Devijon demokracia amerikane

Devijon demokracia amerikane

Donald Trump

Një udhëheqës vendi i kërkon një zyrtari lokal zgjedhor të ndryshojë rezultatin përfundimtar të votave, që kontribuoi në humbjen e tij në zgjedhje. Këshilltarët më të afërt të udhëheqësit përhapin thashetheme të pabazuara për mashtrime në zgjedhje. Anëtarët e partisë së vetë udhëheqësit sfidojnë rezultatin përfundimtar me argumente të çuditshme. Mbështetësit më radikalë të udhëheqësit zotohen se do të bashkohen në kryeqytetin e vendit, duke nxitur shqetësime për dhunë në rrugë.

A është ky një regjim autoritar post-komunist në ish-Bashkimin Sovjetik? Një diktaturë njëpartiake në Azinë Lindore? Një banana-republikë e Amerikës Latine? Jo, këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2021.

Ligjvënësit e porsazgjedhur të SHBA-së do të mblidhen më 6 janar në një seancë - që normalisht është një ritual i zakonshëm, i përcaktuar nga Kushtetuta amerikane dhe një ligj 134-vjeçar - ku bëhet miratimi përfundimtar i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale. Por, ceremonia rrezikon të shndërrohet në diçka tjetër. Duke u thirrur në pretendime të pabazuara për mashtrime, shumë ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe disa senatorë kanë thënë se do t’i sfidojnë rezultatet e certifikuara, të cilat e kanë nxjerrë fitues demokratin Joe Biden, përballë republikanit Donald Trump.

Si do t’i numërojë Kongresi votat elektorale?

Sipas një audio-incizimi që ka rrjedhur në media në fundjavë, Trump i ka telefonuar zyrtarit kryesor të zgjedhjeve në shtetin e Xhorxhias, për t’i bërë presion “për të gjetur” më shumë vota dhe për ta zmbrapsur fitoren e Bidenit.

“Është vërtet e jashtëzakonshme. Ne kurrë nuk kemi parë diçka si përpjekja e këtij presidenti, për t’i mohuar rezultatet e zgjedhjeve”, thotë Brian Kalt, profesor i së drejtës në Kolegjin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Miçigenit. “Është befasuese dhe larg themeleve bazike të zgjedhjeve demokratike”, thotë Kalt për Radion Evropa e Lirë. Keith Whitington, profesor i politikës dhe teorisë kushtetuese në Universitetin Princeton, i bën jehonë këtij vlerësimi. “Lajmi i mirë është se jo të gjithë po veprojnë në këtë mënyrë. Lajmi i keq është se ka ende shumë njerëz që veprojnë në këtë mënyrë”, thotë Whitington për Radion Evropa e Lirë.

Biden: Ekipi i tranzicionit po pengohet nga administrata aktuale

“Ata nuk do ta marrin këtë Shtëpi të Bardhë”, ka thënë Trump për Bidenin dhe demokratët e tij. “Do të luftojmë fort”, është zotuar ai gjatë një fjalimi në shtetin e Xhorxhias.

Amendamenti i 12-të; Ligji 137-vjeçar

Procedurat për mënyrën se si mbahen zgjedhjet presidenciale përshkruhen në Kushtetutën e SHBA-së, në një amendament pasues dhe në një ligj të vitit 1887.

Anëtarët e një organi politik unik, të quajtur Kolegji Zgjedhor, zgjedhin zyrtarisht presidentin, duke hedhur votat që pasqyrojnë rezultatet e certifikuara të votave të popullit në secilin shtet dhe në Distriktin e Kolumbias.

Vota e Kolegjit Zgjedhor certifikohet më pas nga Kongresi i ri, që betohet pas Vitit të Ri dhe rreth dy javë përpara inaugurimit presidencial. Dita e inaugurimit, që është 20 janari, është e përcaktuar me Amendamentin e 12-të të Kushtetutës amerikane.

Seanca tradicionalisht udhëhiqet nga zëvendësi i presidentit që është ende në detyrë - në këtë rast Mike Pence. Sipas rregullave, nënkryetari supozohet të ketë jo më shumë se një rol ceremonial - përfshirë hapjen e zarfeve që kanë votat e Kolegjit Zgjedhor dhe shpalljen e atyre rezultateve.

