Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka marrë pjesë në protestën kombëtare të Adriatik Lapajt që u zhvillua këtë mbrëmje në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", para Kryeministrisë, në Tiranë.

Gjithashtu, Report Tv mëson se në tubimin e Lapajt janë dhjetëra të rinj anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, të cilëve u është kërkuar pjesëmarrja me dijeni të Sali Berishës.

Ndërkohë, kreu i Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" tha se dalja e Belinda Ballukut krah kryeministrit Edi Rama në takime publike, është një formë presioni e këtij të fundit ndaj Prokurorisë së Posaçme, e cila po heton zëvendëskryeministren për veprën penale "shkelje e barazisë në tenderë".

“Sot jemi në ditën 55 të qëndresës në goditën që do mbahet si godina e zaptuar. Kësaj qeverie po i dalin skandalet dhe i marrë peng Edi Rama po dëshmon se rreshtimin në krahë të drejtësisë e kishte vetëm fasadë…Ai dy ditë më parë ishte në Divjakë dhe në krah kishte Ballukun si karshillëk që i bën drejtësisë, duke i thënë se kot sa lodheni sepse unë e ka marrë në mbrojtje. Ai me Belindën në krah i bënte sfidë SHBA që i kanë shpallur luftë krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sot të gjithë bashkë kundër Edi Ramës që mban në krah Belindën”, tha ai.

Kjo është protesta e katërt kombëtare e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë, ku Adriatik Lapaj po qëndron pandërprerë prej afro 2 muajsh, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisjen e vendit nga një qeveri tranzitore deri në mbajtjen e zgjedhjeve.