Derbi, provokon Krasniqi:
Tirana feston kur barazon me ne

Derbi, provokon Krasniqi:<br />Tirana feston kur barazon me ne
“Ftoj tifozët të na mbështesin masivisht, pasi nuk do t’i zhgënjejmë.” Ky ka qenë “kushtrimi” i Gëzim Krasniqit, qendërmbrojtësit të Partizanit për derbin e madh të kryeqytetit, këtë të diel.

Edhe pse kjo përballje mes të kuqve dhe bardhebluve do të luhet për herë të parë në histori jashtë kryeqytetit, në “Elbasan Arena”, pritet të përcillet nga një numër i madh tifozësh të të dyja skuadrave. Duke folur dje në konferencën për shtyp, mbrojtësi I Partizanit nuk ka lënë pa thumbuar Tiranën, ironizuar me barazimin 2-2 të sezonit të shkuar. “Sezonin e shkuar Tirana nuk na rrëmbeu titullin, ne humbëm edhe me Bylisin.

Tirana kur barazon me ne bën festë, ne kur barazojmë nuk dalim gjithë javën nga shtëpia,” tha Krasniqi. Për 26-vjeçarin që zgjedh të flasë pa diplomaci, Partizanit nuk i lejohen hapat fals dhe ndaj Tiranës dhe ai shpreh bindjen se skuadra e tij do dale fituese edhe nga ky derbi. “Ua kemi marrë dorën, përherë i kemi mundur, të paktën këto dy vitet e fundit flasin shumë qartë.

Të gjitha ekipet kanë ndryshuar por ne besojmë te forca jonë”. I pyetur për sulmin e ekipit dhe kritikat për paraqitjen e kohëve të fundit Krasniqi thotë: “Është vetëm fillimi i kampionatiti. Sulmuesit tanë do ta marrin veten, do të ringrihen. Ekuban do të shënojë në vazhdimësi. Kemi edhe Azubel që do të riaftësohet dhe do të jetë gati”. Kurse për rivalitetin në mbrojtje Krasniqi thekson se: “Ardhja e Malotës është pozitive por unë nuk i frikësohem as Sergio Ramos, prandaj do të luajë kush ta meritojë”.
Vllaznia-Skënderbeu luhet në Korçë

Ndeshja Vllaznia-Skënderbeu, e vlefshme për javën e 5-të të Kategorisë Superiore nuk do të zhvillohet në “Loro Boriçi”, sikurse ishte në prorgram, por në stadiumin Skënderbeu të Korçës. Një vendim i tillë ka qenë i kushtëzuar nga fakti se në impiantin e rikonstruktuar të Shkodrës në fillim të Tetorit, më saktë më 6 dhe 9 tetor, në këtë stadium do të luhen dy ndeshje kualifikuese për Botërorin “Rusi 2018”, Kosovë-Kroaci dhe Shqipëri-Spanjë.

Për të ruajtur standardet e terrenit të “Loro Boriçit”, Federata Shqiptare e Futbollit, u ka dërguar shkresë të dy klubeve, Vllaznisë dhe Skënderbeut që përballja mes tyre nuk mund të luhej në këtë stadium, ndaj është rënë dakord që ndeshja të zhvillohet në Korçë, ndërsa ajo e fazës së dytë në “Loro Boriçi”. Kjo ka qenë zgjidhja më optimale duke iu referuar edhe praktikës së ndjekur me Luftëtarin, që ende nuk i ka përfunduar punimet në stadiumin e Gjirokastrës dhe një pjesë të ndeshjeve brenda të fazës së parë po i luan në fushën kundërshtare.


d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duk protesta e opozitës?



×

Lajmi i fundit

'Më e kënaqur nga protesta sot është mazhoranca', Endri Shabani: Vëmendja zhvendoset nga përmbytja e Vlorës apo rritja çmimeve tek molotovët e Nokës

'Më e kënaqur nga protesta sot është mazhoranca', Endri Shabani: Vëmendja zhvendoset nga përmbytja e Vlorës apo rritja çmimeve tek molotovët e Nokës