Depersonalizimi i deputetit

Depersonalizimi i deputetit

Kuvendi i Shqipërisë

Qysh kur në historinë e njerëzimit u shfaq shteti, bashkë me të erdhi edhe hierarkia e pagesa. Kjo vlen për rendin skllavopronar, feudal, kapitalist, për demokracinë dhe diktaturën.

Ajo që na intereson dhe duam të përsosim është demokracia, e cila  ka të theksuar sektorin publik e atë privat. Ky sistem për të cilin jemi rropatur, bazohet mbi parlamentarizmin, ku deputeti presupozohet të ketë një rol qendror dhe aktiv.

Mungesa e demokracisë së brendshme në partitë politike shqiptare ka forcuar  lidershipin dhe ka relativizuar vit pas viti peshën e deputetit, i cili tanimë ngjan me një robot që ul dhe ngre dorën me urdhër.

Në momente të caktuara, për nevoja utilitare, për show e populizëm. deputeti i është shprazur masës, medias  në pjatë  nga lidershipi që ato ta gëlltisin apo ta asgjësojnë figurën e tij si fajtor hipotetik për të gjitha ngecjet sociale, ekonomike e politike të individit dhe vendit. Në përgjithësi, ata e kanë pranuar këtë status me parimin: të kemi më mirë diçka se asgjë se na zevendësojnë me të tjerë.

Në vitin 2005, për habinë më të madhe, një parti që vetëkonsiderohej e djathtë, PD-ja,  e shndërroi deputetin në qenie proletare. Kësisoj, lidershipi i jepte elektoratit një adresë për dështimet e mllefet, e së dyti, e shndërronte atë në ushtar të bindur të 1-2-3-4-5 vetave që ndikonin apo përcaktonin fatin e tyre politik. Atyre iu hoqen makinat, shoferët, zyrat, asistentet. Të kompleksuar i tufëzuan të gjitha si delet në kooperativë.

Secili ia kishte zili një drejtori rajonal që e vendosnin  vetë, të cilët kishin gjithçka dhe duhej t’i zgjidhnin gjërat praktike mes tyre.

Ulja e peshës dhe profilit të deputetit, i cili vihej përballë kurthit ose të pranonte, ose të dilte para njerëzisë, si person me  “shfaqje të huaja” që kërkon mirëqenie, salltanete, rehati personale, përfitim të padrejtë, kur ai duhej të ishte një me bazën, gju me gju, një si biçim komisari apo Lej Feni.

Lidershipi e godiste me këtë gjuhë nëse ai jepte një shenjë rebelimi me fraza “njerëzit kan, halle, ti kërkon luks”. Pas tij ndoca të rekrutuar në media.

Nuk bëzante deputeti  i gjorë, paçka se lidershipi vetë rregullonte tarafin e vet dhe u jepte mundësi deputetëve të bënin punë, të ushtronin influencë me hipokrizi publike e pa personalitet, sikur po kursenin taksat e tyre, kur në fakt me to abuzohej boll.

Opozita nuk mund të kundërshtonte se ashtu masakrohej dhe i thuhej popullit e shikoni çfarë opozite keni, çfarë deputetësh keni, kërkojnë vetëm për vete rroga e benefite në kurrizin tuaj. 

Një bjerrje e madhe morale gjithësesi, sepse individi ka të parin veten, gënjen kush  thotë nuk pyes për veten, po vetem hallin e njerzëve kam, gënjen si derr, si qen, si pinok si të doni.  Nëse është mirë vetë dhe i patentuar mendon pozitivisht edhe për tjetrin.

Nje tjetër goditje- atë e morën në marrëveshjen e  vitit 2008,  ku u futën listat dhe ata përzgjidheshin nga Kryetari. Me të drejtë, shumëkush mund të thotë po ti si u zgjodhe? Natyrisht me lista dhe nga Kryetari dhe mbase në një sistem tjetër nuk do të isha, po këtë se kam pengesë të them të vërtetën.

