“Një ditë kur po punoja në minierë, erdhën dy vagonë të pashoqëruar kur unë po zgjidhja dy të tjerë jashtë, dhe më goditën dorën, të cilën e kam të shtrembëruar edhe sot e kësaj dite. Ma kanë qepur për së gjalli me gjilpërë rrobash, në infermieri… unë ulërija si qen nga dhimbja… nuk i harroj ato ulërima e atë dhimbje”, kujton Mirush Osmani, me origjinë nga fshati Kardhiq i Gjirokastrës, ish – i burgosur politik në kampet dhe burgjet e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.
Ishte djalë i ri, me një vetëbesim të pashoq e me shumë ëndrra për liri. Diku në një fshat të thellë në Dropull të Gjirokastrës, kishte thurur planin e tij sekret për të çarë hekurat e diktaturës e, për të fituar lirinë. Ashtu u nis Mirush Osmani, një natë dimri të dhjetorit të vitit 1980, plot shpresë e besim… edhe me frikë, por me bindje se destinacioni do të ishte liria. Ishte vetëm 20 vjeç me guximin djaloshar, i bindur se hekurat e diktaturës nuk do t’i linin kurrë shenjë në duart e tij, u nis drejt kufirit…! Por, fati i keq do të niste pikërisht në fundin e atij udhëtimi, pikërisht kur u ndesh me një grup zboristësh të devotshëm që, sapo u përballën me të, e cilësuan “armik i popullit”.
E kapën dhe pa mëshirë, e dorëzuan në komandën e kufirit, për ta çuar drejt e në hetuesi, ku do të dënohej me 10 vjet burg. Pas shumë vitesh, ai na rrëfen shenjat që diktatura ka lënë tek ai. Pas hetuesisë dhe dënimit, Mirush Osmanin, do ta nisnin drejt burgut të Spaçit, atje ku ferri i vërtetë ishte miniera. Atje, ku Mirushi mori edhe shenjën e përjetshme në dorën e tij, nga një aksident në minierë.
Dëshmia e Mirush Osmanit
“Një ditë kur po punoja në minierë, erdhën dy vagonë të pashoqëruar kur unë po zgjidhja dy të tjerë jashtë, dhe më goditën dorën, të cilën e kam të shtrembëruar edhe sot e kësaj dite. Ma kanë qepur për së gjalli me gjilpërë rrobash dhe fill, në infermieri…!
Unë ulërija si qen nga dhimbja. Edhe sot nuk i harroj ulërimat e mia. Mbaj mend gjilpërën që kërciste kërc–kërc. Ishte një infermier nga Shijaku, Isuf, më duket se e kishte emrin. Më lanë ca kohë pa punë, por për dorën nuk më dhanë as mjekim, nuk më bënë as vizitë e asgjë. Dora u ënjt dhe mori një ngjyrë blu. Në këtë kohë, një i dënuar nga Vlora, i quajtur Qemal Demiri që, nuk e harroj kurrë, i cili kishte bërë nja 15 vjet burg dhe i kishin ngelur nja 10 a 15 vjet të tjera, më tha:
“Do t’i bëj unë një letër Ministrisë së Shëndetësisë’. ‘O Qemal, po çfarë do të fitojmë’? – i thashë. “Jo, jo, – më tha, – do e bëjmë se këta, kanë ndërmend të të kalbin dorën”.
Edhe e shkroi letrën Qemali, ma lexoi dhe ramë dakord që ta postonte. Unë, edhe po të doja të shkruaja vetë letrën, s’e shkruaja dot se, nuk më punonte dora. Për të ushqyer, më ushqente Çajupi, një shok tjetër, me lugë si bebe. Dhe kur erdhën nga Tirana në Spaç, një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë, unë u thashë: ‘Ju më keni dënuar me burg apo me sakatllëk’? E panë dorën dhe mbas një jave më duket, më çuan në Rrëshen. Atje i bënë një grafi dorës dhe panë që të gjitha kockat e dorës ishin të plasaritura. Por, kur na çonin ne të burgosurve për ekzaminim mjekësor në Rrëshen, rrethohej vendi me ushtarë, rrethohej spitali, nga frika se mund të iknim.
Po ku dreqin të iknim ne?! Dhe kur më kthyen në kamp, në Spaç, më futën direkt në birucë. Në birucë, në izolim. Dhe kësaj here më futën vetëm, sepse isha ankuar. Se nga vinte një urdhër i tillë, unë nuk e di. Por, me një lehtësi të vetme këtë herë: më sillnin kovën me ujë të ngrohtë që ta mbaja dorën. Ky ishte i gjithë shërbimi që m’i bënë dorës. As më shumë, as më pak. Kur dola prapë me dorën copë, më dërgonin në punë. Më mori në brigadë një Hajrulla Kruja, të cilin nuk e harroj kurrë. Më mori në punë Hajrulla Kruja, që duhej të ishte rreth të 50-tave në atë kohë dhe unë isha 21 vjeç.
Normal që atij i vinte keq dhe bënte edhe punën time. Edhe shokët e brigadës time, bënin një vagon më tepër, që të shkonte në emrin tim. Edhe unë shkoja me normë të realizuar. Për komandën, figuronte sikur i bëja unë, por në fakt nuk i bëja unë. Unë nuk kapja dot asgjë me dorë, jo më të mbushja vagonët. Ndjehesha shumë në borxh me Hajrullain dhe me të tjerët, sepse bënin nga dhjetë vagonë për vete dhe do të bënin edhe për mua. Ishte punë e përditshme dhe e bënin vetëm për të më shpëtuar nga druri dhe biruca. Sot e kësaj dite, u jam shumë mirënjohës.
Në këto peripeci e sipër, një grup prej nesh, na marrin dhe na çojnë nga Spaçi, në Qafë Bari. Në Qafë të Bari, loja ndryshoi. Qafa e Barit kishte komandë tjetër, me tjetër mentalitet; ishte komandë që ishte mësuar me të burgosur ordinerë. Fati i një njeriu që peshonte 50 kg, në burgun e Spaçit Nëse një burrë në burgun e Spaçit, apo atë të Qafë Barit, apo edhe diku tjetër, ishte 50 kg e poshtë, fitonte të drejtën për të refuzuar punën në minierë.
Ky ishte fati më i madh për Mirush Osmanin, në momentin kur ai shënoi shifrën rekord 49 kg. Në këtë çast, ai mund të refuzonte punën në minierë. Sipas ligjeve të Partisë së Punës, ishte kështu: nëse ti si njeri ishe 50 kilogramë e poshtë në peshë, komanda nuk të detyronte të punoje në minierë. E dyta, nëse ishe mbi 55 vjeç e lart, nuk kishin të drejtë të të fusnin në minierë. Jashtë minierës, në punëra të tjera po, punonin në këtë rast, por brenda në minierë jo.
Dhuna në kampin e Qafë Barit
“Brigadën e merrnin tre policë nga një polic që ishte më përpara; tre policë e merrnin, dhe tre të tjerë e linin, d.m.th., gjashtë policë. Agron Qipllaka, Mirush Osmani (unë) dhe Durim Qelibashi, ishin në listën e brigadës së të rinjve që do rriheshin, para se të shkonin në punë dhe mbasi dilnin nga puna. D.m.th., e kishim racion: para se të shkonim te gardëroba që të ndërroheshim, duhej të shkonim të kaldaja, ku na prisnin gjashtë policë me nga një hu në dorë. Mbasi shkonim në punë, dilnim nga puna dhe prapë në kaldajë, dhe hanim dru për herë të dytë. Këto ishin vendimet e Edmond Cajës; ai na kishte me listë.
Në brigadën time kështu ndodhi; në brigadat e tjera nuk e di se si shkoi, por brigada e rinisë, e pësoi më shumë nga të gjitha. Pastaj ndodhi një aksident: ngaqë policët kërkonin me çdo kusht normën dhe fronti nuk kishte mineral, i burgosuri për t’i shpëtuar hurit e kërkonte mineralin aty ku i rrezikohej jeta. Në këtë mënyrë, u vranë dy vetë: Ilmi Çoçka nga Lushnja dhe Dilaver Hysi nga Vlora. Imagjino një skenë të llahtarshme: vjen vagoni nga miniera me Çoçkën të ndarë më dysh, kokën të ndarë nga trupi. Ilmiu ishte rreth 48-50 vjeç.
