SARANDË- Mbrëmjen e 7 majit, Saranda u trondit nga vrasja e biznesmenit Rexhep Ismaili, njëherësh veprimtar i çështjes çame dhe eksponent i PD-së.
Dyshohet se autori i krimit është Lulzim Tabaku, i identifikuar nga policia direkt pas ngjarjes, por ende në arrati. Po kështu, dyshohet se i plagosur ka mbetur edhe një person tjetër, i cili nuk është paraqitur për mjekim.
Burime nga grupi hetimor thanë për Report TV se, rreth orës 21:30, mbërriti një grup prej 6 personash, pasi kishin informacion se te karburanti dhe lokali i vëllezërve Ismaili ndodhej 50-vjeçari Viktor Ruçi, me origjinë nga Tepelena dhe banues në fshatin Gjashtë.
Një prej të rinjve të përfshirë në krim kishte mosmarrëveshje me Ruçin për çështje pronësie, lidhur me një lokal në zonën e bregdetit, dhe madje ishte konfliktuar më herët me të.
Për këtë arsye, kishte thirrur në ndihmë shokët dhe së bashku shkuan te lokali, ku gjetën të ulur në tavolinë Ruçin, Ismailin dhe 3 persona të tjerë, të afërm familjarë dhe shoqërorë të tyre.
Bazuar në këqyrjen e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e administruara nga grupi hetimor, bëhet e ditur se fillimisht ka nisur debat verbal e më pas fizik me sende të forta mes palëve, duke pasur si objektiv kryesor pikërisht Tori Ruçin.
Në sherr e sipër, 66-vjeçari Rexhep Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me “Kallashnikov”, duke hapur zjarr disa herë ndaj grupit të të rinjve. Nga të shtënat mësohet se ka mbetur i plagosur njëri prej tyre. Ndërsa autori i dyshuar, Lulzim Tabaku, e ka qëlluar me pistoletë me plumb në kokë Ismailin.
Gjurmët e masakrës janë të dukshme në vendin e krimit, si gurë, shishe, atlete, xhama të thyer, karrige dhe tavolina të dëmtuara.
Pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit. Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e Sarandës, përfshirë edhe zonën e Qafë-Gjashtës, ndërsa kontrollet janë shtrirë edhe në spitale dhe klinika private, për identifikimin e personit të plagosur.
Vrasja e Rexhep Ismailit ka shkaktuar reagime të forta në politikë. Deputeti i PS-së Ardit Bido e ka cilësuar ngjarjen “të kobshme”, duke theksuar se Ismaili drejtonte shoqatën “Çamëria” në Sarandë dhe ishte një zë i fortë në mbrojtje të kauzës shqiptare. Edhe deputetja e PD-së Ina Zhupa është shprehur e tronditur, duke theksuar se demokratët humbën një figurë të rëndësishme, pjesë e strukturave të PD-së.

Një prej mjeteve të autorëve që mbeti në vendngjarje

Foto: Rexhep Ismaili dhe Ardit Bido
Deputeti i PS Ardit Bido ka reaguar për vrasjen e Rexhep Ismailit, pronari i një karburanti në Sarandë dhe njëkohësisht edhe kryetar i Shoqatës Çamëria në Sarandë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Bido thotë se lajmi i vrajses së tij ishte i kobshëm teksa thekson se Policia duhet të zbardhë sa më shpejt këtë çështje.
“I kobshëm lajmi i vrasjes së Rexhep Ismailit. Kryefamiljar që rriti një familje të mirë, biznesmen i suksesshëm, patriot dhe drejtues i zellshëm i Shoqatës Çamëria në Sarandë.
Humbja e tij trondit jo vetëm familjen dhe miqtë, por mbarë komunitetin. I bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë dhe autorët të përballen me drejtësinë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë atyre që e njohën.
Lamtumirë Rexhep!”, shkruan Ardit Bido në rrjetet sociale.

Foto: Ina Zhupa dhe Rexhep Ismaili
Deputetja e PD, Ina Zhupa shprehet e tronditur për vrasjen e Ismail Rexhepit, ndërsa thotë se PD humbi një drejtues të strukturave të saj, një kontributor të palodhur dhe një bashkëpunëtor të vyer.
Postimi i plotë:
E tronditur thellë nga lajmi për vrasjen e Rexhep Ismailit. Një njeri me vlera dhe një patriot i përkushtuar.
Partia Demokratike humbi një drejtues të strukturave të saj, një kontributor të palodhur dhe një bashkëpunëtor të vyer. Rexhepi drejtonte gjithashtu shoqatën “Çamëria” dhe ishte një zë i fortë në mbrojtje të kauzave kombëtare.
Kjo ngjarje e rëndë ka sjellë dhimbje dhe tronditje te të gjithë ne që e njohëm.
Pres që institucionet ligjzbatuese, Policia e Shtetit dhe Prokuroria, të veprojnë me përgjegjësi të plotë për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje dhe vendosjen e autorëve përpara drejtësisë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan Rexhep Ismailin.
U prehtë në paqe.

Shoqata ‘Çamëria’ ka reaguar për atentatin në Sarandë ku mbeti i vrarë kryetari i saj, Rexhep Ismaili. Në një postim në rrjetet sociale, shoqata ka dënuar ngjarjen dhe kërkon zbardhjen e saj të menjëhershme.
Gjithashtu, nënvizon kontributin e 66-vjeçarit si “zë i palëkundur” dhe “mbrojtës i pashoq” për çështjen çame.
"Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të z. Rexhep Ismaili, Kryetar i Shoqatës 'Çamëria' Sarandë. Ai ishte një zë i palëkundur dhe mbrojtës i pashoq i çështjes çame që prej fillimeve të demokracisë. Shoqata 'Çamëria' dega Vlorë dënon këtë vrasje të rëndë dhe kërkon zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe bashkëpunëtorëve. I paharruar qoftë kujtimi i tij!", shkruhet në postim.

Sherri në të cilin mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili në lokalin e karburantit të tij në Sarandë, nuk e përfshinte drejtpërdrejt viktimën.
Sipas burimeve, gjatë mbrëmjes të së enjtes në lokal kanë shkuar të paktën 10 persona që kanë patur konflikt me dikë që ka qenë në lokal dhe kanë dashur ta rrëmbejnë. Dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt pronësie.
Rexhep Ismaili u ka thënë “djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu” dhe më pas situata ka degraduar. Në vendngjarje ka mbetur një automjet i autorëve.
Komente









BESA -vyrtyt i shqiptarit!
Përgjigjuas mafia ne sicili nuk bente keshtu
PërgjigjuSbëhet më ai vend!
Përgjigju