Biden pas konfirmimit të fitores: Është koha për fillim të ri

Ligji i vitit 1887 e parasheh një mënyrë që ligjvënësit e Kongresit t’i sfidojnë ato vota, por kjo kurrë nuk ka ndodhur me të vërtetë. Megjithatë, këtë vit, disa senatorë republikanë - në mesin e tyre: Ted Cruz and Josh Hawley - u janë bashkuar mbi 100 anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve, duke u zotuar se do ta sfidojnë procesin e certifikimit. Kjo sfidë pritet të dështojë, marrë parasysh procedurat e rrepta të përcaktuara me ligjin e vitit 1887.

Por, mijëra mbështetës të Trumpit, përfshirë disa nga grupe që hapur e mbështesin dhunën, pritet të mblidhen në Uashington. Këshilltarët ligjorë të Trumpit kanë ngritur dhjetëra padi në gjykata të ndryshme shtetërore dhe federale, duke pretenduar se ka pasur mashtrime ose procedura të paligjshme të votimit. Të gjitha, përveç njërës, janë refuzuar nga gjykatat, përfshirë edhe Gjykatën Supreme.

Pas vendimit të fundit të gjykatës, ligjvënësi republikan që qëndronte pas padisë, Louis Gohmer, ka sugjeruar se dhuna mund të jetë në rregull. Gohmer më vonë ka mohuar se mbështet dhunën. Përveç për demokracinë amerikane, trazirat kanë pasoja të mundshme edhe për vetë Partinë Republikane. Përpjekja e udhëhequr nga Cruz dhe Hawley është kundërshtuar nga së paku katër senatorë republikanë.

Përpjekjet e mëtejshme për të hedhur dyshime mbi zgjedhjet “janë në kundërshtim me vullnetin e shprehur qartë të popullit amerikan dhe shërbejnë vetëm për të minuar besimin e amerikanëve në rezultatet e zgjedhjeve”, thanë të katër republikanët në një deklaratë të nënshkruar edhe nga gjashtë demokratë.

Whitington, profesor nga Universitetit Princeton, i karakterizon sfidat e kaluara në Kongres - për shembull si ajo kur një senator demokrat ka sfiduar certifikimin e rizgjedhjes së George W. Bushit në vitin 2004 - si pengesa publicitare.

Ky nuk është rasti me grupin prej 11 senatorësh të udhëhequr nga Cruz, thotë Whitington, marrë parasysh retorikën e Trumpit, që i vë në dyshim zgjedhjet, edhe pse pothuajse të gjithë zyrtarët zgjedhorë kanë thënë se ato janë kryer pa probleme thelbësore.

Në telefonatën e 2 janarit, e cila është publikuar nga Washington Post një ditë më vonë, Trump dëgjohet duke inkurajuar dhe kërcënuar zyrtarin e lartë të zgjedhjeve në Xhorxhia “për të gjetur” vota, që Trump insiston se i ka fituar.

Sipas rezultatit të certifikuar, Biden ka fituar në Xhorxhia me 11,779 vota më shumë. “Dy javët e ardhshme mund të jenë një kohë shumë e rrezikshme për demokracinë amerikane, nëse [Trump] vazhdon t'i rezistojë asaj që ka kaluar nëpër gjykata dhe te zyrtarët e zgjedhjeve dhe ka treguar se nuk ka ndonjë dyshim se Joe Biden i ka fituar këto zgjedhje”, ka thënë Rick Hasen, profesor i ligjit zgjedhor amerikan në Universitetin e Kalifornisë, Irvine, në një deklaratë për transmetuesin publik PBS.

Stephen Vladeck, profesor në Shkollën e Drejtësisë në Universitetin e Teksasit, ka thënë se sistemi amerikan është testuar dhe tendosur si kurrë më parë.

Nuk është ende një “demokraci e menaxhuar” e llojit që është ndërtuar në Rusi, nën presidentin Vladimir Putin.

“Nuk jemi ende atje, por kemi parë se si mund të përfundojmë atje. Mendoj se shumë nga sjelljet e dy muajve të fundit nuk do të kenë sukses këtë herë, por ka mundësi të shohim se si mund të bëhet në të ardhmen”, ka thënë Vladeck.

Demokracia amerikane, demokracia jashtë vendit

Edhe nëse certifikimi i rezultatit zgjedhor në Kongres bëhet në mënyrë të rregullt, rreziqet afatgjata për reputacionin e Shteteve të Bashkuara jashtë nuk do të zhduken së shpejti. “Kontrollet dhe balancat janë dobësuar, por nuk janë dëmtuar përgjithmonë. Ka pasur tendosje gjatë viteve të fundit, jo vetëm gjatë javëve të fundit, edhe nga faktorë afatgjatë, si bllokimi i Kongresit dhe rritja e kompetencave presidenciale” thotë Sarah Repucci, nënkryetare për kërkime dhe analiza në organizatën Freedom House në Uashington, e cila e merr pjesën më të madhe të fondeve nga Qeveria amerikane.

“Në të njëjtën kohë, kemi akoma kontrolle shumë të fuqishme të pushtetit ekzekutiv nga gjykatat. Gjithashtu shohim thirrje kundër idesë së përmbysjes së rezultatit zgjedhor nga shumë republikanë të zgjedhur në Kongres”, thotë Repucci për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, “grindjet aktuale politike dhe mosmarrëveshjet e zgjatura elektorale janë shumë të dëmshme për besueshmërinë e SHBA-së, si një fener i demokracisë për botën”.

Kjo do ta bëjë politikën e jashtme amerikane më të vështirë jashtë vendit, ku promovimi i demokracisë është themel i saj. “Do të ketë një efekt të tmerrshëm në reputacionin e amerikanëve në botë”, thotë Whitington për Radion Evropa e Lirë. “Do ta kemi shumë të vështirë të rikthejmë një pjesë të kredibilitetit që kemi pasur”, shton ai.

Sipas tij, kjo “e bën shumë të vështirë për të pasur një pozicion udhëheqës në bisedat për zgjedhjet në vende si Rusia, por edhe në shtetet demokratike si Gjermania”.

Mund ta dëmtojnë besueshmërinë edhe te vendet e tjera evropiane, që “mund të mendojnë se po bëjnë punë më të mirë se ne” dhe se “nuk kanë nevojë t’i dëgjojnë këshillat e Amerikës për këto çështje”, thotë Whitington. “Është vështirë të këmbëngulësh që vendet të marrin masa që ti vetë nuk i ndërmerr”, thekson ai.

Për admiruesit e demokracisë amerikane, tranzicioni paqësor i pushtetit - nga një administratë në tjetrën, pavarësisht nga përkatësia partiake, pavarësisht nga koha e paqes ose koha e luftës - është një shenjë dalluese e sistemit amerikan.

Por, edhe kjo është vënë në pikëpyetje, jo vetëm me refuzimin e Trumpit për të njohur vlerësimin e Kolegjit Zgjedhor, por edhe me frikën se ai mund t’i përdorë kompetencat e tij kushtetuese si komandant i përgjithshëm i SHBA-së, për të urdhëruar ushtrinë që të ndërhyjë.

Më 3 janar, dhjetë ish-sekretarë amerikanë të Mbrojtjes, republikanë dhe demokratë, kanë botuar një letër të hapur, duke paralajmëruar për këtë rrezik.

 “Koja për t’i vënë në dyshim rezultatet, ka kaluar. Koha për numërimin formal të votave të Kolegjit Zgjedhor, siç përshkruhet në Kushtetutë, ka ardhur”, kanë thënë ata.

Kjo ka tërhequr vëmendje edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.

"A duhet të jemi të sigurt për demokracinë e SHBA-së kur dhjetë ish-sekretarë të Mbrojtjes paralajmërojnë kundër përdorimit të ushtrisë për kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve, apo të tmerrohemi që ata besojnë se marrja e një qëndrimi publik është bërë e nevojshme”, ka shkruar në Twitter Jean-Marie Guehenno, ish-diplomat francez dhe ish-president i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Repucci, nga Freedom House, thotë se Shtetet e Bashkuara mbeten një demokraci e fortë dhe se institucionet demokratike, në përgjithësi, kanë funksionuar në mënyrë të admirueshme gjatë këtij cikli zgjedhor. “Është thelbësore për demokracinë tonë që vullneti i votuesve amerikanë të respektohet dhe që rezultati i zgjedhjeve të përcaktohet nga vota”, thotë Repucci. /Marrë nga REL

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda