Dëshmia e trishtë e ish-të burgosurit nga Franca: Kur pa që nëna i shkruante se do i shkonte në takim aty në Spaç, ai e puthi telegramin si i marrë dhe lotët i rrodhën nëpër faqe

Dëshmia e trishtë e ish-të burgosurit nga Franca: Kur pa që nëna i shkruante se do i shkonte në takim aty në Spaç, ai e puthi telegramin si i marrë dhe lotët i rrodhën nëpër faqe

Henrik Gjoka

Henrik Gjoka ka lindur në Tiranë në vitin 1951. Duke qenë një “familje me biografi të keqe”, për shkak se babai dhe dy xhaxhallarët e tij, vuanin dënimin në burgjet e diktaturës komuniste, atij iu mohua e drejta për të ndjekur studimet e larta në universitet. Kjo gjë do të shkaktonte tek ai një zhgënjim të madh dhe do të ishte edhe përplasja e tij e parë e drejtpërdrejtë, me regjimin komunist në fuqi, që aplikonte realitetin e “luftës së klasave”, gjë të cilën Henriku do ta konsideronte edhe si dënimin e tij të parë.

Nisur nga këto probleme, që u shfaqën në jetën e tij personale, ai filloi të fliste hapur kundër regjimit komunist, duke shfaqur pakënaqësitë dhe rezervat e tij, në biseda të ndryshme me njerëz të besuar. Nisur nga ky fakt, ai survejohet nga Sigurimi i Shtetit dhe në vitin 1981, vjen arrestimi dhe dënimi i tij për motive politike, duke u akuzuar për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.

Menjëherë mbas lirimit nga burgu në sajë të dy amnistive që u bënë (në 1982-in dhe ’86-ën), në vitin 1986, ai tentoi të arratiset nga Shqipëria, por kapet në kufi dhe dënohet përsëri, kësaj radhe me 13 vjet burg, duke u akuzuar edhe “për tradhti të lartë ndaj atdheut”. Kështu ai mundi të lirohet përfundimisht nga burgjet e diktaturës komuniste vetëm në vitin 1991, me të fundit të burgosur politik që dolën nga ferri komunist dhe vendos të largohet nga Shqipëria.

Aktualisht ai jeton në Francë dhe ka botuar në shqip romanin “Gjuetia e pëllumbave” (1997), një libër autobiografik me ngjarje reale nga periudha e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, pjesë nga i cili kemi përzgjedhur për botim në këtë shkrim.

FRAGMENTE NGA ROMANI “GJUETIA E PULLUMBAVE”

Ashtu i shtrirë përmbys siç ishte, ai mundohej të hapte sytë, por diçka ngjitëse nuk ia linte qepallat t’i lëviznin. Në atë pjesë të fytyrës mbështetur përtokë, ndonëse e kishte të mpirë, ndjeu një dhimbje të hidhur…! Provoi të lëvizë gishtërinjtë që i preknin fytyrën. Ata lëvizën pak. Atëherë, po të ishte se kjo kokë e ngjitur me supet, ishte vërtet e tija, Ai do ta lëvizte dhe atë. Së pari, duhej të hapte sytë e të shihte se ku ishte…!

Pamja që iu zbulua përpara qe krejt e panjohur. Fytyra i dergjej në një pellg gjaku, aroma dhe efekti ngjitës i të cilit e bënë që të ndjente një peshë të rëndë në stomak. Ndjeu se do të villte dhe kjo e tronditi. Në atë pozicion në të cilin ndodhej, Ai mund të shihte vetëm nën një kënd të ngushtë. Duhej të lëvizte kokën që të shihte më shumë. Mblodhi të gjitha forcat që ta lëvizte atë, e kur kjo filloi t’i bindej, një tjetër dhimbje therëse si një thikë e ngulur në qafë, bëri që ai të humbë ndjenjat…!

Ai kurrë nuk e mësoi sa kohë kish qëndruar ashtu i shtrirë përtokë, herë i përgjumur, herë pa ndjenja. Nuk e mësoi kurrë këtë, pasi kish jetuar në një botë të çuditshme ndjesish e përfytyrimesh. Por, i kujtohej ashtu si nëpër ëndërr, tek e tërhiqnin zvarrë nëpër disa shkallë. I kujtohej që koka t’i përplasej nëpër to, e gjaku që i kish zënë hundët e s’e linte të mbushej me frymë. Po pastaj? Asgjë.

Kur u përmend, Ai vuri re se ishte i vetmi objekt në atë vrimë. Ishte edhe një bidon i vogël plastik në një qoshe pranë derës. Ajo derë aty në mes të murit, iu duk se nuk ish hapur që nga koha që ishte vënë atje. Dukej si një vizatim i bërë keq nga një fëmijë i patalentuar. Kundrejt saj, pranë tavanit, ndodhej një frëngji e vogël me hekura të kryqëzuar e brenda tyre një rrjetë teli.

Ktheu vështrimin në anën tjetër dhe përsëri vështroi me vëmendje atë derë të panjohur, dru e hekur përzier. Lëvizi ngadalë vështrimin mbi të e befas u rrëqeth. Në mes të gjerësisë së saj, në lartësinë e një njeriu, vështronte një sy. Pranë syrit, një kurriz hunde. Syri kishte ngjyrën e….ngjyrën e dheut.

Lëshonte brenda një vështrim të ftohtë e mizor, një vështrim rrëqethës. I shtrirë përtokë siç ishte, ai ngriu i magjepsur.

Mbylli sytë; ndoshta ishte një iluzion optik. Në memorien e tij ruante vetëm copëza ngjarjesh, britmash, fytyrash, copëza fytyrash. Ndoshta kjo ishte njëra nga ato. Ndoshta ishte një ëndërr…! Ai do të donte aq shumë të ishte një ëndërr…!

Ra në një gjumë të thellë. Për shkak të hundëve të bllokuara nga gjaku, Ai merrte frymë thellë me gojë. Buzën e sipërme e kishte të fryrë dhe të mavijosur. Edhe në gjumë ndjehej i dëshpëruar si gjatë tërë jetës së tij. U gëzua vetëm kur pa nënën t’i afrohej, veshur në të zeza, e heshtur, me një trishtim të zi në sy, që ashtu si gjithmonë, e pyeste birin e saj për diçka.

Ai mund të rrinte tani me nënën e tij. Ç’fat i madh! Mund t’i afrohej asaj fare pranë, të mbështeste kokën në prehrin e butë, kokën e gjakosur që i dhimbte aq shumë. T’i ankohej nënës së tij, se e kishin masakruar e torturuar mizorisht. T’i tregonte për ata që e kishin goditur birin e saj, që e kishin fyer. Për atë mësuesin e fshatit.

Ai bënte përpjekje të fliste, por asnjë fjalë nuk i dilte nga goja. E shihte nënën në sy e me shikim i lutej që ajo ta justifikonte aktin e tij, braktisjen që i bëri…! Po ai portokalli që i pati lënë asaj mbi tryezë natën e fundit, kish qenë i ëmbël apo i thartë…?

Nëna i fërkonte këmbët e ftohta e heshte. Pas pak, ajo u tërhoq në një qoshe e filloi të lutej me duar e ngritura lart, sikur kërkonte ndihmë nga qielli, e lotët filluan të rrjedhin mbi faqet e vyshkura. Papritur lotët u shndërruan në pëllumba të bardhë e fluturuan nëpër dhomë duke flladitur fytyrën e tij. Ai zgjaste duart e mundohej t’i prekte ata. U ngazëllye kur dalloi mes tyre mikun e tij të vogël, të cilin nuk e kish parë që në fëmijërinë e hershme.

I vërshëlleu disa herë, u mundua t’i japë të njohur atij që dikur mbyllte krahët e bardhë e rrëzohej poshtë qiellit për të qëndruar mbi supin e tij. Befas mbiu një zog i madh, i zi, i cili u vërsul mbi pëllumbin e tij. Tek pa pendët e bardha të bien përtokë, ai u hodh mbi zogun vrasës; por ishte e pamundur që t’ia shkulte nga kthetrat mikun e tij të vogël, të pafajmë. Duart i’u përgjakën tek e mbërtheu atë për fyti, e vështroi me egërsi e revoltë dhe…befas u shtang. Sytë e grabitqarit ishin të njohur! Ata kishin ngjyrën e dheut!

U përmend i mbytur në djersë. Dëgjoi një zhurmë të vinte nga dera, që për çudinë e tij, tani po hapej. Ajo derë, që Ai kish menduar se nuk hapej kurrë. Nëna dhe pëllumbat ishin zhdukur, ish zhdukur dhe ai zogu i zi, zogu vrasës. Po sytë e tij ishin ende aty dhe po e vështronin tani nga zgavra e një fytyre njeriu. Nga dera e hapur, kërceu brenda një mace e madhe, e cila së bashku me njeriun vështronte si e mahnitur atë që dergjej i shtrirë përtokë.

Ai hapi sytë sepse dikush e preku me një send të fortë, që mund të kish qenë një majë këpuce. E pa me vëmendje atë fytyrë, pa në të atë pjesë të hundës së shfaqur tek vrima e derës dhe atë syrin ngjyrë dheu. Një zë i butë e cinik foli sakaq:

U bë një kohë e gjatë që rri shtrirë e vetëm fle. Kjo na ka penguar që të njihemi. Prezantimi këtu është mjaft i rëndësishëm pasi do ta kalojmë bashkë këtë dimër. Këtej nga anët tona bën shumë ftohtë, por unë nuk do të të lë që ta ndjesh. Duhet të ngrihesh e të hash që të marrësh veten, kemi aq shumë gjëra për të bërë bashkë. Në korridor ka ardhur një supë që s’e ke parë as në ëndërr.

Ha, pastaj shko në nevojtore. Ke kohë që nuk ke vajtur atje. Nuk e kuptoj këtë tipin tënd. Jeta vazhdon. Kam pasur këtu nga ata që u dënuan me pushkatim, por supën e kullufisnin deri ditën e fundit, sikur do shkonin në botën tjetër për të punuar me kazmë. Këtu në këto mure, fillon një jetë e re për ty, e cila nuk është më pak interesante se ajo jashtë tyre…!

Pasi ndjeu derën të mbyllej, ai hapi sytë ngadalë me një kujdes të çuditshëm, me ndjenjën e atij që ka kaluar një rrezik, por që nuk ndjehet akoma i sigurt. Kjo ndjenjë e bëri t’i dhëmbë diçka brenda shpirtit. Atë supën e mallkuar që i ofruan nuk pranoi ta marrë, as në nevojtore nuk shkoi, por natën urinoi në atë bidonin e vogël plastik, që, për djall, nuk ishte i mjaftueshëm. Pjesën tjetër nuk e mbajti dot e ajo u derdh përtokë.

Kjo ishte e para natë që ai kalonte në atë qeli. E para që ai futi në llogarinë e tij, sepse kohën tjetër, natë apo ditë, nuk e qartësonte dot se, si e ku e kish kaluar. Bëri përpjekje të qartësonte mendimin rreth kësaj pike që i dukej më e rëndësishmja, por më kot. Kish nevojë të dinte sa ishte data. Pastaj, do t’i mjaftonte të sillte në kujtesë ditën që la shtëpinë, sepse pikërisht në mesnatën e kësaj dite, ishte kapur. Po si mund ta dinte sa ishte data atë natë?!

E tërë kjo analizë e lodhi dhe vendosi që të mos mendojë më për të. Ç’rëndësi kishin tani datat, koha, vitet! A nuk i ngjante kjo vrimë nën tokë një varri të vërtetë?! Cili i vdekur kish treguar për varrin ku e kishin shtënë?! Askush! I erdhi habi nga ky mendim që i kaloi nëpër mend e përsëri u ngatërrua në analizën e ngjarjeve të fundit. Ndoshta, të gjitha këto që po ndodhnin tani rreth tij, nuk kishin të bënin me jetën e të gjallëve. Ndoshta Ai ishte i vdekur! Mund ta kishin vrarë atë natë kur po ngjitej nëpër mal…! Kishte qenë një natë shtatori…!

