Dhe politika tha: Të bëhet autoveting

Dhe politika tha: Të bëhet autoveting

Kryemadhi dhe Basha

Vendi ishte vidh të vjedhim. Secili sipas sërës e sipas takatit. Sa më lart të ishe, aq më e madhe prokopia që lumi i korrupsionit ta nxirrte në breg.

Të bëhet veting për politikanët, tha opozita. Le të bëhet veting për politikanët dhe për familjarë e tyre, u përgjigj aty për aty maxhoranca

S’qe parë e as dëgjuar ndonjëherë që elefantët e politikës të binin në një mendje tak-fak dhe, mbi të gjitha, pa çak e pa bam.

Doemos që ngazëllimi qe i madh. Aq i madh sa të kujtonte drithërimën që ngjallte dikur kënga ‘Me gëzim po shkoj në punë

2. Të bësh veting, në popullorçe i thonë: të kalosh në sitë. Medemek dy partitë e mëdha kërkonin që lidershipi i tyre dhe të tjerë të sitiseshin.

Sita e vetingut do ndante krundet nga mielli, të lidhurit me krimin dhe ata që nuk justifikonin dot pasuritë do mbeteshin sipër e do përjashtoheshin nga mexhliset e parisë.

Problemi ishte se politika kishte tej mase shumë krunde dhe, sa më lart të ngjiteshe aq më të shumta e më buçkane ishin. Mbeteshin jo vetëm në sitën e miellit, por edhe në shoshën e rërës.

Këtu njerëzia filloi të dyshonte: pse po ia heqin vetes kolektivisht duke qenë mirë e tumirë, me poste e ofiqe, me pasuri e katandi, me vetura, shoferë e tufa servilësh

Pastaj erdhi dyshimi kryesor: mirë vetingu që do bëhet, po kush do ta bëjë?Nga do vijnë ata burra e ato gra që do peshojnë parinë e politikës e do gjejnë ç’kanë prokopsur me djersë e ç’kanë mbledhur e vjedhur me fshesën e ofiqeve?

Në këtë pikë miletit iu kujtua historia e minjve. Maçoku po bënte kërdinë. E vranë mendjen të gjorët minj dhe gjetën një zgjidhje: t’i vinin këmborë rrezikziut. Kur t’u qasej do e dëgjonin e s’do të ziheshin apasëz. Gjetje e madhe, erdhi shpëtimi! Por si u hodhën një copë herë nga gëzimi, njeri pyeti: mirë këmbora, po kush do qaset te goja e maçokut që t’ia varë në qafë?

3. Përrallat me veting mund të tirren hollë e të vazhdojnë gjatë. Por përvoja e deritanishme e vetingut në drejtësi dëshmon se ka një rrugë të thjeshtë që mund të funksionojë shpejt dhe me rezultat edhe për politikanët e korruptuar dhe të tjerë të këtij kallëpi.

Më shkoqur. Eshtë mbreslenës numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar dot sitën e vetingut. Shumica e tyre janë ndëshkuar se nuk justifikojnë dot pasuritë që kanë deklaruar gjatë vitesh në ILDKPKI. Këto të dhëna kanë qenë prej kohësh në sirtarët e këtij institucioni. Duket qartë se ILDKPKI nuk ka arritur dot të kryejë funksionet për të cilat është ngritur.

Në këto rrethana mjafton të bëhet një diagnostikim i thelluar rreth pyetjeve: pse ILDKPKI nuk i ka kapur këto që po kapin organet e vetingut, ç’e ka penguar dhe, sidomos, ç’ndryshime ligjore dhe institucionale duhen bërë që ky institucion të forcohet e të veprojë kundër gjithë atyre që nuk e justifikojnë dot pasurinë, politikanë a nëpunës të lartë qofshin. Në mos veproftë si sitë, të paktën si kërsërë, apo qoftë edhe si shoshë do funksionojë. Gjithsesi puna do i ketë duk dhe qar e kemi: ca krunde më pak në elitat drejtuese.

Me shpresë krijimi i SPAK-ut dhe i organeve të tjera, që synon reforma në drejtësi, do ta intesifikojë pastrimin e politikës. Po deri atëhere mund të fuqizohen e të funksionojnë siç duhet institucionet ekzistuese.

Propaganda që flet për veting pas vetingu, vetingje që do të përfshijnë atë e këtë plus këtë e atë, po kthehet në përrallë që bën të nënqeshin edhe kalamajtë.

Ndodh kështu për një arsye të thjeshtë: të ndërmarrësh turlilloj vetingjesh që po “propozohen”, i bie që gjithë shoqërinë, duke nisur nga institucionet më të larta e duke sosur tek mejhanet, ta shndërrosh në gjykatë. Diçka e ngjajshme me Gërrmërrin Shekullor të Kadaresë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri

Meta nga burgu: Arsimi pa fonde shtesë, papërgjegjshmëri