TIRANË -Report Tv mëson detaje nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës për protestën e dhunshme të banorëve të Unazës së Re që u zhvillua ditën e djeshme përpara Kuvendit.  

Burime për Report Tv kanë bërë me dije se është identifikuar personi që i ka hedhur kapsollen polices Ina Nuka. Ai është 18-vjeçari Daniel Dobraj, banues në Tiranë. Daniel Dobraj ka lindur në Greqi dhe është kthyer në Shqipëri disa vite më parë. Report Tv mëson gjithashtu se krahas tij, në kërkim janë shpallur edhe katër persona të tjerë. Emrat e të kërkuarve u janë përcjellë edhe policive kufitare prej mbrëmjes së djeshme, pas dyshimeve se mund të largohen jashtë vendit.

Mësohet se 18-vjeçari është identifikuar nga pamjet filmike gjatë, e cila u shoqërua nga konfrontime të dhunshme me policinë. Për kapjen e personit të sipërpërmendur, Policia e Tiranës po zhvillon disa operacione. Prioritet për prokurorinë e Tiranës është edhe identifikimi i llojit të lëndës plasëse të një fuqie relativisht të madhe, e cila shkaktoi plagosjen e rëndë të Nukës.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë regjistroi dje kryesisht procedimin penal nr.9146, për veprat penale, "Plagosja e rëndë me dashje", “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, e kryer me dhunë dhe në bashkëpunim, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike” e kryer në bashkëpunim.

Midis 25 personave të shoqëruar ishte edhe një grua, për të cilën burime nga prokuroria dhe policia e shtetit i thanë Report TV se kur është marrë në pyetje ka deklaruar se ishte shtatzënë. Ajo është liruar direkt për shkak të djalit të mitur megjithëse ishte shumë e dhunshme gjatë protestës. Kësaj gruaje i është marrë thjesht një deklarim dhe është liruar 1 orë pas ndalimit. Në fund të deklarimit ajo ka firmosur procesverbalin dhe ka thënë se nuk ka asnjë vërejtje për shoqërimin, trajtimin dhe akomodimin në polici duke theksuar se ka qenë shumë korrekt dhe njerëzor.

Efektivja 24-vjeçare e 'Shqiponjave' u plagos rëndë dje në protestën e dhunshme të banorëve të "Astirit" përpara Kuvendit, që degradoi në akte dhune ndaj policisë. Nga përplasja mbetën të lënduar, sëbashku me të,15 punonjës policie dhe tre protestues, ndërsa u shoqëruan në Komisariat 25 persona. Protagonistë të protestës së dhunshme ishin edhe deputetë e militantë të Partisë Demokratike.

Ditën e sotme, Ina Muka është transportuar nga Spitali i Traumës në një spital të specializuar në Stamboll. Pas ndërhyrjes kirurgjikale që do t'i nënshtrohet atje, mjekët i kanë dhënë shpresë familjarëve të së resë. Babai i 24-vjecares, Gashi Nuka apeloi përgjatë një prononcimi për Report Tv se akteve të dhunës iu duhet dhënë fund njëherë e mirë.