Dëshmia e rrallë e Petro Markos: Në ’88-ën, kur isha në Greqi me Safon dhe njerëzit e mi, më propozuan të rrija aty e të shkruaja një libër kundër Enver Hoxhës

Dëshmia e rrallë e Petro Markos: Në ’88-ën, kur isha në Greqi me Safon dhe njerëzit e mi, më propozuan të rrija aty e të shkruaja një libër kundër Enver Hoxhës

Petro Marko dhe Safo

Rrëfimet e shkrimtarit të njohur Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës në vitin 1936, dhe më pas edhe i rezistencës antifashiste në Tiranë, tregon prapaskenat e asaj që njihet si Lufta Nacionalçlirimtare dhe pse Koçi Xoxe urrente Enver Hoxhën?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”!

Përse u dënua Petro Marko dhe kush ishin ata që i’a përgatitën arrestimin dhe kush e ndihmoi pas daljes nga burgu, etj. Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, i botuar në fillim të viteve ’90-të pas shembjes së regjimit komunist, libër i cili pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës, pasi u botua dhe ribotua disa herë, duke shënuar një rekord shitjesh.

DY PROPOZIME NË DISTANCË KOHË

Propozimi i parë: Para burgimit tim, si e kam treguar më parë, shoqërova dy gazetarët; Li Uajt dhe Çakall në Jug të Shqipërisë. Në Vlorë, në një restorant, kur po hanim mëngjesin pranë detit, unë u largova për pak dhe e lashë Safon vetëm me Li Uajtin, njeri shumë i sjellshëm dhe i kulturuar. Kur po ktheheshim në Tiranë, diku pranë Fierit, zuri një shi i madh dhe unë me Çakallin, e Javer Malon, zbritëm nga vetura dhe nxituam për t’u futur nën strehën e një magazine.

Pas pak minutash, zbriti dhe Li Uajti dhe vrapoi drejt nesh i pasuar nga Safoja, që kishte mbuluar kokën me pardesy. Kur mbërritëm në Tiranë dhe u ndamë me ta, unë dhe Safoja, shkuam në zyrat e “Bashkimit”. E ndjeva se diçka deshi të më thoshte. Dhe vërtet, ajo më tregoi se, kur kishte mbetur vetëm në Vlorë me Li Uajtin, i cili po pinte kafen, ai i kishte thënë Safos: “Do të të bëj një propozim. Nuk guxoj t’ia them Petros, këto që po të them ty.

Ne, për dy ditë nisemi me avion dhe mendoj se ti dhe Petroja, shumë shpejt nuk do ta ndieni më veten mirë këtu. Ai është një gazetar shumë i mirë, kurse ti, ëndërron që të bëhesh piktore. Ju ofroj këtë zgjidhje: Në aeroport, kur të bëhet përcjellja jonë, ju mund të hipni në avion. Ju shoqëroj unë. Avioni është zonë amerikane dhe askush nuk do të guxoj të hipë atje e t’ju zbresë. Kështu që, ju siguroj ty studimet dhe Petros një vend të sigurt, si gazetar”.

Unë e dëgjova Safon, e cila dukej se në njëfarë mënyre, ishte joshur nga një zgjidhje e tillë, dhe i thashë: “Unë kam hequr të zitë e ullirit për këtë vend dhe rruga ime nëpër Evropë, nuk ka qenë fushë me lule. Një propozim të tillë, ma bënë edhe në Romë, për në gazetën “Unita”. Por unë kam ardhur këtu, në vendin tim dhe këtu do të vdes”. Por edhe Safoja, kishte familjen e saj, nënën dhe vëllanë, të cilët nuk mund t’i braktiste, se do të kishin pasoja të rënda. Kaq.

Propozimi i dytë: Pak vjet përpara ‘90-ës, në nëntor, për çështjen e pasurive të patundshme të Safos, që ndodhen në Greqi, ajo u lejua të bënte rrugën për në Athinë e Selanik, e shoqëruar nga unë. Unë rashë në kontakt me nipin tim, Thomanë, birin e Jerasimo Dunit dhe të kushërirës sime të parë, Kateros. Ai u gëzua pa masë dhe u tregua i gatshëm, të na priste në shtëpinë e tij. Sigurisht, për të gjitha këto, unë mora leje, duke thënë se atje kisha shumë farefis e të njohur bashkëfshatarë (që kishin qenë arratisur).

Takimi ishte i dhembshëm, tërë lot e përqafime. Thomai, ishte arratisur nga fshati me të atin, kur ishte vetëm 15-vjeçar, kurse tani, ishte bërë një burrë i pjekur me familje, me pasuri, të cilën, e kishte vënë me punë e mund, duke e nisur si mekanik e, duke fjetur nën ura. Një takim i pabesueshëm. Në ditët që pasuan, më erdhën të gjithë dhërmiotët e arratisur dhe, me një mallëngjim të pa rrëfyer, putheshin me mua e, qanin si fëmijë. Malli për familjet, për atdheun, për Dhërmiun, u kishte gërryer shpirtin. Qanim edhe ne.

Kishin jetuar, kishin punuar e ishin plakur jashtë. Larg. Megjithatë, ata ishin të informuar për të gjitha, për burgun tim dhe të djalit. Për sa kohë qëndruam atje, nuk pati asnjë nuance, për ndonjë propozim, si ai i natës së fundit. Nipi im, Thomai, vetëm tri ditë, qëndroi me ne. Ai më deshi, më nderoi e më priti me dashuri të madhe, pastaj iku në Evropë, përsëri. Natën e fundit, në vizitën e ndarjes, në një familje himarjote, Safoja vajti atje përpara meje. Pak më vonë, arrita edhe unë. Shkova të ndahesha me shokun e fëmijërisë, komshiun tim, Koçon, të vëllanë e Llambro Dedes, me të cilin shkonim këmbëzbathur në shkollë dhe ndanim kafshatën e bukës. Sigurisht, unë nuk kisha, se isha jetim, por nëna e tij, nuk më ndante nga djemtë e saj. Vasili më tha:

– Petro, vëlla! Kam një propozim për ty, të cilin ia thashë edhe Safos, përpara se të vije ti. Kam menduar që ti, të qëndrosh këtu bashkë me gruan. Të mos kthehesh më në Tiranë. Do të kesh një shtëpi, të pajisur me të gjitha ato që duhen, dhe ti, do të bësh një libër, ku të shkruash të gjitha paudhësitë e pushtetit të Enver Hoxhës, i cili e groposi Shqipërinë. Ty të futi në burg, që je edhe luftëtar i Spanjës. Djalin ta burgosi. Erdhe këtu i varfër, si mos më keq! I pe këtu të tërë të arratisurit, se si janë sistemuar dhe si rrojnë. Librin që do të shkruash, ne do ta botojmë, në disa gjuhë të huaja dhe të gjitha të ardhurat, do t’i marrësh ti. Prandaj të propozoj: mendohu mirë sonte dhe nesër mos u nis për në Tiranë.

– Të kam pasur dhe do të të kem vëlla, se nuk e harroj të kaluarën. Ti e di rrugën time, që ndahet nga rruga jote. Unë rrugën time, nuk e tradhtoj dot, atë e kam nisur që i ri, me shkrimet e mia, me Luftën e Spanjës, me burgje e internime gjatë okupacionit fashist dhe me burg, gjatë kohës për të cilën unë luftova. Këto ti i di. Ti e di edhe burgun e djalit, të cilin e kam vuajtur edhe unë. Rruga jote, është tjetër. Dhe ti, atë rrugë nuk e tradhton. Dhe mbi të gjitha, unë atje kam dy sytë e mi: vajzën dhe djalin. Po të rri unë me Safon këtu, atyre u kemi siguruar internimin ose burgimin. Unë do të kthehem, siç kam ardhur. Të kam vëlla. Kemi ndarë kafshatën bashkë. – dhe u puthëm e u ndamë me lot që të dy.

Nota më tragjike e vizitës sime në Athinë:

Mbasditen e fundit, në shtëpinë e nipit tim Thoma, u ulëm unë, Safoja dhe Jerasimo, babai i Thomait, shumë plak dhe shumë i sëmurë, por trupmadh e akoma i drejtë, si një lis. Atë drekë s’vuri gjë në gojë njeri. Vetëm u lotua. Jerasimo, vajtoi me ligje shqip, si burrat e fshatit. Qau të vrarët e të vdekurit, midis të cilëve, vëllanë e tij dhe vëllanë e gruas, Jani Markon, të cilin e quante edhe atë vëlla. Qau fatin e tij e, të familjes së tij, si në një rrëfim mitologjik.

