Gjyqtarja e GJKKO-së Irena Gjoka rezulton të jetë dënuar në shtetin grek në vitin 2005 nga një gjykatë e Janinës. Ky vendim nuk ka marrë formë të prerë dhe më pas është arkivuar. Kjo ka nxitur debat mbi fatin e Gjokës në sistemin e drejtësisë ku pritet të vendosë KLGJ që ka në dorë përfundimet e verifikimit nga Prokuroria e Përgjithshme.

Për të folur më të diskutuar më tepër mbi këtë çështje, nëpërmjet një lidhje live, në Report Tv ishte avokati Edmond Petraj, i cili e konsideroi këtë çështje si banale që po përdoret për qëllime politike.

“Kjo është situatë banale, ashtu siç e kanë pësuar shumë shqiptarë në Greqi që trajtohen shumë keq përsa i përket marrëdhënies së respektit që ka një polic i pikës kufitare në pikën greke. Punonjësi i policisë ka vendosur keq mbi vizën e marrë në formë të rregullt nga konsullata greke. Nuk ka as sekuestro, as ndonjë firmë”, tha Petraj.

Edmond Petraj, ashtu si dhe Gjoka, thotë që gjyqtarja nuk ka pasur dijeni për çështjen dhe as nuk është njoftuar për vendimin. Pas shpalljes së dënimit me 3 muaj burg, e konvertuar më pas me pagesë të një shume parash, në parlamentin grek u miratua një ligj që arkivonte çdo çështje që vendimet janë dhënë në mungesë.

“Gjyqi është zhvilluar në mungesë. E kanë dënuar me 3 muaj burg, e përkthyer në gjobë. Pasi jepet vendimi, një person i cili nuk merr dijeni, bëhet me shpallje vendimi dhe quhet si i marrë dijeni. Zonja Gjoka nuk ka pasur dijeni aq më tepër pas disa javësh, në parlamentin grek është aprovuar një ligj i posaçëm për të gjitha vendimet që janë dhënë në mungesë dhe nuk kanë marrë dijeni për 6 muaj. Këto vendime janë shuar. Kjo më duket e stisur politikisht”, tha avokati.

Avokati sqaron se dokumenti që vërteton dënimin e Irena Gjokës në Greqi është marrë nga arkivat. Referuar ligjit grek, avokati thotë se vendimi është i fshirë nga sistemi. Edmond Petraj thekson se kjo çështje e Gjokës, nuk përbën mundësinë për zhbërjen e vendimeve të dhëna prej saj në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

“Para se ta nxjerrim atë vendim nga shërbimet sekrete nga pjesa e shërbëtorëve të shërbimit sekret grek. Në fillim ka ardhur dorazi, pra është marrë nga gjykata. Zonja Gjoka nuk ekziston e dënuar për një vepër penale. Ajo nuk është në sistem. Dokumenti është marrë nga arkivat. Me ligjin grek është e fshirë nga sistemi. Tani po përdoret për arsye politike. S’ekziston mundësia që vendimet e Irena Gjokës të zhbëhen”, tha avokati.

Në formularin e dekriminalizimit nuk e ka deklaruar dënimin e shtetit grek, veprim të cilën ajo e argumenton me mungesën e dijenisë për çështjen në ngarkim të saj në një gjykatë në Janinë.