Dëshmia:Si i masakruan bandat
e Zervës banorët e Parathimisë

Dëshmia:Si i masakruan bandat<br />e Zervës banorët e Parathimisë
E ka të vështirë të flasë për masakrat dhe jetën andej, por është shumë i vendosur për ti shkuar deri në fund të drejtës për zgjidhjen e çështjes çame. Nexhat Merxhushi, dëshmia e gjallë e masakrës çame dhe autori i librit “Paramithia” është rrëfyer për të vërtetën që ka ngjarë më 27 qershor 1944 në Çamëri dhe specifikisht për atë që ndodhi në Paramithi. Dëshmitari sjell kalvarin e vuajtjeve, humbjen e njerëzve të dashur, dëshmitë se si u masakruan burra e gratë, si vdiqën nga uria dhe si u vran fëmijët, si i prisnin kokën dhe si ja bënin trupin copa- copa, si vuajtën gjatë gjithë kohës nën administrimin grek, sa e ndjenin veten shqiptar dhe se nuk e mësuan dot gjuhën shqipe, vetëm pasi erdhën në Shqipëri.

Merxhushi sjell dokumente për herë të parë sesi u rënuan xhamitë dhe si u vranë myftitë, dhe se si u shemb kultura dhe trashigimia kulturore. Duke hedhur dritë mbi të gjitha të vërtetat e Çamërisë, 80 vjeçari ndihet i fuqishëm për të publikuar të vërtetat që nuk i thonë dokumentet shqiptare dhe historia shqiptare. Ai gjen përgjigjet e së vërtetës në literaturat historike të huaja dhe dokumentet zyrtare greke. Në një intervistë të gjatë për “Shqiptarja.com”, Merxhushi sjell dëshmi të torturave dhe dokumente që vërtetojnë këtë masakër.      
 
Si filloi përgjakja e parë kundër çamëve në Paramithi?
Bandat greke filluan të shpiknin lloj-lloj intrigash për të zhdukur popullsinë shqiptare të Çamërisë. Një nga format ishte dhe masakra e Del Janaqit, në Proin e Selanit në Paramidhi në vitin 1913. U mblodhën shtëpi me shtëpi krerët kryesor të çamërisë i vunë në rresht duke ju thënë “që do të keni një mbledhje” i drejtuan direkt në fshatin Selan të Paramithisë. Përpara se ti vrisnin, këta burra, të detyruar, kanë hapur gropën vet që do të varroseshin. Më pas ushtarët grekë i kanë gotitur me lopata, kazma dhe thika duke i bërë copa-copa. E kështu u groposën 72 burra nga Paramithia. Në vitet në vijim, bandat greke lëviznin në territorin e Çamërisë duke grabitur dhe vrarë njerëz të pafajshëm. Në vitit 1922-1923 veprimi i dytë i qeverisë greke ishte dëbimi i çamëve nga Çamëri me pretendimin se ata ishin turq.

Për se ky dëbim?
Grekërit që ishin në Azinë e Vogël do të vinin në Greqi dhe çamët si turq që mendonin grekët, do të shkonin të zinin vendin e tyre në Turqi dhe kjo zgjati deri në vitet 1926-1927.

A u ndalua reprezalja?
Po. Me rezistencën e vet çamëve, të qeverisë së Zogut, dhe të Lidhjes së Kombeve u ndal ky ndërrim i popullisë.

Pati internime?
Para se të hynin pushtuesit italaina në Greqi më 1940, çamët nga mosha 16-75 vjeç meshkuj u internuan në ishujt e Egjeut pa e njohur pushtuesin.

Po gratë ngelën vetëm?
Gratë dhe fëmijët ngelën vetëm. Mbaj mend që babai im bashkë me të tjerët në Astonomi (komisariat) u rreshtuan dhe u lidhën me litar dy nga dy. Kur babai nuk erdhi deri në darkë, unë me vëllain filluam të qanim. Gjyshja na merr pas vetes dhe na tha se “babi do të vij prapë”.

Erdhën tek shtëpia e morën babain tuaj?
Jo, e morën tek pazari.

Kishit dyqan në atë kohë?
Po kemi pasur një dyqan manifakturë (basëm, copash).

