Dhoma amerikane e tregtisë
feston 15 vjetorin e krijimit 

Dhoma amerikane e tregtisë<br />feston 15 vjetorin e krijimit 
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka festuar 15 vjetorin e krijimit të saj në Shqipëri. Në këtë ceremoni, Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj ka vlerësuar rolin Dhomës Amerikane në vendin tonë, siidomos kontributin për çështjet tregtare. Ahmetaj u shpreh se përgjatë këtyre viteve Shqipëria ka bashkëpunuar ngushtë me dhomën amerikane.

Ambasadori amerikan Donald Lu ka përgëzuar Dhomën amerikane për 15 vjetorin. “Ju përgëzoj nga zemra për ditëlindjen dhe nga ana ime nuk do të flas nga ana politike, por do të them cdo të thotë të jesh 15-vjecar dhe unë e di që adoleshentët përballen me sfida të ndryeshme që ju presin përpara” u shpreh ambasadori amerikan.

Dhoma amerikane e tregtisë ka ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 2000.

Në këtë cermoni merrnin pjesë përfaqesues të biznesit, përfaqesues të politikes, zv/kryeministri Niko Peleshi, Guvernatori i Bankes se Shqiperise, Gent Sejko etj. Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, në 15-vjetorin e saj në Shqipëri ka sjellë një shembull personal përsa i përket TVSH dhe kuponit tatimor. Crawford tha se sot mori një kupon tatimor për printimin e fjalimit të tij.

Fjala e plote e ministrit
Është kënaqësi për mua qe kam nderin dhe rastin që për 15 vjetorin e krijimit të kësaj Dhome të nderuar të ndaj me ju momente të rëndësishme të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri.

Së pari dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për misionin dhe rolin e rëndësishëm që AmCham tregoi për Shqipërinë në këto 15 vite si pjesë e rrjetit të Dhomave Amerikane që funksionojnë në 180 vende të botës, duke qenë një zë dinjitoz i sipërmarrjes pranë qeverisë, për mbrojtjen e interesave të biznesit dhe njëkohësisht si një partner aktiv i qeverisë në sugjerimet dhe idetë e vlefshme për përmirësimin e reformave, në kuadër të klimës së biznesit dhe më gjerë. Jo gjithmonë ato që thotë AmCham na pëlqejnë, por gjithmonë ato janë sugjerime, rekomandime dhe analiza tejet të rëndësishme.

Në radhët e AmCham renditen 230 emra kompanish të rëndësishme e serioze që kanë investuar kapitalin e tyre në Shqipëri përgjatë 15 viteve, duke i dhënë një hov të ri zhvillimit ekonomik të vendit dhe në këtë moment gjej rastin të falënderoj të 230 kompanitë që e kanë marrë riskun, iniciativën dhe janë kontributorë të drejtpërdrejtë të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Dëshiroj t’i përmend disa prej tyre, sepse mbi të gjitha kanë krijuar vende pune dhe zhvillim ekonomik: Banka Intesa San Paolo, Unioni Financiar, Birra Korça, KPMG, Deloitte, për të përmendur vetëm disa nga emrat që e kanë themeluar Dhomanë Amerikanë të Tregtisë, këtë iniciativë e cila sot pas 15 vitesh rezulton shumë e sukseshshme. Po kështu, Dhoma Amerikanë ka sjellë në Shqipëri praktika inovative pune dhe bashkëpunimi ndërmjet formateve të veçantë në aktivitete të saj si forume biznesi apo panaire të punës, të cilat janë formate mjaft popullore sot në Shqipëri dhe të kopjuara me suksese nga shoqata apo dhoma të tjera tregtie apo biznesi.

Thënë këto dua të ndalem shkurtimisht te klima e biznesit në Shqipëri.
Në 6 mujorin e parë të vitit 2015 rritja ekonomike rikonfirmoi trendin e saj të qëndrueshëm në kufijtë e projeksioneve tona, tremujori i parë 2.8 % dhe tremujorit i dytë 2.53 %, që do të thotë se rritja ekonomike këtë vit i ka të gjitha mundësitë që të shkojë mbi 2.7 për qind dhe të jetë një nga rritjet më të larta të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Investimet e huaja direkte në tremujorin e parë ishte 258 milionë euro duke shënuar rritjen më të lartë për te njejten periudhë, krahasuar me të gjithë vitet e kaluara. Këtu gjej rastin të përmend, midis të tjerave, dy nga iniciativat amerikane, që është institucioni financiar Transit që me sukses kreu transaksionin e blerjes së Credit Agricole dhe kompania tjetër në sektorin e naftës, TransAtlantik, dy sipërmarrje shumë serioze amerikane që tregojnë jo vetëm interesin që kompanitë amerikanë kanë për Shqipërinë, por dhe interesin e Dhomës Amerikane në promovimin e vendit si destinacion për investime.
Ne kemi krijuar dhe ndërmarrë me vendosmëri një axhendë ambicioze reformash, reforma strukturore dhe do të dua t’i përmend sepse janë tejet të rëndësishme, megjithëse shumë të vështira.

Është stabiliteti makroekonomik që është një betejë e përditshme jo vetëm për të ruajtur ekuilibirin, por për të funksionuar nëpërmjet atij bilanci të shtetit në funksion të zhvillimit ekonomik dhe jo thjesht të atyre numrave që paraqiten në tabela fiskale.

Reforma në energjetikë, jo thjesht legjislative sepse me sukses po kalojmë në Parlament paketën e reformave të paketës së dytë të energjisë, por ajo që bëmë me OSHEE ishte dhe është një shembull që ne mund të kthejmë shtetin ligjor edhe në ekonomi. Me kënaqësi e ndjej dhe them që kjo qeveri ka marrë emrin qeveria e shtetit ligjor.

E treta është po kaq e vështirë nga ana politike, por edhe një sfidë nga ana e menaxhimit, që është reforma e territorit. Nga 363 njësi vendore sot kemi 61 njësi vendore. Nuk është një reformë numrash, është një reformë në filozofi dhe në finale është në funksion të mirëadministrimit dhe të zhvillimit ekonomik.

Më 1 shtator filluam operacionin e informalitetit dhe këtu dua të ndalem sepse besoj që ka nevojë për disa sqarime edhe në këtë ambient të nderuar. Beteja kundër informalitetit nuk lindi si dëshirë e qeverisë për një ditë. Është kjo Dhomë e nderuar, ky President i nderuar, këta anëtarë dhe gjithë Dhomat e Tregtisë e sipërmarrja që ka këmbëngulur në të gjithë tryezat tona te diskutimit, qe informaliteti është gangrena e parë kryesore e ekonomisë së vendit, por edhe e shtetit ligjor. E filluam. Muaji shtator është një sukses i drejtpërdrejtë me shifra dhe në filozofi. Janë regjistruar mbi 26 mijë biznese të reja dhe vetëm për biznesin e vogël është rritur qarkullimi me mbi 60 për qind. Dua të sqaroj një element që mund të dëmtojë në perceptim të operacionit. Shumë kush mund të thotë që ne jemi fokusuar të biznesi i vogël. Absolutisht jo. Ne jemi fokusuar tek zinxhiri i transaksioneve për të sjellë transparencë të plotë, nga i madhi, tek i vogli. Do t’ju sjell një shifër interesante për të rrëzuar me fakt atë që mund të jetë percpetim i gabuar. Te biznesi i vogël janë bërë 75 mijë vizita fiskale dhe kush mund të flasë për gjoba të më sjellë një shifër që tregon raportin se sa e vogël është gjoba në raport me ato gjetje, me ato korrektime dhe me ato lista fiskale. Vetëm 157 milionë lekë gjoba. Pra, dua të sqaroj dhe një përgjigje që ka shprehur nëpërmjet Markut,  Dhoma Amerikane se ne jemi fokusuar tek transparenca e zinxhirit të transkaksioneve ekonomike.