… Ai u arrestua pikërisht në një natë të tillë, me shi të rrëmbyer. Kohët e fundit, mizerja në jetën e përditshme i dukej më e zezë se kurrë. Politika e ndyrë, hipokrizia, maskat me të cilat një pjesë e madhe shëmtonin ambientin, kudo që ato ndodheshin, në punë, shkollë, në radhat e ushqimit, televizion e kinema, kongrese e konferenca; nuk e revoltonin më si më parë, por i ndillnin krupë.

Edhe grindjet që ndodhnin nëpër plazhe e stadiume, rrahjet në qendra pune, armiqësitë mes fqinjësh, tani nuk i dukeshin më të rastit. Njerëzit e mirë bëheshin çdo ditë më të mirë, të liqtë bëheshin më të rrezikshëm, si metastazat e kancerit. Ata që kishin fshehur veset e tyre nën lëkurë për vite me radhë, të lodhur nga ky stërmundim, i kishin nxjerrë ato në sipërfaqe e ishin shëmtuar fatalisht.

Ai ish përleshur me inkuizitorët tërë jetën, por kurrë nuk e kishte përkrahur ndokush. Më të guximshmit ia shprehnin simpatinë fshehur. Ndërsa dashamirës që e njihnin prej vitesh, tundnin kokën me hidhërim.

Më e çuditshmja ishte se, ai kurrë nuk e kishte menduar burgun si një shqetësim. Ndoshta nga fakti se i ati me të vëllezërit, kishin kaluar vite të tëra në burgjet e kampet e përqendrimit. Ndoshta ngaqë ai, kurdoherë e kish parë vendin si një burg të madh, e brenda tij, plot të tjerë më të vegjël, më specialë. Vrima të ferrit të mbushura me errësirë.

Tek nisej për në kamp, i dukej sikur shkonte drejt një infiniti, me një rrokullisje të ngadalshme mbi një rruzull mbuluar me tela me gjemba, ku çdo qenie tokësore ishte e destinuar të gjakosej, të vuante, por kurrsesi të vdiste. Vetëm pëllumbi im i bardhë, mendonte ai, do mund të fluturonte mbi atë “Ferr”.

Në atë udhëtim, herë i dukej sikur e kish nisur që me lindjen e tij, herë sikur vetëm pak çaste më parë kish kërcyer në atë fugon e po habitej me prezencën e tij atje. Ndoshta për shkak të errësirës së asaj kutie metalike, ndoshta sepse ai vetë mendonte nganjëherë se nuk ndodhej atje, por vetëm shqetësohej e hidhërohej për skeletin e tij…!

…Autoburgu mbërriti përpara portës së kampit dhe u ndal. U bënë disa formalitete e shakatë e rastit, ashtu si i kishin hije vendit, pastaj oficeri i rojës hapi portën.

– Pa të shohim se ç’mall na ke sjellë sot! Oficeri zuri vend para derës së fugonit e dy policë i ndenjën pranë.

– Atë që më dhanë, – ngriti supet shoqëruesi i mallit.

Ndërkaq dera u hap dhe drita u sul brenda si një mace e bardhë që çori sytë e atyre të cilët rrinin akoma të strukur pranë njëri-tjetrit. Ata lëviznin ngadalë, si të zgjuar nga një gjumë letargjik e kërcyen poshtë një nga një. Ishin vetëm katërmbëdhjetë.

– Kush është me ty? – Pyeti nënoficeri i rojës minoritarin, me një ton shumë familjar, duke i’u drejtuar atij me emër.

– Vetëm një, ky këtu. – u përgjigj tjetri me të njëjtin ton.

– Mirë, merre atë e rrini aty mënjanë!