Pas internetimit të babit, ku u grumbullua familja jote?
Familja jonë u grumbullua tek xhaxhai. Gratë rrinin sipër në katin e parë, ndërsa fëmijët në bodrum.

Po si mbroheshit, se nuk kishte burra shtëpia?
Nënat tona zjenin ujë në kazan me mendimin që kur të vinin grekët t’ia hidhnin ujin nga sipër.

Çfarë ju kujton kjo kohë?
Mbaj mend që një ditë erdhën 12 ushtarë grek, për të kontrolluar për armë. Hynë brenda bashkë me gjyshen, dhe nuk gjetën armë dhe dolën jashtë. Gjyshja tha “le të hanë bukë djemtë”. Oficeri i thotë “janë të siguruar”. Por ajo u nxorri bukë dhe djath të njomë. Qëndruan ushtarët pak jashtë oborrit dhe ikën.

A kishit korrespondencë me babain tuaj në Izmir?
Po sigurisht. Babai nga Izmiri i dërgonte letra nënës së vetë  (gjyshes time). Ku përveçse e përshëndeste i linte edhe disa porosi për nipërit dhe mbesat(për ne).

Letra në shqip apo në greqisht?
Në Greqisht.

Pse greqisht?
Sepse në Paramithi flitej dhe shkruhej greqisht. Kisha greke kishte hapur shkollat greke, dhe madje tendencat e saj, nëpërmjet Shën Kozmait kanë qenë për të hapur shkollë greke deri në Lezhë.

Kush i sillte letrat?
Kishte postë. Por me ndërmjetës Kryqin e Kuq.

Po kur u liruan?
Greqia u pushtua nga gjermanët. Në vitin 1943 u liruan nga internimi dhe u kthyen prap në shtëpitë e tyre.

Pse Gjermania kaq e butë?
Sepse nxorri grek e çamë nga burgu.

A patë vrasje para 1944?
Në vitin 1942 u vra Tafik Qemali nga Karbunari, njëri i pasur dhe me influencë, musliman. U vra nga Koço Nikolli, grek. Në vitin 1943 u vranë djemtë e Nurejve në mal, pasi grekët i grabitën delet e copëtuan aq shumë sa nuk ju gjetën copat e trupit për ta varrosur. Po në vitin 1943, u vra dhe Haki Mergjushi, djali i xhaxhait tim nga Koço Nikolla. Pasi e grabitën misrin që do të sillte në shtëpi e vranë dhe e lanë në mes të rrugës, ashtu të coptuar.

Popullsia në Paramithi ishte më shumë muslimane. A u goditën myftitë?
Dy javë përpara 27 qershorit, Metropoliti i Paramithisë Doroteu, idhulli i Janullatusit, mori disa krerë të Paramithisë për të biseduar në mal me zervistët për të kthyer normalitetin. Pjestar në këtë bisedë ishte dhe vetë Doroteu. Garant për këtë takim u fut vetë Doroteu, ku pjesëmarrësit morën grancinë se nuk do të pësonin gjë, por të rrinin të qetë. Zervistët me Doroteun nuk pyetën kur hynë brenda po të parin që vranë atë ditë ishte Myftiu i Paramithisë Hasan Abudullahu duke e masakruar frikshëm. Nga dreka e asaj dite vranë gjyshin e Tahir Muhedinit, Sali Hafuzi. E shumë të tjerë u vranë ate ditë.

Doroteu ishte shok me Janullatusin?
Po!

Me incidentin në Përmet Jonullatus ka thënë se “po të hidhet kurani do të bëhet revolucion nga muslimanët”. Si e komentoni?
Të gjitha gjërat që thuhen për Kishën e Përmetit janë të stisura vetëm me një qëllim: Jo vetëm për të bërë përçarje fetare në Shqipëri, por edhe për të vërtetuar pretendimet greke në lidhje me Vorio Epirin dhe për të përforcuar thënien e Kishës Greke që ‘çdo ortodoks është grek’.

Në vitin 1944, zervistët vranë myftyn. Çfarë ndodhi me muslimanët?
Secili ruante kokën e vet. Por edhe më vonë nuk u bë asnjëgjë për këtë vrasje.

