Borxhet e Shqipërisë janë rritur me afro 790 milionë euro brenda një viti, në 12 muajt e 2018-ës. Kjo del nga statistikat zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, departamenti i Borxhit. Sipas këtyre statistikave, çdo ditë të vitit të kaluar stoku i borxhit publik është rritur me 2.1 milionë euro në ditë.

Në monedhën vendase, borxhi i përgjithshëm publik, ku përfshihen detyrimet e qeverisë qendrore, borxhet e garantuara nga qeveria, por edhe detyrimet e marra në vite nga bashkitë, ka arritur në 1 trilion e 107 miliardë lekë të reja në fund të dhjetorit 2018. Një vit më parë, kjo shifër shënonte 1 trilion e 88 miliardë lekë.

Të konvertuara në monedhën e përbashkët evropiane, rezulton se totali i borxhit ka shkuar shumë pranë 9 miliardë eurove (8 miliardë e 972 milionë) gjatë vitit 2018, ndërkohë që ishte në nivelin e 8 miliardë e 185 milionë eurove një vit më parë.

Huatë

Gjatë vitit të kaluar, qeveria shqiptare ka marrë në shtatë raste hua të reja. Huaja më e madhe është ajo, e cila u sigurua nëpërmjet një Eurobondi të radhës. Eurobondi ishte emetuar në vitin 2015 me afat 5-vjeçar dhe normalisht duhej të mbaronte në vitin 2012, por Financat ndërhynë më shpejt, duke siguruar 500 milionë euro me një afat 7-vjeçar. Kjo hua shkoi për mbështetje buxhetore. Një hua tjetër, e marrë në qershor të vitit të kaluar nga Banka Botërore, me vlerën e 50 milionë eurove, ka si destinacion realizimin e lidhjeve të rrugëve sekondare dhe lokale. Po nga Banka Botërore është siguruar edhe një tjetër hua prej 23 milionë eurosh, që do të mbështetë programin e burimeve ujore. Hua të tjera janë ato për punime të reja në segmentin Tiranë-Elbasan (16 milionë euro), financim shtesë për rritjen e sigurisë së digave të HEC-eve kryesorë të vendit (12 milionë euro), 11 milionë euro shtesë për programin e modernizimit të asistencës sociale dhe 5 milionë euro nga Italia për projektin e arsimit dhe trajnimit nëpërmjet inovacionit.        

Sektorët

Stoku më i madh i borxhit, i cili është krijuar përgjatë viteve, i takon mbështetjes së buxhetit të shtetit shqiptar nga ana kryesisht e institucioneve financiare ndërkombëtare, të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, etj. Në total, aktualisht Shqipëria ka një detyrim për shuma të marra hua në favor të mbështetjes buxhetore në masën 2.67 miliardë euro.

Në vend të dytë sa i përket shumës së borxheve sipas sektorëve vjen Transporti me 1.4 miliardë euro borxhe aktualisht. Pas këtij sektori vjen energjia, me 852 milionë euro.

Një shifër jo e vogël detyrimesh është krijuar me huatë e marra në favor të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, ku shuma ka shkuar në 409 milionë euro.

Interesat

Në vazhdën e viteve të fundit spikat shifra më e lartë e pagesës së interesave të borxhit gjatë vitit 2013, kur janë paguar në formën e interesave të huasë 43.3 miliardë lekë. Shifra e vitit të kaluar ishte më e vogël: 36.5 miliardë lekë, por gjithsesi me një rritje krahasuar me 2017-ën, kur u paguan si interesa 31.9 miliardë. Por, buxheti i shtetit nuk ka paguar vetëm interesat. Në total, shërbimi i borxhit, ku përfshihen si interesat, por edhe principali, vitin e kaluar ishtë në vlerën e 88.2 miliardë lekëve, ose mbi 700 milionë euro.

Raporti me PBB

Sipas Financave, raporti i borxhit publik me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ka ardhur në rënie të shpejtë gjatë vitit të fundit. Pas një rekordi negativ prej 72.67 përqindësh ndaj PBB-së në vitin 2015, në fund të 2016-ës kjo shifër arriti në 72.21%, me një ulje minimale. Ulja pasuese ka qenë më e ndjeshme, duke arritur në 70.02 për qind në fund të 2017-ës, me 2% pakësim. Ndërkohë, ulja ka qenë edhe më e ndjeshme vitin e kaluar, me shifrën 67.16% të raportit borxh publik/ PBB në fund të 2018-ës, gjithnjë sipas buletinit statistikor të borxheve të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Lidhur me vlerat e Prodhimit të Brendshëm Bruto, këto ende nuk janë zyrtarizuar, p[asi INSTAT-i jep shifrat e sakta vetëm pas disa vitesh. Megjithatë, Financat përdorin vlerësimet e tyre të përafërta, duke ofruar shifrat 1 trilion e 475 miliardë lekë për vitin 2016; 1 trilion e 552 miliardë lekë për vitin 2017 dhe 1 trilion e 647 miliardë lekë për vitin e kaluar.

Pavarësisht nga tendenca ulëse e raportit borxh publik/ PBB, ende ky borxh është shumë i lartë për një vend si Shqipëria, që e ka të vështirë të kryejë pagesat e huave të shumta të marra. Për vendin tonë, ndërkombëtarët kanë sugjeruar vazhdimisht si një nivel të pranueshëm raportin 40 për qind ndaj PBB-së, që duket se do të jetë larg në kohë për t’u arritur.