Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, i ka cilësuar shumë të rënda dënimet e dhëna dje nga Dhomat e Specializuara për Kosovën në Hagë, për 4 ish-krerët e UÇK-së.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Xhaçka tha se historia nuk filloi në Hagë, por me agresionin serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Xhaçka renditi gjithashtu disa prej krimeve serbe të kryera mbi popullsinë civile në Kosovë, duke theksuar se u përdor dhuna seksuale për të terrorizuar popullin.
“Pas afro 6 vitesh paraburgim, pas një procesi të jashtëzakonshëm në kohëzgjatje, dënimet e djeshme ishin shumë të rënda. Respekti për institucionet nuk mund të kërkojë prej nesh heshtjen. Sepse ky proces nuk zhvillohet jashtë historisë dhe historia nuk filloi në Hagë, por në Kosovë. Në një Kosovë ku një regjim kishte vendosur t’i përgjigjej kërkesës së një populli për liri, me dhunë e represion. Vetëm në muajt e fundit të luftës janë vrarë 10 mijë shqiptarë. Sa mijëra gra e vajza u përdhunuan. Dhuna sekuale u përdor për të terrorizuar dhe poshtëruar një popull. Trupat e shqiptarëve të vrarë u transportuan edhe qindra kilometra larg Kosovës dhe u fshehën në varre masive kudo ne Serbi. Kjo kur historia që s’mund të shkëputet nga asnjë diskutim për luftën e Kosovës. Sot ka ardhur koha që asambleja parlamentare e Këshillit të Europës ta rihapë rezolutën 17/82. Është një çështje që Shqipëria duhet ta ngrejë në Këshillin e Europës”, tha mes të tjerash Xhaçka.
Lajmi kryesor:
Dënimi i liderëve të UÇK, Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë të përbashkët: Vendim i padrejtë, një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli









