Dëshmia e rrallë e tiranasit nga Bostoni: Në shtator të ’86-ës u arratisa me not nga liqeni i Pogradecit, por në Ohër kujtuan se na kishte dërguar Sigurimi i Shtetit dhe na kthyen

Dëshmia e rrallë e tiranasit nga Bostoni: Në shtator të ’86-ës u arratisa me not nga liqeni i Pogradecit, por në Ohër kujtuan se na kishte dërguar Sigurimi i Shtetit dhe na kthyen

Sapo makina del sipër, në Qafen e Thanës e shfaqet pamja e kaltër liqenit si në një ekran filmi, Robert Rado përlotet dhe zhytet i tëri në një meditim të thellë me syrin pranë xhamit të makinës. “Kam mall e brengë për këtë liqen”. Zbret Qafën e Thanës dhe i afrohet bregut të liqenit. Llokoçitja e dallgëve dhe grishjet e pulëbardhave e sjellin në atë ditë të vjeshte kur ai së bashku më shokun e tij, Besnik Zekthin, i bënë një sfidë diktaturës komuniste. Vështron vendin, ku ata u nisën atë mbrëmje pranë lulishtes “1 Maji“, ku sot janë vendosur motor pompat e pastrimit të kolektorit. Me syrin e malluar ai vështron vendin rreth o rrotull. Edhe pse në një moshë të thyer me flokë të zbardhura krejt, atij i vijnë imazhe në kujtesë, si një formë dashurie dhimbje e makthi. “Jeta ime është një kalvar i mundimshëm çnjerëzor, burgje,  e ndëshkime, por lirinë nuk e mbajtën dot në pranga”. Historia e rrallë e Robert Rado, njeriut që i bëri sfidë diktaturës komuniste.

Me Robert Rado, jam njohur krejt rastësisht para pak ditësh në breg të liqenit duke bërë plazh. Një miku i Robertit, Edmond Karanxha, ngrihet i shqetësuar dhe shikon që Roberti që ishte futur në liqen për të notuar, kishte mbi dy orë që notonte dhe nuk dukej gjëkundi mbi sipërfaqen e liqenit. Së bashku me Edmondin qëndruam, shkuam tek moli dhe vetëm pas më shumë se 20 minutash, u duk një kokë thinjoshe mbi sipërfaqen e kaltër të liqenin.

Edmondi mori frymë thellë dhe tha: ja ku po vjen, ai është. U ulën në një lokal në breg dhe po pinim nga një kafe. I thamë se na shqetësoj pasi, kishte më shumë se dy orë që notonte. “Po unë e kam kaluar me not në vjeshtë këtë liqen e jo tani”. Roberti është tip modest, nuk do që të flasi për historitë e tij me plot detaje…!

– Si u niset Robert?

Ka qenë data 22 shator 1986 dhe pasi e kishim lidhur fjalën me Besnik Zekthin (vëllain e Besim Zekthit, valltarit e koreografit të njohur), se do të arratiseshin nga liqeni i Pogradecit. Besniku ishte notar, ai  ishte edhe komunist por, nuk e donte regjimin komunist. Data 22 shtator 1986, shërbeu si datë çmallje me njerëzit e dashur por, pa ju treguar se do të arratiseshim. Unë mora djalin tim të vetëm Kreonin (i cili atëherë ishte vetëm katër vjeç), së bashku me disa nipër dhe mbesa që i doja shumë dhe i çova me biçikletë pranë një dyqani akulloresh, në afërsi të korpusit të Universitetit në Tiranë.

Më pas Kreoni më kërkoj që ta hipja në një motor, madje bëmë edhe një foto…! Më 23 shator 1986, herët të mëngjes me Besnikun, i hipëm trenit për të shkuar nga Tirana në Pogradec. Mbërritëm në mesditë në Pogradec. Bëmë plazh dhe e vendosëm që të niseshim pikërisht këtu, sapo të binte mbrëmja. Rreth orës 20.00 të mbrëmjes, sapo ra nata, u lëshua i pari Besniku, ai i zhveshi rrobat dhe i vendosi poshtë një tubi të trashë çeliku, ku merrej ujë nga liqeni për vaditje.

Sapo u nis Besniku pas pesë minutash, u futa edhe unë në liqen, por u hodha me gjithë rroba dhe në breg lashë vetëm një çantë sportive ku brenda kisha një thikë të vogël. Rrobat i hoqa nga trupi ndërsa duke notuar. Notuam të shkëputur nga njëri tjetri. Kufiri kontrollonte liqenin me dy prozhektorë të fuqishëm. Sapo shikoja prozhektorin, zhytesha në ujë dhe nëpërmjet tyre u orientova.

Fillimisht eca drejt thellësisë më pas preva diagonale në drejtim të Tushemishtit. Mbaj mend që kam notuar rreth 5 orë, kur kam dalë në bregun tjetër, rreth orës 1 pas mesnate. Isha i sfilitur, po ngrija, pasi kisha qëndruar pesë orë në ujë që nuk ishte si tani në verë, pasi atë ditë kishin filluar shirat e vjeshtës

-Ku shkuat pasi dolët matanë kufirit?

Pashë një zjarr diku pranë një kopshti. U afrova pranë zjarrit për t`u ngrohur. Aty duket ishte një roje që ruante kopshtin me mollë, i cili u tremb nga unë, kur më pa të zhveshur krejt. Unë e kuptova që do të lajmëronte policinë dhe qëndrova aty palëvizur, duke u ngrohur rreth zjarrit. Rreth orës 5 të mëngjesit, vjen një “Xhip” me dy policë dhe një civil, e më marrin dhe më çojnë në burgun e Ohrit.

-Sa kohë qëndruat në burg?

Më nxorën para gjykatës dhe më dënuan me një muaj burg. Unë ju kërkova në gjyq, statusin e një të burgosuri politik që kishte qenë në burgun e diktaturës komuniste.

-Pse kishit qenë herë të tjera në burg?

-Po dhe dy herë të tjera për tentativë arratisje, madje tentativa e parë ka filluar kur unë isha vetëm 16 vjeç, kur së bashku me dy shokë, bëmë një trap për t`u futur në një anije të huaj dhe të fshiheshim në vapor, deri sa të shkonte anija në Itali, por atëherë e quajtën si punë kalamajsh dhe bëra vetëm një muaj burg. Më pas tentova së bashku me tre shokë të arratiseshim nga Rakicka e Devollit, por na spiunoj njëri dhe na arrestuan në kufi, u dënova 8 vjet burg të cilat i vuajta në burgun e Spaçit.

-Ja u dhanë statusin gjykata jugosllave e Ohrit?

Jo, një muaj kam parë një terror psikologjik të paparë në hetuesi. Ata ishin të bindur, se neve na kishte hedhur Sigurimi i Shtetit si agjentë dhe nuk besonin se kishim kaluar liqenin me not. Kështu, më datën 16 tetor, na morën me një skaf dhe na futën në mes të liqenit, së bashku me një ekspert noti dhe të dy me Besnikun (me të cilin u takova në burgun e Ohrit edhe ai ishte dorëzuar në polici dhe kërkonte statusin e emigrantit politik), na lëshuan në liqen dhe na thanë të përshkonim me not një distancë prej disa orësh. Ne e kryem distancën dhe ata u bindën, që kishim kaluar nga liqeni me not.

-Po më pas çfarë ndodhi me ju?

Na transferuan pas një muaj në Beograd. Edhe aty vazhdonte dhuna psikologjike nga hetusë të ndryshëm civilë që na merrnin në pyetje. Unë ju kërkova një mjek pasi, kisha dhimbje të veshkave, por nuk më sollën mjek. Pas një muaj në kampin e refugjatëve, aplikuam, unë dhe Besniku aplikuam për në SHBA-ës.

Fillimisht qëndrova në Detroit, pas një viti shkova në Nju Xhers dhe një vit tjetër në Kenerike dhe më pas në Boston, ku vazhdoj të jem edhe sot. Në vitin 1990, kam punuar si kamerier tek restoranti i famshëm i Vipave, të shqiptarit Antonio Athanas.

-Po familja, e mori vesh arratisjen?

Po, pas një viti kam gjetur një kosovar dhe i kam thënë që nga Durrësi, të postonte një letër me një foto brenda për në Skrapar, tek njerëzit e nuses. Letra i’u mbërriti dhe kështu ata e morën vesh.

-Si e tërhoqët familjen në Amerikë?

Pas shthurjes së sistemit komunist, gruaja së bashku me djalin, u futën në korrik të 1990-ës në ambasadën italiane dhe më pas unë I tërhoqa në Boston. Është një moment i tmerrshëm, djali nuk më njohu më, qëndronte si i huaj…! Më pas jeta vazhdoj me dinamikën e saj. Kreoni djali ynë i vetëm, ishte drita e gëzimit, ai u shkollua, por me një dashuri shumë të madhe për Shqipërinë.

Në sendet e tija personale ishte një flamur shqiptar, që ai e merrte me vete ngado që shkonte. Kreoni ndonëse iku i vogël nga Shqipëria (vetëm 7 vjeç), por gjithmonë kujtonte një fjalë që i kishte vrarë shpirtin, kur shokët i thoshin në klasën e parë: “Këtij i është arratisur babi”.

-Në Amerikë, pasi u bashkuat me familjen, gjithçka ndryshoj për mirë?

Fillimisht ashtu ka qenë, djali më solli një gëzim të paparë, u rrit u edukua, u shkollua dhe punoj për 5 vjet si marinës në Flotën Detare në Virgjinja, po pikërisht në fund të këtij misioni, pikërisht dy vite më pare, më datën 31 gusht 2011, djalin Kreonin, pjesën më të mirë të jetës sime në moshën 27 vjeçare e humba nga një aksident (qan me dënesë, ka një video nga ceremonia mortore dhe letrën ngushëlluese të Presidentit të SHBA-ës, Barak Obama).

-Pse kaq i lidhur me Pogradecin dhe me liqenin e tij, ju vini dy muaj çdo verë nga Amerika?!

Tek ky liqen unë gjeta lirinë time të munguar në diktaturë dhe tek ky liqen, unë dua që të vdes, ja kështu duke notuar me orë të tëra…! Sa më thellë shkoj, më duket sikur i afrohem djalit tim, Kreonit, sikur bashkëbisedoj me shpirtin e tij, aty midis valëve të liqenit…!

Tashmë kjo histori me të gjitha detajet së shpejti do të dali në një libër autobiografik të Robert Radit, madje ndaj kësaj historie, është joshur një regjisor i famshëm amerikan, i cili kërkon që ta realizojë film artistik./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!

Plagosja e 50-vjeçarit shqiptar në Greqi, zbulohet dëshmia e shitëses: Thirri për ndihmë, i dilte shumë gjak dhe i vura një peshqir!