Rrota ka lëvizur dhe në pushtet janë socialistët, të cilët qeverisin prej 10 vjetësh. Dje kam folur për populizmin dhe rrogat e deputetëve, të cilet me ligjin aktual e kanë atë 60 % të pagës së Presidentit të Republikes. Tani qeveria synon një rritje të përgjithshme pagash, dhe nëse është reale  meriton duartrokitje por depersonalizon dhe fyen deputetët. Ajo po perpiqet të ndryshojë ligjin që nga  60% e shumës së Presidentit të marrë 39 % të saj, pra asnjë rritje. Një absurd antikushtetues dhe goditje në hierarkinë e pagave, por edhe në nderin e deputetëve që heshtin pothuaj të gjithë majtas e djathtas. Opozita kompleksohet se do akuzohet njesoj nga Kryeministri si formacion politik që ka hallin e vetes dhe jo të qytetarëve, të vetët jo e jo se ç’po na duhet thonë e ulin kokën.

Në një ministry, i bie që Sekretari i Përgjithshëm apo një drejtor të ketë rrogë më të lartë se ministri, një drejtor në Kuvend më të lartë se deputeti, po kaq më teper një pedagog, një mjek, një ushtarak, një drejtor në bashki e të tjerë. Deputeti është ligjvënësi, ai që bën ligjet, voton buxhetin, rrogat dhe duhet të votojë kunder vetes dhe të pranojë këtë poshtërim publik. Rritja e rrogave do ndikojë edhe tek çmimet, I bie që deputeti të jetë nën kategori, po edhe ai është njeri që ka familje e nevoja. Si do t’i plotësojë? Në të zezë, influencë për tendera, influencë per bizneset private që kanë nga pas. Nëse është kjo logjika nuk iu duhet rroga fare. Ajo mbetet mbulesë, gjethe fiku. Por ka edhe nga ata që jetojnë me rrogë dhe nuk kanë zgjedhur, nuk kanë ditur, a nuk kanë mundur të kenë influencë të bëjnë biznes apo të korruptohen, këta si do të jetojnë? Se hanë edhe ata  të ngratët, pinë, vishen, kanë kalamaj, kredi për të paguar, helbete duan edhe të vishen.

Sot nuk ka më askund hotel që kushton 30 mijë lek (të vjetra) nata, por kaq i lejohet një deputeti që duhet të bëjë cirk për të gjetur fatura të tilla.  Nëse shkon vizitë zyrtare e ka dieten 60 euro në ditë  dhe nëse do të ushqehet duhet të hajë vetem panine me çmimet që janë atje.

Natyrisht e shoh që ka deputetë që mjafton të jenë të tillë dhe nuk ua ndjen fare nga kjo anë, e si të tillë bëjnë çdo kompromis. Nuk do ishte e udhës të kërkoje, nëse nuk do kishte ngritje të përgjithshme pagash.

Po kur ka një të tillë është denigruese, t’i shndërrosh deputetët në kategori inferiore. Depersonalizimi i tyre është depersonalizim i lirive, depersonalizim në stilin komunist që nuk premton asgjë të mirë. Qeveria, në këtë mënyrë, kontribuon t’i konsiderojë së pari deputetët dhe ministrat e vet si hajdutë që rrogën se kanë asgje, pastaj të gjithëve ne, të gjendur si mes Shilës dhe Karibdës, mes nevojës dhe trysnisë populiste, na fton të vetëposhtërohemi. Ende më  ata që do ta votojnë.

Imagjinoj që ndokush, ndonjë oligark me zhabë të madhe t’i thotë Kryeministrit “sa mirë ua bërë atyre legenave”  dhe ai të qeshë.

Nëse kjo hipotezë vertetohet në fakt “mirë” ia ka bërë politikës në tërësi, shtetit, shoqërisë dhe perspektivës antikorrupsion në këtë vend. Kaq për këtë temë, meqenëse të gjithë u strukën koleget e mi në pritje që dikush t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri. Gjendet gjithmonë një budalla.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille