Jamarbër Malltezi dhe të tjerët që u njohën pronarë të truallit të ish kompleksit Partizani i blenë godinat ekzistuese vetëm për rreth 500 mijë euro nga 5 milionë që kushtonin gjithsej, sipas një vlerësimi të SPAK.

Vetë Elvira Lame, e cila ishte në komisionin që vlerësoi godinat në vitin 2008, e pranoi në dëshmi në GJKKO se i ishte referuar një dokumenti që ishte bërë që në vitin 1997.

Prokurorja Millonai: Ju për vlerën fillestare i jeni referuar fillimvitit 1997. Kush jua ka dhënë referimin, ndërkohë ka pasur akt kontabël të vitit 2000, e dinit?

Elvira Lame: Këtë të vitit 1997 na e kanë vendosur në dispozicion.

Prokurorja Millonai: Cilët jua vunë në dispozicion?

Elvira Lame: Komunikimet me degën e shërbimeve.

Prokurorja Millonai: Ka pasur investime nga 97 e ne vijim dhe a i keni konsideruar?

Elvira Lame: Tek klubi futbollit është kërkuar vlerësimi vetëm i objektit shtetëror dhe jo i shtesave nga të tretët që ishin bërë pa leje. Kemi përcaktuar vlerën vetëm për pronën shtetërore.

Prokurorja Millonai: A ka qenë vlerësimi sipas vlerës së tregut? Nuk mund ta bënim vlerësimin sikur kishim apartamente, nuk krahasohet një apartament me objektet qe vlerësoheshin

Në dosjen e SPAK thuhet se komisioni i vlerësimit në procedurën e privatizimit të Klubit Shumësportesh Partizani, arritën në përfundimin se vlera e ndërtesave ishte rreth 450 mijë euro me kursin e sotëm, ndërkohë që vetë prokuroria bëri një akt ekspertimi më pas, dhe vlera shumatore e ndërtimeve rezultoi rreth 4 milionë euro.

Sa i përket klubit të futbollit, sipas raportit të vlerësimit të ekspertëve Elvira Aliaj dhe Sali Preçi vlera e ndërtesave rreth 100 mijë euro, kurse nga ekspertët e SPAK gjatë hetimit, Klubi I Futbollit është vlerësuar 10-fish më shumë, rreth 1 milionë euro

Pra shtetit nga këto privatizime, sipas SPAK i ka ardhur një dëm në vlerën e mbi 436 milionë lekësh ose rreth 4.5 milionë euro me kursin e sotëm.

Në dosje SPAK thotë se Elvira Aliaj (Lame), është njohje e Jamarbër Malltezit dhe rezulton se edhe më pas ka punuar me kompaninë Homeplan të dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi.

Një dokument I gjetur nga SPAK, që mban datën 3 dhjetor 2011, vërteton se Elvira Aliaj (Lame) ka përgatitur certifikatën e vlerësimit për llogari të Malltezit për një tokë arë 3000 m2 në fshatin Priskë, për të cilën është paguar 1200 euro me kursin e sotëm. E pyetur në SPAK për marrëdhënien me Malltezin, Lame ka thënë se ka pasur njohje që herët por kur ka bërë vlerësimin e pronave nuk e dinte.

Në seancën e radhës të Partizanit pritet të dëshmojnë dy personazhe kyçe, ish Presidenti Bamir Topi dhe ish ministri i Mbrojtjes në kohën e privatizimit, Mediu.

Pjesë nga dëshmia

Enkeleda Millonai: Rezulton se keni qenë anëtare në komisionin e vlerësimit në dy procedura të privatizimit të Kompleksit Partizani dhe Klubit Shumësportësh Partizani?

Elvira Lame: Mënyra si jam zgjedhur dhe kush më ka propozuar nuk e di. Më ka ardhur njoftimi me postë.

Enkeleda Millonai: Eksperti tjetër cili ka qenë?

Elvira Lame: Unë dhe Sali Preçi, i ndjerë.

Enkeleda Millonai: Sipërfaqja e domosdoshme përcaktohet përmes genplanit. Keni marrë ndonjë genplan nga Ministria e Mbrojtjes?

Elvira Lame: Për secilën nga procedurat më janë vënë në dispozicion pasi jam përzgjedhur. Dokumentet na viheshin në dispozicion nga dega, emrin e së cilës nuk e mbaj mend.

