Pas vendimit të ish-krerëve të UÇK, kreu i PD Sali Berisha e quajti ditën e sotme jo të mirë për mbarë kombin shqiptar. Ai tha se këto dënime janë të pamerituara, teksa theksoi se asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën.
“Sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës, pasi gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit.
Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politike të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës. Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta.
Por asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb. Asnjë njeri nuk merr dhe nuk mund të marrë në mbrojtje një krim të vetëm”, tha Berisha.
Lajmi kryesor:
Dënimi i liderëve të UÇK-së, Shqipëria e Kosova një zë: Vendim i papranueshëm! Kurti: Nuk përfaqëson vullnetin e popullit! Rama: Marre





