Dhoma Amerikane e Tregtisë ka kryer një anketë mbi anëtarët e saj për të parë se sa ka ndikuar COVID-19, në aktivitetin e tyre ekonomik, dhe nëse ka pasur pushime nga puna. Dhoma amerikane përfaqëson 224 kompani me një total prej 38,000 të punësuarish, nga të cilët 175 morën pjesë në anketim dhe raportuan 464 pushime nga puna.
Sipas të dhënave janë rreth 30 kompani amerikane që kanë shkurtuar stafin gjatë periudhës Mars – Prill, ndërkohë një shumicë e madhe 83% po i mban të gjithë punonjësit. Ndërkohë ndikimi më i madh negativ është shënuar në sektorin e turizmit, ndërtimit, shërbimeve dhe transportit.
Po ashtu nëse situata vijon të jetë negative 17% e kompanive që morën pjesë në anketim deklaruan se po planifikojnë gjithsej 666 pushime nga puna në 2 muajt e ardhshëm, nëse situata nuk përmirësohet. Sipas Dhomës Amerikane nëse shkurtimet vazhdojnë humbjet do të jenë shumë të mëdha, por deri më tani asnjë nga kompanitë nuk raportoi plane të menjëhershme për të deklaruar falimentim.