Enkeleda Millonai: Referuar VKM-së së vitit 2007, me të cilën ishit ngarkuar për vlerësimin që do të kryenit, përcaktohej se vlerësimi bëhej me genplanin. Keni marrë ndonjë genplan?

Elvira Lame: Mbaj mend se më janë vënë në dispozicion genplanet pasi u caktova. Nuk më kujtohet kush i vendosi në dispozicion. Ne kishim komunikim me një degë që ndoshta quhej Dega e Privatizimit. Ka qenë dega e Tiranës. Kryetari apo specialistët na njoftonin se erdhi genplani apo akte të tjera.

Enkeleda Millonai: Nga Instituti Gjeografik i Ushtrisë keni marrë ndonjë hartë për Sport Klub Partizanin?

Elvira Lame: Hartën na e ka vënë në dispozicion kjo degë.

Enkeleda Millonai: VKM-të që kaluan pronën në Ministrinë e Mbrojtjes apo të Kulturës, i keni parë ndonjëherë?

Elvira Lame: Kur na janë vënë në dispozicion genplanet, i kemi parë në raport me vlerësimin. Nëse do ta shikoja edhe një herë raportin, do t'i shpjegoja.

Enkeleda Millonai: Sipërfaqja është përcaktuar 29 mijë m². Ju e keni nxjerrë rreth 26 mijë m². Mund ta shpjegoni diferencën?

Elvira Lame: Për sipërfaqen e truallit është shkruar se ka pasur konfirmim nga Bashkia e Tiranës, se sipërfaqja sipas kësaj shkrese ishte 26 524 m².

Enkeleda Millonai: Është përcaktuar në VKM se sipërfaqja përcaktohet nga komisioni?

Elvira Lame: Ne na është sjellë genplani. Nuk e kemi përcaktuar ne. Kemi bërë azhurnimin në terren. Janë bërë edhe diferencimet mes tyre. Në rastin konkret, KML-ja ka përgatitur edhe genplanin.

Nëse sipërfaqja do të ndryshonte, Bashkia ka bërë korrigjimet e veta. Nuk është se miratohet ashtu si dërgohet, nëse do të ketë ndryshim në sipërfaqe. Nëse do të kishte ndryshime në sipërfaqe, miratohej nga Bashkia.

Enkeleda Millonai: Për Klubin Shumësportësh Partizani, sipërfaqja e klubit që shtrihet në rrugën e Durrësit. Për sipërfaqen e përgjithshme, ju kujtohet? E keni përgatitur sipas VKM-së së vitit 2003, ku ishte e përcaktuar edhe sipërfaqja?

Elvira Lame: Ne e kemi përgatitur nga aktet që na vendoseshin në dispozicion.

Enkeleda Millonai: Për sa i përket Klubit Shumësportësh Partizani?

Elvira Lame: Kemi pasur konfirmim nga Bashkia e Tiranës për të dy sipërfaqet.

Enkeleda Millonai: Referuar dy raporteve të vlerësimit, pronat që u kthyen pronarëve e zinin gjithë territorin, apo kishte edhe sipërfaqe shtet dhe të pronarëve të tjerë?

Elvira Lame: Mbaj mend se informacionet merreshin nga ASHK dhe ATP për pronësinë. Për Sport Klub Partizanin kemi thënë se 866 m² ishin pronë shtetërore e regjistruar.

Për Klubin Shumësportësh ka pasur po ashtu sipërfaqe shtetërore.

Enkeleda Millonai: Ju vlerën fillestare e keni referuar sipas fillimvitit 1997. Kush jua ka dhënë referimin e vitit 1997? Ndërkohë ka pasur akt kontabël të vitit 2000. E dinit?

Elvira Lame: Këtë të vitit 1997 na e kanë vënë në dispozicion.

Enkeleda Millonai: Cilët?

Elvira Lame: Komunikimet i kishim me Degën e Shërbimeve.

Enkeleda Millonai: Ka pasur investime nga viti 1997 e në vijim dhe a i keni konsideruar?

Elvira Lame: Te Klubi i Futbollit është kërkuar vlerësimi vetëm i objektit shtetëror dhe jo i shtesave nga të tretët që janë bërë pa leje.

Kemi përcaktuar vlerën vetëm për pronën shtetërore. Ka pasur investime nga të tretët.

Enkeleda Millonai: A ka qenë vlerësimi sipas vlerës së tregut?

Elvira Lame: Unë kam shkuar te Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pranë ASHK-së. Nuk ka pasur objekte të ngjashme. Nuk krahasohet një apartament me objektet që vlerësoheshin.