Pastaj, së bashku me një të burgosuri cili mbante ca letra nëpër duar, rreshtoi ordinerët në kolonë për një. Erdhi dhe një i burgosur tjetër që mbante veshur një bluzë si ato të mjekëve, ose infermierëve. Mjek nuk mund të ishte sepse, bluza ishte mjaft e pistë dhe e zbërthyer për shkak të barkut si fuçi birre. Në fakt, ky na ishte ndihmës-mjeku i kampit; llogaritar para se të abuzonte në detyrë e të vidhte nga fondi i ndërmarrjes ku punonte. Zanatin për medicine, e kish mësuar në ushtri dhe e ushtronte edhe në zbor.

– Zbërthejini ato xhaketa e triko çfarë të keni dhe zbuloni barkun! — Urdhëroi me ton “Fuçia”. Pastaj filloi t’i kontrollojë ordinerët një nga një, e, duke shtrembëruar fytyrën u kthye nga nënoficeri i rojës:

– Duhet të dezinfektohen që të gjithë! Janë plot morra!

Tjetri psherëtiu njëherë pastaj dha urdhër:

– Hapini trastat dhe lëshojini përtokë të gjitha çfarë keni. Zbrazni dhe xhepat. Papritur u kthye nga ata të dy që rrinin mënjanë me trastat ndër këmbë e tha:

– Shkoni ju. Merre atë dhe shko! – Iu drejtua minoritarit, gjithë me atë tonin familjar.

Anash oborrit kish dëborë. Dukej do ta kishin pastruar me lopata atë ditë, sepse ato ndodheshin akoma të ngulura në pirgun që formonte një si vargmal të vogël, të ngrirë. Në fund të tij ishte një grumbull qymyri dhe një lopatë e flakur mbi të. Ai ecte pas minoritarit dhe vështronte përreth me kureshtje.

– Kemi 25 vjet që njihemi, – foli minoritari duke u kthyer nga ai. – Me cilin?

– Me nënoficerin. Kur erdha në Spaç për të parën herë, ai sapo ishte veshur polic këtu, nuk kishte eksperiencë fare, e rrinte si pulë. Ishte liruar nga ushtria një muaj më parë, e, si duket kishte akoma ndjenjën e inferioritetit që ka ushtari ndaj eprorit. Më vonë filloi të çelet pak nga pak, të mëson puna vetë. Por ka qenë jo i keq…!

Atje ku mbaronte oborri, fillonin ca shkallë të pjerrëta të bëra me shufra hekuri. Djathtas tyre ishin birucat e ndëshkimit. Pikërisht atë çast kur vunë këmbën në krye të shkallëve, ai pa “kampin e armiqve”. Pamja që i’u shfaq, e bëri të ndalojë i shtangur e disi i magjepsur. “Ja, një kamp i vërtetë përqendrimi, një ‘Gulag’ i vërtetë, real, kaq fare pranë meje. Madje unë jam brenda në të…”!

Dy javë pas mbërritjes së tij në kamp, ai mori një telegram që e shndërroi atë nga një qenie e trishtuar dhe e vrarë, në më të lumturin e atyre maleve!

“Do të vi në takim në datën 23 shkurt. Nëna”. E puthi telegramin si i marrë e lotët i rrodhën nëpër faqe. Pra, pas katër ditësh do të vinte nëna e tij. Do të vinte aty mes malesh, do kalonte mes pyjesh e luginash, mbi dëborën që shkrihej. E gjora nënë.

– Nëna dhe vëllai vendosën të shkojnë në kampin e përqendrimit, menjëherë sapo mësuan se ai kishte mbërritur atje. Kërkuan leje në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të rrethit e, pritën përgjigje. Ndërkohë po bënin përgatitjet e nevojshme, ushqime, veshmbathje, libra.

Por përgjigja u erdhi negative; lejohej vetëm një njeri të shkonte. Vëllai nguli këmbë e tha se, si herë e parë që ishte, duhej të shkonin të dy, më pas…! Pastaj në atë dimër të marrë, në Veri, bën ftohtë./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike