Departamenti amerikan tregon kush po i ndal investimet e huaja në Kosovë

Departamenti amerikan tregon kush po i ndal investimet e huaja në Kosovë

Prishtine

Departamenti amerikan i Shtetit ka treguar se  paqëndrueshmëria politike, ndërhyrja në ekonomi, korrupsioni, furnizimi jo i qëndrueshëm i energjisë, informaliteti, vështirësia në krijimin e të drejtave pronësore dhe sundimi i paqartë i ligjit janë pengesë për tërheqjen e investimeve në Kosovë.

Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por kjo është kufizuar nga dështimi për të adresuar disa çështje serioze strukturore, siç është paqëndrueshmëria politike, ndërhyrja në ekonomi, korrupsioni dhe informaliteti.

Kështu thuhet në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për Kosovën, lidhur me klimën e investimeve gjatë vitit 2021.

“Kosova ka potencial për të tërhequr Investime të Huaja Direkte (IHD), por ky potencial është i kufizuar nga dështimi për të adresuar disa çështje serioze strukturore, përfshirë integrimin e kufizuar ekonomik rajonal e botëror, paqëndrueshmëria politike dhe ndërhyrja në ekonomi, korrupsioni, furnizimi jo i qëndrueshëm i energjisë, informaliteti, vështirësia në krijimin e të drejtave pronësore dhe sundimi i paqartë i ligjit, duke përfshirë një mungesë të dukshme të zbatimit të kontratave”, thotë Departamenti amerikan i Shtetit.

Sipas raportit, pandemia COVID-19 nuk ka sjellë ndryshime të përhershme në politikat e investimeve të Kosovës.

“Pandemia COVID-19 nuk ka sjellë ndryshime të përhershme në politikat e investimeve të Kosovës. Qeveria miratoi disa masa lehtësuese të cilat janë të gjitha të përkohshme dhe të përqendruara në ruajtjen e niveleve të punësimit dhe ndihmën e bizneseve për të ruajtur likuiditetin. Si e tillë, masat e lehtësimit në Kosovë nuk ndikuan në mënyrë të konsiderueshme në politikën e saj më të gjerë të investimeve”, thuhet në raport.

DASH thotë se fluksi neto i IHD-ve në Kosovë u vlerësua në 323 milionë euro, një rritje e konsiderueshme mbi shumën e vitit 2019 që ishte 255 milionë euro.

“Në vitin 2020, fluksi neto i IHD-ve në Kosovë u vlerësua në 382 milionë dollarë [323 milionë euro], një rritje e konsiderueshme mbi shumën e vitit 2019 që ishte 302 milionë dollarë [255 milionë euro]. Stoku i investimeve të portofolit në vitin 2019 arriti në 2.05 miliardë dollarë [1.75 miliard euro], ndërsa letrat me vlerë të kapitalit ishin 1.67 miliardë dollarë [1.40 miliard euro] dhe letrat me vlerë të borxhit me 385 milionë dollarë [326 milionë euro]. Pasuritë e paluajtshme dhe aktivitetet e qiradhënies janë përfituesit më të mëdhenj të IHD-ve, të ndjekura nga shërbimet financiare dhe energjia. Ushqimi, IT, infrastruktura dhe sektorët e energjisë shënuan rritje dhe ka të ngjarë të tërheqin investime të reja”.

“Përkundër sfidave, Kosova ka tërhequr një numër të investitorëve të rëndësishëm duke përfshirë disa firma ndërkombëtare dhe franshiza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërprerjet botërore të furnizimit të sjella nga pandemia COVID-19 kanë ngjallur interes më të madh nga disa biznese për të përdorur Kosovën si një bazë për prodhim për tregun e BE-së”, vijon njoftimi i DASH-it.

Në raportin e fundit, sektori i përpunimit të drurit ka luajtur rol kyç në ekonominë e vendit.

“Një sektor kyç i ekonomisë që ka mbajtur një rritje të fortë është ai i përpunimit të drurit. Kompanitë që prodhojnë kuzhina, banja, dyer dhe mobile janë rritur që nga viti 2017. Sektori po rritet dhe po merr mbështetje në shërbimet e zhvillimit të biznesit dhe qasjen në financa”, tregon raporti.

Po ashtu, DASH thotë se pavarësisht se sektori i drejtësisë mbetet i dobët në zbatimin e ligjit, këto të fundit janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

“Ligjet dhe rregulloret e Kosovës janë në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbështetjen dhe mbrojtjen e investimeve, megjithëse zbatimi i sektorit të drejtësisë mbetet i dobët. Me ndihmën e USAID-it, Qeveria e Kosovës vazhdoi një seri reformash në mjedisin e biznesit, të cilat kontribuuan në përmirësimin e renditjes së vendit në raportin ‘Doing Business’ të Bankës Botërore. Në vitin 2020, në këtë raport Kosova u rendit në vendin e 57 nga 190 ekonomitë e anketuara”./ Monitor

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë