë dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa prej dhjetorit 2013 Qefalia ka qenë në kërkim për tu arrestuar më 11 shkurt 2015 në kryeqytet.

Kristi Pine i dënuar për vjedhje më dhunë
Me precedent të mëparshëm penal rezulton dhe Kristi Pine, i cili pas pendimit dhe dëshmisë së tij zbuloi një nga bandat më famëkeqe të vrasjeve me pagesë.

Pine ka qenë i dënuar me 3 vite e katër muaj burg për vjedhje me dhunë, ndërsa dënimin e tij e ka përfunduar në shtator të 2014, e pas lirisë rezulton të jetë përfshirë në një sërë krimesh deri në arrestimin e tij në shkurt 2015.

Gora i dënuar me 10 vite, bëri vetëm 2.6 vite burg
Fredi Gora me emrin e ndryshuar në Aleksandër Gora, ky një tjetër anëtar i grupit të strukturuar kriminal drejtuar nga Tafili rezulton që veprimtarinë kriminale ta ketë nisur më 1998. Gora në bashkëpunim me dy persona të tjerë ka grabitur në aksin e Qaf-Thanës automjetin e Bankës së Shqipërisë që transportonte paratë.

10 vite burg do të dënohej Gora nga Gjykata e Shkallës së Parë në Pogradec, por Apeli i Korçës do ta reduktonte këtë dënim në vetëm 2 vite e 6 muaj, e pas kryerjes së këtij dënimi ai u lirua. Pas rekursit Gjykata e Lartë në vitin 2002 do të prishte vendimin e Apelit duke e rikthyer për gjykim sërish në Shkallën e Parë Pogradec, e cila do të ulte nga 10 vite në 6 vite e 8 muaj, për tu arrestuar në 2006 e pas kryerjes së dënimit të mbetur për tu liruar.

Në 2010 vit në të cilin do të ndryshonte dhe emrin nga Fredi në Aleksandër Gora i riu nga Pogradeci do të dënohej me 11 muaj e 15 ditë burg për veprën penale të prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake, por këtë dënim Gora nuk e kreu asnjëherë pasi gjatë qëndrimit në arrati mundi të fitojë nga amnistia e vitit 2012.

Gora u arrestua më 16 shkurt 2015 ndërsa pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda ndodhet me masën e sigurisë arrest me burg, i dyshuar si anëtar i grupit të strukturuar kriminal.

Edhe pronari i lokalit ku u arrestua Qefalia, me precedentë
Ardian Uzuni pronari i lokalit në të cilën u arrestua Alfred Qefalia në Tiranë, rezulton po ashtu me precedent penal. Prej 2011 Uzuni është arrestuar për armëmbajtje pa leje, por ka mundur që në gjykatë të dënohet vetëm me 170.000 lekë gjobë.

Policia do të referonte përgjatë 2012 dhe 2013 dhe dy herë të tjera emrin e Uzunit në Prokurori, për trafikim të mjeteve motorike dhe gjetjen e 1.4 kg kokainë në ambientet e lokalit të tij por hetimet do të mbeteshin pa një përgjigje dhe ky shtetas do të qëndronte në liri dhe pse policia e kish ndaluar dhe për përdorim të dokumenteve false me mbishkrimin Anti-mafia.

DH.Z në kërkim nga policia
Me precedent penal rezulton dhe personi në kërkim me iniciale Dh.Z i cili në vitin 2013 u arrestua në flagrancë me automjet pa targa në të cilën blutë e komisariatit numër 4 gjetën dy targa mjeti, një tabelë policie dhe një kapele policie.

Te dhenat ekskluzive nga A1 Report

Alfred Shefqet Qefalija

32 vjeç, lindur e banues në komunën Farkë e Vogël Tiranë, arrestuar më datë 11.02.2015
 
I është caktuar masa e sigurisë “Arrest me burg”, në bazë të vendimit penal nr. 499 datë 14.12.2013 i Gjykatës së Shkallës së Parë të rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Dhënie ndihmë të një burgosuri për largim”, parashikuar nga neni 324 i Kodit Penal dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal.
 
Që nga kjo kohë ka qenë person i shpallur në kërkim.
 
U arrestua me datë 11.02.2015 ne ambjentet e lokal “San Paolo” ne pronesi te shtetasit Ardian Uzuni. Në momentin e arrestimit i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip “Zastava” me 15 fishekë.
 
Kristi Jovan Pine
24 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i dënuar më parë për “Vjedhje me dhune”. Arrestuar më datë 16.02.2015
 
Është dënuar me 3 vjet e katër muaj burg për “Vjedhje me dhunë”, ngjarje e ndodhur date 13.08.2012. Shtetasi Kristi Pine e ka përfunduar këtë dënim në muajin shtator 2014.
 
Aleksander  Gora
E ka pasur emrin Ferdi Gora dhe e ka ndryshuar. 31 vjeç, lindur dhe banues në Buçimas të Podradecit, i dënuar më parë për veprën penale të “Vjedhjes me armë”. Arrestuar në datë 16.02.2015.
 
Në datën 08.06.1998 shtetasit Ferdi Gora së bashku me dy shtetas të tjerë me një automjet tip “Benz” pa targa, në segmentin rrugor mes Qafë-Thanës dhe pikës së kalimit doganor të Qafë-Thanës kanë vjedhur me armë automjetin e bankës që trasportonte vlera monetare.
 
Me vendimin e Gjykates se Pogradecit Nr. 54 date 11.05.2000 Ferdi Gora është shpallur fajtor dhe është dënuar me 10 vjet burgim per vepren penale “Vjedhje me dhunë” parashikuar nga nenin 139 i Kodit Penal. Për këtë vepër ai është ndaluar në datën 13.05.1999 ditë kur dhe është arrestuar.
 
Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe me vendimin Nr. 109 datë 03.07.2001 e ka dënuar shtetasin Ferdi Gora me 2 vjet e 6 muaj burg. Në këtë mënyrë ai është liruar në sallën e gjyqit.
 
Gjykata e Lartë me Vendimin Nr. 93, datë 06.02.2002 e ka dërguar këtë çështje për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë Pogradec. Me vendimin Nr.33 të datës 06.05.2004 Ferdi Gora është shpallur fajtor dhe është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg.
 
Pas kësaj Ferdi Gora është shpallur në kerkim. Në vitin 2006 është arrestuar dhe ka kryer dënimin e mbetur.
 
Në vitin 2010  Ferdi Gora, i cili tashmë kishte ndryshuar emrin në Aleksander Gora, me Vendimin Nr. 63, datë 05.03.2010 është dënuar me 11 muaj  e 15 ditë burgim për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, të parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal.  Ky shtetas gjatë kësaj kohe ka qenë në kërkim dhe nuk e ka kryer këtë dënim pasi ka përfituar nga amnistia e vitit 2012.
 
Në datë 25.11.2012 Aleksander Gora është vetdorëzuar. Në këtë rast është ekzekutuar vendimi i Gjykates së Shkalles së parë Pogradec, por më pas është lënë i lirë, për shkak të amnistisë.
 
Ardian Uzuni
Me datë 14.05.2011 rreth orës 14:30 janë arrestuar në flagrancë shtetasit Adrian Elmaz Uzuni, i vitlindjes 1966 dhe Gentian Rexhep Meta, i vitlindjes 1980. Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin “Open gate”, që ndodhet në rrugën “Ali Demi' nga shërbimet e policisë së Komisariatit nr. 1 Tirane, ju janë gjetur 2 armë zjarri të tipit “Zastava”. Materialet ju kaluan prokurorise Për veprën penale të “Mbajtjes pa leje armeve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal.
 
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tirane, me vendimin Nr. 1682 dt. 23.11.2011, ka vendosur: Deklarimin fajtor të të pandehurit Adriano Elmaz Uzuni dhe dënimin e tij me 170.000 (njëqind e shtatëdhjetë mijë) lekë gjobë.
 
Adriano Uzuni ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit Tiranë, por ditën e seancës gjyqësore është tërhequr nga kërkesa e ankimimit. Prokurori i çështjes ka qenë dakord me këtë kërkesë dhe në përfundim të gjykimit Gjykata e Apelit me vendim Nr. 496, datë 04.05.2012 ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me gjobë të Uzunit dhe Metës.
 
Nga Sektori i luftës kunder trafiqeve të paligjshme është sekuestruar mjeti tip “Grand sclirko”, në perdorim të shtetasit Adrian Uzuni. Automjeti dyshohet të jetë i vjedhur në Kosovë dhe i trafikuar. U kryen të gjitha veprimet proceduriale dhe materialet ju kaluan Prokurorisë së rrethit gjyqesor Tirane për vepren penale të “Trafikimit të mjeteve motorike”, parashikuar nga neni 141/a i Kodit Penal.
 
Me datë 07.01.2012, rreth orës 01:00 gjatë kontrollit të ushtruar tek lokal “Ferrari” në rrugën “Njazi Meka”, në pronësi të shtetasit Adrian Uzuni janë gjetur 1.4 gr kokainë dhe dy pistoleta, të cilat u përkisnin shtetasve Lorenc Mustafa dhe Dashamir Cara. Është marrë masa e arrestit në flagrancë për shtetasin Adrian Uzuni si dhe shtetasit Lorenc Mustafa dhe Dashamir Cara. Materialet ju kaluan Prokurorisë së rrethit Tirane për veprime të mëtejshme.
 
Me datë 26.02.2013 rreth ores 23:45 gjatë një konflikti të ndodhur në ambjentet e lokalit të shtetasit Ardian Uzuni, nga kontrolli i policisë këtij shtetasi ju gjet një dokument me mbishkrimin “Zyra Qendrore e Investigimit'' dhe në pjesën e mbrapme të saj “Antimafja''. Për këtë dokument Ardian Uzuni shpjegon se e ka marrë në një zyrë me drejtor shtetasin Luan Musabelliu. U kryen të gjitha veprimet procedurale dhe materialet i kaluan Prokurise së rrethit Gjyqësor Tirane.
 
Dh.Z.

Me datë 09.05.2013 në Komisariatin e Policise Nr.4 Tiranë janë kryer veprimet procedurale në ngarkim të shtetasit Dh.Z. Në mjetin tip foristrade pa targa me xhama të zinj, që ai drejtonte ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy targa mjeti, një tabelë “Policia” dhe një kapele policie. Materialet i kaluan prokurorise së rrethit gjyqësor Tiranë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

SHBA paketë e re ndihme afatgjatë për Ukrainën, 1 miliardë vetëm për mbrojtjen ajrore dhe artilerinë

SHBA paketë e re ndihme afatgjatë për Ukrainën, 1 miliardë vetëm për mbrojtjen ajrore dhe artilerinë