Kokën e kishte komplet të këputur dhe i kishte ngelur varur dhe ata kriminelët e Qafës së Barit, për të terrorizuar të gjithë të tjerët, as nuk ishin përpjekur ta mbulonin me një batanije të paktën. Ia lanë qëllimisht jashtë, dhe koka tundej nga pjesa e jashtme e vagonit. Këto skena nuk kam për t’i harruar kurrë. Hapën një gropë, nuk e di se ku, dhe e groposën. As qeni nuk groposej ashtu! Pastaj erdhi edhe vdekja e Enver Hoxhës, dhe me rastin e vdekjes së këtyre të burgosurve, duket sikur u mor ndonjë urdhër që të lirohej pak. Pra, sikur po zbutej disi…”!
Pas burgut, drejt ushtrisë
“Dola i dobët fizikisht dhe antikomunist me bindje të thella. U ktheva në Kardhiq tek prindërit, ku qëndrova më shumë se një muaj. Mamaja e shkretë m’u duk shumë e mpakur dhe plakë pas kaq vitesh. Ajo më trajtonte gjithë përkujdesi, si bebe. Llogarit: unë isha 50 kg. kur shkova në shtëpi, dhe për një muaj e gjysmë, mund të kem shtuar rreth 10 kg.
Dhe nëse një i dënuar në Spaç, apo edhe në ndonjë burg tjetër, kishte raport mjeku që, nuk ia lejonte të hynte në minierë, atë nuk mund ta detyronin të punonte në minierë. Flas me ligjet e vetë sistemit. Erdhi një moment kur unë shkova 49 kg. E besoni?! Isha si një kufomë. Një rast i ngjashëm me mua ishte Skënder Tufa, për shembull. Ai ishte 50 kile”, shpjegon Mirush Osmani.
Atë kujdes nuk kam për ta harruar kurrë; më ktheu në jetë. Donin të më nxirrnin në punë, por unë u thashë që nuk vij në punë. U thashë që: “Nuk punoj se pres përgjigje nga Komiteti Ekzekutiv”. Ata të familjes qanin, se e shihnin që e kisha ndarë mendjen për të mos ndenjur atje me ta. Pra, nuk shkoja në punë; rrija në shtëpi.
Mamaja i kishte thënë babait që: “Ky djalë s’do të punojë, dhe ne të gjithë do i lidhim një pension”. Ajo e kishte që unë të mos punoja më fare. ‘Mama, i thashë, unë do punoj se jam i zoti i vetes’! Kurse babai ishte katandisur shumë, shumë keq dhe vdiq pak vite më pas.
Pas një muaji, në vend të asaj që prisja, më erdhi letra për ushtar. Letra i ra në dorë mamasë, dhe bashkë me babanë, nuk po dinin se si të ma thoshnin, sepse ishte e rëndë për mua: unë sapo u lirova nga burgu, dhe po më merrnin ushtar. Mamaja po i binte anës e anës:
“Po sikur, ta zëmë, se të marrin ushtar dhe të çojnë në Durrës apo Vlorë”? ‘Unë ushtar?! Unë kam kaluar moshën dhe nuk kanë të drejtë’ – i thashë. Nejse, nuk e di kush ma bëri pas shpine, por nuk kisha rrugë tjetër, veçse të shkoja ushtar”, përfundon rrëfimin e tij, Mirush Osmani./Memorie.al
Pjesë nga rrëfimi i Mirush Osmanit, në ciklin “Zërat e Kujtesës”, botim i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK), autorë Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku.
Shume te dhimbeshme keto fakte. Por cfare eshte me e dhimbeshme eshte qe keta asnjehere nuk kerkuan llogari dhe moren pergjigje, si ne rruge institucionale dhe as personale. Jete te cuara dem do thoja une.
Përgjigju