Filloi që me të qenët kryetar i këshillit të fshatit, pas çlirimit, tregoi atë moment natën, kur zgjodhi një nga djemtë e tij, Thomanë, ende të mitur, të cilin e mori me vete në rrugën e arratisë, me nëndetëse, drejt brigjeve të Korfuzit. Midis vajit, ai thoshte se; familjen e tij; me gruan e re dhe me tetë fëmijë; nuk do ta kishte braktisur kurrë, por u gënjye; se e kishin siguruar që; e shumta dy vjet; do të ishte arratia, se Shqipëria do të çlirohej; nga forcat anglo-amerikane.

Po kjo nuk ndodhi dhe ai po vdiste tani larg familjes, larg atdheut. Nëntëdhjetë e ca vjeç, vërtet midis të mirave që i kishte krijuar i vend, për të mos pasur më kurrë mundësinë, që t’i shihte përsëri njerëzit që la atje larg. Ky vajtim, ishte apologjia e Jerasimo Dvinit, që më quante edhe mua vëlla. Nusja e Thomait, Aliqi, serviri drekë, por asnjërit nga të tre nuk na hahej. Ajo i tha:

– Baba! Këta njerëz nesër në mëngjes nisen. Pse u jep kaq trishtim?! – Dhe plaku ngriti kokën me sytë plot lot, e iu përgjigj:

– Vetëm Safoja, më kupton, asnjë njeri tjetër! Safoja, që nesër do të kthehet atje, ku janë të mitë.

Kjo ishte tragjedia e njërit nga të ikurit.

Thoma Duni, me dashurinë, me respektin dhe zemërgjerësinë e tij, më krijoi njëfarë mirëqenieje. U ndamë të përlotur me të gjithë bashkëfshatarët dhe u ktheva në Tiranë, në shtëpinë time, te fëmijët e mi.

Pra, këto ishin dy propozime që m’u bënë, për të braktisur atdheun e, për të rregulluar mirëqenien. Zgjodha të kthehesha këtu, ku po shkruaj kujtimet, ku po vdes.

Tani, pas 47 vjetësh, kur unë jam në prag të fundit të jetës, i sëmurë, përjetoj një situatë kombëtare, fare të turbullt, të errët, të pasigurt, me një psikozë kombëtare evadimi, me çdo kusht, nga e kaluara dhe e sotmja…! Ja, këto ditë shihja nga dritarja ime, një lumë njerëzish: shumica të rinj e të reja, madje dhe minorenë, edhe burra, edhe gra, që vraponin, disa pa këpucë në këmbë, drejt trenit, për në Durrës…!

Bulevardi u bë lumë njerëzish, më tepër se në demonstrata ose parakalime…! Derdheshin si lumë, drejt trenit, për në Durrës, se kishin ardhur disa tragete dhe këta mijëra e mijëra njerëz, vraponin t’i arrinin, të hipnin në to dhe të largoheshin nga vatra, nga nëna, nga babai, nga foleja e ëndrrave të tyre, duke shpresuar se vraponin, drejt lirisë, diku përtej detit. Një situatë e vështirë e tensionuar, kaotike…!

Thonë e ç’nuk thonë… Mijëra e mijëra janë grumbulluar… (I pamë dhe në ekran të televizorit: një grua, me fëmijën në njërën dorë, kurse me dorën tjetër mbahej në litar dhe përpiqej të hip te në vapor. Një pamje tragjike shumë domethënëse për Shqipërinë e mjerë. Ajo grua rrezikonte jetën e saj e të fëmijës për të hipur në vapor… dhe gati sa nuk i binte fëmija në det…)

Thonë se edhe në Vlorë, po ndodh po kjo tragjedi, po ky eksod dramatik…! Ku vemi? Të shohim.

Më duket se këtu, diçka po lëvrin. Po shpartallohet diktatura! Rinia është në krye. Më tingëllojnë në vesh, thirrjet entuziaste të pasçlirimit: “Rroftë Shqipëria demokratike”! Pas kësaj përvoje të hidhur, shumëvjeçare, nuk do të ketë kurrë më kthim prapa. Nuk do të ketë më mure, që të na ndajnë nga bota. Demokracia, të cilën e ëndërruam, për të cilën luftuam e, për të cilën u vranë, me qindra shokë të mi, më duket se më në fund po vjen.

Nuk do ta harroj kurrë atë ditë të ftohtë, kur sindikalistët, demonstruan si lumë – masë rinie e, populli – në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ndaluan përpara shtëpisë sime, ku buçiti thirrja: “Petro Marko! Petro Marko”! “Rroftë kujtimi i Sejfulla Malëshovës! Rroftë Petro Marko” – dhe duartrokitjet e brohoritjet, nuk pushuan. U ngrita nga shtrati, ku lëngoja, dhe dola në dritare, mbështeta ballin te xhami e i përshëndeta me dorë. Atëherë ata duartrokitën stuhishëm e, më përshëndetnin me dashuri. Më mbyti mallëngjimi. Ishte një ditë e madhe për mua, një ditë që nuk harrohet.

Dua të përmend dy fjalët që tha Gorbaçovi, në varrimin e dy të rinjve, që kishin mbrojtur parlamentin, nga forcat regresive dhe u shpallën “Heronj të Popullit”…: “Ne sot, nuk po varrosim vetëm këta dy ‘Heronj të Popullit’, por po varrosim komunizmin!”

Të them të drejtën, unë çdo gjë të rinisë dhe të jetës sime, ia kam kushtuar idealeve të komunizmit, ndaj dhe u bëra anëtar i partisë spanjolle, franceze dhe italiane. Po pse nuk u bëra këtu anëtar i partisë? Këtë e kam thënë: se në Berat, në tetor të vitit 1944, kur u ktheva me dyqind vullnetarë shqiptarë, Sejfulla Malëshova, më porositi: Kjo Parti, është një parti terroriste, e krijuar nga serbët, prandaj ti, mos e hap gojën për asgjë që shikon, të paktën për një vit. Fjalët e Sejfulla Malëshovës, njërit nga njerëzit më të shquar të demokracisë sonë, që vuajti gjithë jetën dhe që u varros me karron e plehrave në Fier, qenë për mua shpëtimi.

Pyetje: – Po tani a pendohesh që ke pasur ideale komuniste?

Përgjigje: – Nuk pendohem aspak. Se edhe përpara çlirimit, edhe gjatë Luftës, komunistët ishin idealistët më të vendosur, për demokraci, për barazi, për mirëqenie popullore, kundër shtypësve të çdo lloji. Në Evropë, intelektualët më të shquar, ishin të majtë.

Grupet e vjetra komuniste u shpartalluan. Shumë nga komunistët e pare, u vranë në luftë. Nga ata që mbetën, disa u vranë si tradhtarë; shumë komandantë, komisarë dhe kuadro të brigadave partizane u vranë, u internuan në vite të ndryshme duke u quajtur tradhtarë. Kur bisedonim me shokët, thoshim: “Atëherë kush e udhëhoqi Luftën? E paskan udhëhequr tradhtarët”! E vërteta ishte ndryshe.

Ata luftuan trimërisht dhe e udhëhoqën Luftën me mençuri, si strategë të vërtetë në krye të batalioneve, brigadave dhe më vonë të divizioneve. Si shpërblim, morën vulën e tradhtarit. Kohë pas kohe, “zbuloheshin grupe armiqësore antiparti” dhe ekzekutoheshin specialistë të shquar, komunistë të devotshëm, të cilët, merrnin damkën e tradhtarit dhe plumbin. Dhe kështu pakënaqësia e popullit, rritej. U mboll era dhe u korr furtuna!

Qysh në fillim, duhej vlerësuar nënshtrimi i Partisë Komunistë si vasale e serbëve. Cili e kundërshtoi këtë, përveç ballistëve, që trumbetuan: “Këta komunistë u bënë skllevër të jugosllavëve”! Prandaj dhe shumica e tyre, që u bënë kundër nesh, kishin të drejtë të na quanin vasalë të serbëve, se e lamë Kosovën nën shtypjen e tyre dhe gjithë Shqipërinë nën kontrollin e tyre.

Unë mendoj – meqë i kam jetuar ato kohë – se shumica e popullit kishte besim te djemtë e tij partizanë patriotë, idealistë e komunistë, se e dinin që këta djem luftonin për lirinë dhe pavarësinë e tij. Edhe komunistët kishin besim tek ajo politikë, se edhe ne bënim pjesë në familjen e madhe të kampit socialist, dhe kurrë nuk u shkonte ndër mend, se kishte në botë parti komunistë, që gënjente ose nuk ishte leale dhe e sinqertë…!

Më kujtohen bisedat që bëmë në dhjetor të vitit 1941, në shtëpinë e Turkeshit, kur ne shkuam të merreshim vesh me patriotët e ‘Ballit’ për të bashkëpunuar me ta kundër okupatorit…dhe ata më thanë: “Nëse Kosovën, nuk e përfshin partia juaj, atëherë Kosovën, e shitët, prandaj me ju nuk shtrohemi në bisedë…”! Shumë patriotë, shumë intelektualë u dëshpëruan për shitjen e Kosovës, prandaj dhe nuk e deshën Partinë Komunistë Shqiptare. Midis tyre, kishte patriotë të ndershëm: kam pasur miq midis tyre. Hysni Lepenica, ishte shqiptar patriot e trim.

Unë nuk mund të bëhem avokat i qëndrimit të ‘Ballit Kombëtar’, gjatë Luftës, se ka pasur dhe banda që luftuan edhe kundër partizanëve, bashkë me gjermanët, por, duhet nisur nga arsyeja kryesore: Kush u bë shkak i përçarjes së popullit tonë? Historia, do të bëhet gjykatësi i drejtë, i përçarjes së popullit shqiptar dhe i shkëputjes së Kosovës.

Aty nga gushti i vitit 1946, mora një letër nga Kostë Çekrezi nga Amerika (Kostë Çekrezi, si drejtor dhe pronar i gazetës “ORA”, më kishte botuar tregimet e para më 1932 dhe më kishte pranuar të punoja aty, duke më bërë qejfin me fjalët e bukura që më tha: “Do të bëhesh një shkrimtar i mirë”). Ai më shkruante nga Amerika një letër, ku më kërkonte 100 shkrime; “Një orë në Tiranë”, me pseudonimin Demo Koti, duke më thënë se; UNESKO-ja, botonte nga një shkrimtar modern, për çdo kombësi, prandaj 100 copë; “Një orë në Tiranë”, do t’i botonte UNESKO-ja…! Unë i mblodha 100 copë të mira, për t’ia dërguar, po nuk më la aparati i Partisë, duke më thënë se; nuk duhej të kisha asnjë lidhje me Kostë Çekrezin.

Mund të them për atë kohë, me ndershmëri: një gjëmë e madhe e kishte pllakosur Shqipërinë – frika, pasiguria, padrejtësia, shtypja dhe mosbesimi tek asnjë njeri, as te njerëzit e familjes sate, ndarja e njerëzve me privilegje, lufta e klasave, (padrejtësi çnjerëzore), izolimi, që ishte vdekja, regresi.

Pyetje: – Ç’mund të na tregosh për rrjedhën e ngjaijeve sipas ndryshimeve që bëheshin?

Përgjigje: – Si konkluzion:

-Koha e parë, gjersa u prishëm me Jugosllavinë, më 1948-ën.

-Koha, kur u lidhëm menjëherë me Bashkimin Sovjetik, paçka se më pare, thoshim se; rruga për në Moskë, kalonte nga Beogradi.

-Koha, kur u ndamë nga Bashkimi Sovjetik, se u kritikua Stalini dhe kulti i individit.

-Lidhja dhe prishja edhe me Kinën. (Një parantezë: Nuk e di nëse e kam përmendur, këtë episod kuptimplotë: Pas Çlirimit, kur isha drejtor i “Bashkimit”, bëra një vizitë në burg dhe u takova me të burgosurit politikë, që ende nuk u ishte bërë gjyqi special. Fola me disa që njihja, dhe disave u thashë: “Pse nuk e dorëzoni floririn”?! “Do ta bëjmë plumb për ballin tuaj, që e shitët Shqipërinë te serbi”! – më tha Bilal Nivica, kurse një tjetër më tha: “Lumthi Shqipëria! Këtu do të lulëzojë begatia dhe lumturia se, paskeni bërë aleancë me Korenë! Koreja do të na lumturojë të gjithëve…! Ju jeni gjeni të vërtetë…! Po… presim…”!)

VETIZOLIMI

U prishëm edhe me Kinën dhe shpallëm vetizolimin. U tha se edhe bar do të hanim, po nuk do ta ndryshonim vijën tonë: Me forcat tona!

Me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë, më 1962, Branko Merxhani, shkroi në Turqi, në gazetën ‘TAN”, për Shqipërinë dhe përparimet që kishte bërë, sidomos në përhapjen e kulturës: “Po udhëheqja, nëse nuk ndryshon rrugë, ecën drejt greminës, drejt vdekjes. Asnjë shtet në botë, nuk mund të vet izolohet dhe të rrojë në autarki: as vetë Amerika e fuqishme, as vetë Bashkimi Sovjetik… dhe jo Shqipëria e vogël dhe e prapambetur, më e varfra në Evropë…! Nëse qeveria shqiptare, nuk i hap kufijtë, nuk bashkohet me botën, por do të vazhdojë vetizolimin, ajo shkon drejt vdekjes…! Nuk ka mundësi, siç thotë udhëheqja, “që edhe bar do të hamë, po nuk do të ndryshojmë rrugën tonë”!

Bota do të na ketë zili, – thoshte Enver Hoxha. – Edhe vetë Amerika, na ka zili dhe lufton që të na arrijë në jetën e lumtur që bëjmë ne…! Po, kur të na arrijë, ne do të jemi 100 vjet përpara tyre…!(!)

Gjatë gjithë këtyre viteve, kontakti i pandërprerë me botën, kanë qenë stacionet radiofonike, të cilat i merrte radioja ime e vogël (dhuratë nga Shevqet Musaraj, i cili ma solli nga Bashkimi Sovjetik), prej së cilës nuk jam shkëputur kurrë. Isha i etur të dëgjoja, se çfarë ndodhte në botë dhe si e komentonte bota shtetrrethimin tonë të egër.

Si gazetar i vjetër, i dëshiruar për të thënë një fjalë të lirë, pata mundësinë ta them këtë fjalë në gazetën “Republika”: Po vjen koha e ndryshimeve të mëdha. Ndihet në atmosferë, nuk më gabon nuhatja e gazetarit. Veçse për mua, është tepër vonë. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Ndaj dhe nxitova të përmendja shokë e, njerëz të dashur që humbën tragjikisht. Këto shkrime, në pamundësi që t’i shkruaja vetë, ia kam diktuar Safos. I merrte miku i shtëpisë sime, Vangjush Gambeta dhe i botonte në gazetën e tij.

Vetëm kaq mund të bëj. Nëse me të vërtetë më në fund do të triumfojë demokracia e ëndërruar, gjeneratat që vijnë, do të kenë mundësi të analizojnë, këtë kalvarin tonë të çuditshëm 45-vjeçar, që edhe duke u shtypur, edhe duke vuajtur, duke na u mohuar frymëmarrja, të ndarë nga bota, ne prapë kemi punuar. Ndërtuesit ndërtonin, bujqit punonin, këngëtarët këndonin, piktorët pikturonin, jeta vazhdonte, por nën diktaturë. Ata që do të jetojnë, që janë në moshë të re, do të kenë fatin të punojnë e të krijojnë lirisht, si njerëz të LIRË.

EPILOGU

Megjithëse unë linda i krishterë, në një fshat shumë besimtar, nuk i jam rrëfyer kurrë priftit përpara se të kungohesha…! Por tani, dëshiroj të rrëfehem para historisë, përpara se të vdes.

Shënim.

Në makinën e shkrimit, ne gjetëm një fletë të bardhë, vetëm me këto fjalë: “Gjoksi im i sëmurë, nuk më lejon që të përkulem mbi makinën e shkrimit”! Memorie.al

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Anita: 02/06/2024 22:15

    Përpara syve të mija më shfaqet e gjithë istoria e vendit tim .Gjatë leximit përjetova shumë emocione. Por mbrenda meje ndihem e mbushure krenare mirënjohje e respekt për shkrimtarin e njohur Petro Marku

    Përgjigju
    • .Nastja Mato Papuciu: 03/06/2024 10:26

      Per. Cfar. Flet petro eshte. E. Vertete per. Democracies. Enderonte. Dhe. Babai. I'm u.largua Ngan. Kjo. Jeter. I. Zhgenjyer

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Akti Normativ/ Punonjësit me paga të ulta në administratë do marrin shpërblim! Qeveria i jep kredi Albcontrol, shkurton fondet për institucionet

Akti Normativ/ Punonjësit me paga të ulta në administratë do marrin shpërblim! Qeveria i jep kredi Albcontrol, shkurton fondet për institucionet