Keni rast konkret të dokumentuar se edhe xhamitë u rrafshuan?
Xhamia e Vasilus (e mbretit) që sipas dokumentit grek që ndodhet në Thimarhqion e Parmithisë, është ndërtuar nga sullatn Bejaziti më 1490.  Kjo xhami u shemb në vitin 1944 nga andartët grekë. Kjo xhami ishtë edhe një monument kulture sepse kultura i përket gjithë njerëzimit dhe jo vetëm një populli.

Domethenë sot në Paramithi nuk ka asnjë xhami?
Veç kësaj u prishën të gjitha. U prish komplet sistemi fetar në këtë qytet.

A është cënuar trashigima kulturore, fetare në Paramithi?
Një disident hungarez i shekullit XX thotë “Trashëgimia është prehja përfundimtare e së vërtetës”. Konventa ndërkombëtare sot synon ruajtjen e gjurmëve të trashëgimisë kulturore. Historiani amerikan Scharls M. Andreys thotë “Niveli i qytetërimit të një populli varet nga fakti se sa i kushtohet kujdes e rëndësi ruajtjes së monumenteve të të kaluarës së tij”.

Greqia zyrtare mburret se ka diçka në dorë për të ndaluar vendet e  tjera për tu futur në BE-së. Kush është e vërteta?
Vetë Greqia mos të harrojë se vet ajo u fut në BE pa plotësuar kushtet. Me ndërhyrjen e Francës, bile Presidenti i Francës Giscard D’Estaing i tha kryekomisionerit të BE-së Siço Mansholt se ‘nuk mund të luante Platoni në kategorinë e dytë’. Vetëm në katërvjeçarin e parë të anëtarësimit të Greqisë, KiE kishte gjetur 108 procedura shkeljesh ndaj Athinës. Dmth edhe kur u fut, u fut pa plotësuar, dhe tashmë që është futur nuk plotëson procedurat. Ndaj, kjo Greqi nuk i lejohet të flas me këtë gjuhë urrjetje ndaj shqiptarëve. Dua të citoj edhe një gazetë gjermane “Der Spigel” ku thotë “Se demokratët feudalë grek, vështirë se do t’ia arrijnë të qëndrojnë më këmbë”. Këtë po e vërteton edhe koha, që ata nuk qëndrojnë dot më këmbë.

Është hakmarrje...
Jo nuk e kam për hakëmarrje. Por historia duhet të dihet. Ajo nuk duhet të humbasë. Ndaj edhe ne do ta ngremë zërin për të gjetur drejtësinë e munguar.

Si ka qënë situata në dy vitet e fundit para se të ndodhte genocidi?
Shumë e acaruar. Ndodhën disa vrasje tek-tuk.

Më 27 qershor të 1944, kur ndodhi genocidi i madh ndaj popullsisë çame sa vjeç keni qenë?
Unë kam qenë 10 vjeç, por mbaj mend shumë situata të asaj kohe. Fëmija mban mend.

Çfarë kujtoni nga ikja juaj?
Në mëngjesin herët të 27 qershorit nga shtëpia shihnim që zbrisnin nga mali ushtria e Zervës si mizat e dheut. Të tmerruar morëm rrugën për tek xhahxhai. Ikëm atje dhe ata po përgatiteshin për të ikur nga shtëpia. Gjyshja në atë kohë kishte dalë në qytet. Xhaxhai dërgoi djemtë e vetë për të marrë gjyshen dhe për ta sjellë në shtëpi që të niseshim. Nga pamundësia për të ecur shpejt, ndërsa ushtria e Zervës po afrohej, gjyshja ju tha djemëve ta linin dhe të iknin sa më shpejt në shtëpi e të niseshin, sepse andej ishte rruga nga do të iknim.

Gjyshja ngeli aty?
E priste xhaxhai vetëm tek shtëpia. Aty erdhën kolonitë e Zervës dhe xhaxhain e vranë në vend, ndërsa gjyshen e kanë marrë zvarrë për ta çuar në burgun e improvizuar (një shtëpi u kthye në burg) duke e rrahur rrugës. Kjo shtëpi ishte e Tahir Muhedinit, shtëpia me e madhe që kishte 30 dhoma.

A arriti në burg pas keqtrajtimeve?
Si tregon vjehrra ime që sot është mbi 90 vjeç, ajo kishte shkuar e nxirrë në fytyrë dhe nuk jetoi më shumë se katër ditë, pasi kishte pësuar shumë goditje të rënda.

Po me gratë e tjera çfarë u bë?
Kam të dhëna nga pleqtë që sot jetojnë dhe s’jetojnë më, se ato nuk u vranë. Para se ti çonin në burg gratë i strehuan për një natë të vetme tek shtëpia e Sulo Tarit. Dhe aty bënin çfarë të donin. Gratë tregojnë se kur i çuan aty kishte dhoma të lara me gjak. Nuk dihej se çfarë kishin vrarë.

Kishte shnderim?
Po me gratë dhe vajzat. Fëmijët ishin në të njëjtën godinë. Ata dëgjonin ulërimat e nënave dhe motrave të tyre. Dhe të nesërmen i çuan tek ‘shtëpia burg’ e prindërve të Tahir Muhedinit.

A ka pasur gra shtatzënë?
Po ka pasur gra shtatzëna që kanë lindur edhe në burg, se aty qëndruan 6 muaj. Shumë fëmijë vdiqën nga sëmundjet dhe mungesa e ushqimit.

Çfarë ndodhte në burg, a ka pasur edhe këtu shnderime?
Nuk ka pasur shnderime, por ka pasur tendenca. Madje flitet se zervistët kërkonin që të nxirrni jashtë burgut vajzat më të bukura, por një urdhër nga komanda e qytetit nuk i lejoi. Megjithatë tek –tuk ka ndodhur. Është një grua që më tregon tani vonë “Kur erdhën ushtarët në burg për të shnderuar femra, gjyshja jote (e imja) më ka marrë, sepse unë isha shumë e re dhe më ka lyer me të zi në fytyrë dhe më ka vendosur shami në kokë për të dhënë imazhin e një plake që të mos bija në duart e ushtarëve grekë”. Tregojnë gratë që jetuan se “Shumë herë andartët u munduan të merrnin gra natën në burgun ku ishim bashkë, por ja jepnin ulërimës: ‘Të gjitha të vdekura se sa pa nder’. Hë të na vrisnin tani, hë pastaj. Netë pa gjumë, me një copë bukë thatë që na i hodhën sikur të ishim buçe”. 

Sa gra ishin?
Mbi 300...

Po me burrat çu bë?
Burrat i çonin në shkollë, aty ishte vendi ku i mblidhnin. I vrisnin dhe pastaj i hidhnin nga dritarja.

Me çfarë bëheshin vrasjet?
Vrasjet ishin me armë të ftohta, me thika zakonisht. Dhe nga torturat e tepërta kanë vdekur njerëzit. Gjyshen e gruas time, e çuan pastruese në shkollë pas masakrës. Ajo tregon që në murret e klasave gjendeshin tru njeriu.

Ke parë, apo të kanë treguar si vriteshin ?
Hysni Murati tregojnë që në kurriz i vendosnin bajonetën dhe i hiqnin lëkurën. Thonë që ai ju kishte thënë ushtarëve “Nuk keni plumb për të më vrarë, por më torturoni kështu”. Xhaxhain tim, Merushin duke e dërguar për në shkollë (ku grumbulluan burrat) për ta vrarë, i bien me kondakun e pushkës në kokë dhe vdes pa shkuar deri në shkollë. Dua të tregoj edhe një rast tjetër kur ditën e 27 qershorit në një familje çame shkuan për drekë një komshiu i tyre i shoqëruar me pesë grek të armatosur deri në dhemb me thika. Donin të merrnin djalin e shtëpisë. Ai nuk donte të shkonte. E kanë vënë poshtë dhe e godisnin me shkelma dhe e bënë copa-copa me thikë. E nxorrën jashtë i futën copat në një thes dhe dërguan dikë për ti hedhur në lumë. Gratë njoftuan gruan e tij që të lante rrugën nga gjaku i burrit të saj. Pastaj kishte masakra të ndryshme deri në prerjen përsëgjalli të organeve gjenitale.

Ju thatë që u nisët mëngjesin e 27 qershorit, çfarë rruge bëtë?
Unë me vëllain dhe nënën u puqëm me babin në Janinë. Nga aty kemi kaluar me një kamionçinë në Ersekë (nuk e di se si përfunduam aty) dhe nga Erseka në Korçë. Gjithsej ishim 14 veta, familja Mergjush.

Po çamët e tjerë?
Pjesë pjesë. Me grupe, tek e tek, dhe u bashkuam këtu të gjithë (Shqipëri).

A morët pasuri me vete?
Kishim ca para dhe orendi që i kishim transferuar në Janinë dhe me ato erdhëm këtu e jetuam.

Po dokumentat i morët të pronësisë?
Dokumentat e pronësisë i kam të gjitha. I kishte babai kur u kthyem. Nëna i ruante me shumë kujdes.

Qëndruat gjatë në Korçë?
Qëndruam tre- katër muaj.

Ku vendosët?
Me qera, në shtëpinë e Selim Mbories.

Si u pritët në Korçë?
Mirë.

Po pastaj ku u vendosët?
Kemi ardhur direkt në Tiranë.

Kush ju priste?
Kishim paratë, gjetëm shtëpi. Erdhëm si familje e siguruar nga Paramithia.

Po nga shteti patët ndihmë?
Ndihma që dërgoi UNRA ishin të destinuara për Çamët, por ato shkuan edhe në shtëpi të tjera që nuk ishin çame.

Po çami çamin e ndihmoi?
Po sigurisht ndihmuan çamët që nuk kishin ardhur me pasuri këtu. Edhe babi im ka dhënë dhrami.

Çfarë qëndrimi mbajti Enver Hoxha?
Mbajti një qëndrim dashamirës. Krijoi disa lehtësira me hapjen e disa kazermave për ata pa shtëpi e katandi.

Po për shkollimin tuaj, njihnit vetëm greqishten?
Kemi bërë përgatitje për të mësuar disa gjëra elementare se ne dinim vetëm greqisht. Unë jam futur direkt në klasën e dytë.

Çfarë latë në Paramithi?
Shtëpi, pronat, të cilat vërtetohen me dokumenta.

A keni shkuar pas 27 qershorit të 1944 në Paramithi?
Në kohën e demokracisë. Në vitin 1993 kam shkuar në Paramithi dhe në 1994 me një pasaportë shërbimi, se ndryshe nuk të lejonin.

A ekzistonte shtëpia?
Po eksziston. Por kishte edhe shtëpi të rënuara.

A jeni duke e kërkuar të drejtën tuaj për kthimin e pronave?
Është një studio ndërkombëtare me qendër në Londër që i kemi paraqitur që të gjitha dokumentat që zotërojmë. Ata merren me këtë problem. Na kanë premtuar zgjidhje, por ende se dimë.

Pra të ktheheni atje?
Po.

A duhet të ndëshkohen grekët për masaktën ndaj popullsisë çame?
Duket paradoksale por mendoj se zbulimi, kapja e vrasësve dhe ndëshkimi i tyre pas 60, 70 apo 100 vjetëve e bëjnë akoma më të besueshme mekanizmin e drejtësisë. Provat e krimit duhen ruajtur dhe dëshmitarët nuk duhen lënë në anonimat. Popujt janë si individët, pritja e gjatë për drejtësi mund ta nervozojë viktimën, ta egërsojë, ta bëjë të humbas durimin.

Shkolla 9 vjeçare në Parathimi ku u bënë masakrimet
(Në foto: Shkolla 9 vjeçare në Parathimi ku u bënë masakrimet)

Nexhat, Zija dhe Namik Merxhushi me logo
(Në foto: Nexhat, Zija dhe Namik Merxhushi, Parathimi 1943)

Safije Merxhushi gjyshja e Nexhat  Merxhushit me logo
(Në foto: Safije Merxhushi gjyshja e Nexhat Merxhushit, Paramithi 1942)

Dokumenti ku verifikohet shpronësiomi i truallit të xhamive me logo
(Në foto: Dokumenti ku verifikohet shpronësiomi i truallit të xhamive)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.09.2013
 
Redakasia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria do të zhvillojë Industrinë Ushtarake, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca

Nis hetimi për Ceo-n e Telegram, jep 5 mln euro për lirimin me kusht! I ndalohet largimi nga Franca