Partitë e reja, nëse janë krijuar si anti-establishment nuk duhet të bëjnë marrëveshje me asnjë nga subjektet tradicionale të sistemit politik me të cilët identifikohet tranzicioni! Nëse e bëjnë humbin arsye përse u krijuan e përse duhet të ekzistojnë! Ndërmjetësimet politike që vijnë nga jashtë sistemi, pavarësisht nëse mund të jenë me qëllim të mirë, nuk mund të kenë sukses, sepse nuk kanë pushtet as t'a japin e as ta mbajnë fjalën! Nëse hyjnë në marrëveshje kthehen në oksigjen për t'i dhënë jetëgjatësi establishmentit pikërisht në momentet më të vështira që po kalon!
Është e pakuptimtë që në një fazë dhe në një tendencë kaq të qartë drejt të resë për të sfiduar të vjetrën, ndoshta për protagonizëm personal, me qëllimin për të hyrë në sistemin politik, të rinjtë ose brezi i ri merr rolin e ndërmjetësuesit politik për të bërë bashkë Opozitën me idenë për të mundur Ramën ose shumicën!
Ndoshta nuk e kuptojnë ose nuk duan t'a kuptojnë se tashmë si shumica dhe pakica institucionale dhe jo qytetare nuk përfaqësojnë asgjë më shumë veçse një model të vjetër politik që identifikimi dhe suksesi i tyre ka nisur me tranzicionin dhe do të mbarojë me mbylljen e tij!
Ndoshta këta të rinj duke nuhatur politikisht krijimin e një hapësire politik, duan me justifikimin e ndërmjetësimit nën qëllimin e përbashkimit të kthehen protagonistë politikë duke krijuar kushtet e një force të re politike.
Me misionin e tyre përbashkues e "pozitivë", në fakt kanë mundësi të arrijnë dy qëllime:
- Të godasin sistemin e vjetër
- Të përbaltosin forcat e reja që janë tashmë në tregun politik duke krijuan imazhin se përmes bashkimit edhe ata janë njësoj si dy subjektet politike tradicionale që dominuar tranzicionin
Shqipëria është në një fazë të ndryshimeve të mëdha historike dhe e gjithë beteja bëhet mes të resë që duan të marrin protagonizmin dhe të vjetrës që nuk pranon sfidën e kohës dhe daljen jashtë sistemit.
Këtë realitet e kanë kuptuar shumë faktorë në Shqipëri duke u nisur nga qytetarët, por të tjerët që janë vetë establishmenti, që identifikohen me grupe interesi të lidhur me pushtetin partiak e politik dhe po ashtu edhe vetë politika, por përpiqet me çdo kusht t'a ndalojë këtë proces transformuese duke krijuar përmes debatit shterpë armiq virtual, realë e duke e shmangur kështu debatin dhe vëmendjen larg tyre.
Historia i shkruan ngjarjen siç ndodhin dhe jo sikur duhet të ndodhnin! Prandaj, histografia do të shkruajë për këtë periudhë për të gjithë ata që janë brezi i ri, por që për ego e protagonizëm personal u vendosën në shërbim të të vjetrës duke u kthyer një oksigjen për jetëgjatësinë e tyre.
Ashtu si në vitet '90, që mbahen mend më shumë studentët që u ngritën kundër Regjimit sesa vetë ky i fundit edhe për këtë periudhë do të mbahen mend më shumë ata të rinj që u kthyen në shërbëtorë të devotshëm për të mbrojtur të vjetrën sesa vetë fakti se si kjo e fundit ra.
Në betejën mes të resë dhe të vjetrës mungon një lider që do të dilte nga establishmenti me personalitet të ngjashëm me të Berlusconin në Itali që do të vendoste të niste angazhimin politik për të filluar një histori të re lidershipi dhe establishmenti.
Duhet kurajë e madhe të bëhesh në rolin e ndërmjetësuesit për bashkim të Opozitës, por në fakt qëllimi kryesor mbetet të ruhet establishmenti ekzistuese duke nënshtruar, dominuar e komanduar çdo sinjal ose ofertë të re politike.
Ndërmjetësimi për bashkim me justifikimin " të mundin Ramën se po qeveris shumë keq" është në fakt një ekuacion me të njëjtin përfundim, sepse ekzistenca e të parës dhe e palës tjetër, nuk bën gjë tjetër veçse garanton jetëgjatësinë e Ramës dhe të pushtetit të tij! Pse e them këtë? Sepse, të dyja palët, pavarësisht se njëra ka pushtetin institucional e tjera atë opozitar, në fakt përfaqësojnë një sistem politik që i ka ditët e numëruara për shkak të konsumimit në kohë dhe hapësirë për më shumë se 30 vjet tranzicion.
Komente