Fokusin e kemi te sipërmarrja, te biznesi i madh dhe në të njëjtën kohë jemi shumë të ndërgjegjshëm që nuk do të duhet të shkojmë të vendosim gjoba por do të duhet të bëjmë vizita fiskale për korrektim dhe dua të ndaj me ju një fakt domethënës sesi qeveria eshte treguar e kujdesshme ndaj bizesit, duke bërë një ndryshim në ligjin e procedurave tatimore, ndryshim që i jep mundësinë të drejtpërdrejtë sipërmarrjes të vetëkorrigjohet pa penalitet deri në 31 dhjetor 2015. Pra, sipërmarrja ka tre muaj kohë të vetëkorigjohet, e madhe, e mesme apo e vogël, të vetëkorrigjohet, të vetëdeklarojë pa penalitete në mënyrë që të mos pësojë asnjë ngërç në zhvillimin e vet të biznesit, por gjithashtu dhe qeveria në ndjeshmërinë e saj përmirëson marrëdhënien me sipërmarrjen, duke i dhënë të drejtën ligjore, duke mos e kapur në suprizë por duke i dhënë të drejtën ligjore që në tre muaj të korigjojë veten e vet.

Në të njëjtën kohë kemi ashpërsuar masat ndaj tatimorëve duke e vendosur në ligj shkeljen nga administratori fiskal, pra I administratës shtetërore, si veprime të rënda penale dhe sigurisht ekonomike.
Është sfidë e veçantë përmirësimi i klimës së biznesit. Duhet të kemi një dialog të vazhdueshëm me të gjitha qeveritë besoj për të përmirësuar klimën e biznesit sepse përmirësimi i klimës së biznesit nuk është një betejë një ditore. Rregullojmë një gjë, del një gjë tjetër. Rregullojmë një gjë, biznesi ka natyrshëm në legjitimitet të vet kërkesa të tjera. Thënë kjo ne kemi një rekord të shkëlqyer me Dhomën Amerikane në dialogim të problematikave dhe të zgjidhjeve. Pra, është një Dhomë Biznesi e cila nuk vjen me ankesa vetëm përveç atyre që Marku ndonjëherë i thotë me shumë peshë, por vjen me zgjidhje dhe shumë zgjidhje nga tuajat ne i kemi përfshirë drejtpsërsëdrejti në legjislacion dhe gjej rastin t’ju falënderoj.

Së fundi, dua t’ju them se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizimit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka një rekord pozitiv me dialogimin me të gjitha Dhomat. Përfaqësues nga ju janë në Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe në Këshillin e Investimeve, në dy platforma shumë të mira, shumë intensive për të dialoguar për problematikat e biznesit.
Shumë shpejt ne do të fillojmë një reformë tejet të rëndësishme, e cila është reforma e reformave, reforma në drejtësi që është sfidë më vete. Dhe aty, ashtu si tek informaliteti ne kemi nevojë për mbështetjen tuaj sepse është një sfidë e drejtpërdrejtë e një qeverie për të bërë atë për të cilën është votuar, midis të tjerash kuptohet, për të rregulluar sistemin e drejtësisë.
Unë ju falënderoj të gjithëve. Falendëroj Markun për kontributin. Falënderoj Ambasadorin për marrëdhënien fantastike që ka mbështetur mes nesh dhe Dhomës, dhe sigurisht qeverisë amerikane.

Personalisht si ministër i Ekonomisë apo si anëtar qeverie do të vazhdoj të jem në dispozicionin tuaj për të dialoguar dhe për të çuar fjalën tuaj në tryezën e qeverisë.

Faleminderit dhe gëzuar 15-Vjetorin.

Redaksia online
(s,m/shqiptarja.com)
 

 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Nadal mundet në finale e Swedish Open

Nadal mundet në finale e Swedish Open