Deputeti i PS, Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqjen pas dhunës së Fisit Rraja për guroren. Në një njoftim publik thotë se ndihet i turpëruar nga fëmija i tij, të cilit i bën thirrje që të dorëzohet para drejtësisë. Rraja i kërkon ndjesë të gjithë kolegëve të grupit parlamentar dhe votuesve që e emëruan kryetar komune dhe i dhanë 2 mandate si deputet.

Me një kërkim ndjese për viktimat e dhunës, i uron vetes forcë që të përballojë dhimbjen për të shlyer turpin që i biri i la mbi shpatulla. Një ndjesë publike bëri edhe për kreun e qeverisë, për të cilin thotë se s’kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktoi.

"Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve te grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova", njoftoi deputeti i PS. 

Deklarata e Rrahman Rrajës është shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit të Taulant Ballës, kreut të grupit parlamentar socialist.

Por deputeti Rrahman Rraja, dha dorëheqje të vonuar, 2 ditë pasi kushërinjtë Biblil e Jashar Maja u dhunuan barbarisht nga anëtarët e fisit të tij. E kjo ndodhi, vetëm pasi policia shpalli në kërkim djalin e tij, Rrexhep Rraja, një veprim edhe ky i vonuar, që doli në dritë vetëm pasi Report Tv identifikoi në grupin e tmerrshëm se njëri në mesin e tyre, ishte djali i deputetit socialist të Krujës, që policia nuk e kishte në listën e të dyshuarve, deri kur e shpalli zyrtarisht person në kërkim disa orë pas transmetimit të kronikës në Report Tv.

Kjo nuk është hera e parë që djali 29-vjeçar i deputetit ka probleme me drejtësinë, por në rastin e parë, Rrahman Rraja nuk dha dorëheqje por u rizgjodh sërish deputet në zgjedhjet e 2021-shit.

Rexhep Rrahja u bë i njohur për publikun në rastin e Xhisiela Malokut e cila më 21 korrik 2018 denoncoi ish-të dashurin për dhunë e përndjekje, por pa e çuar deri në fund çështjen, duke qenë se tërhiqej nga deklarimet. Ishte ish oficeri i Policisë Emiljano Nuhu ai denoncoi në media se  25-vjeçarja kërcënohej nga ish-i dashuri dhe të afërmit e tij për të mbyllur denoncimin. Rexhep Rraja u arrestua në 30 shtator të 2018-ës, dhe u ndëshua vetëm me një vit shërbim prove.  Publikisht pas denoncimeve në komisariatin numër tre dhe atë të Fushë Krujës, Xhisiela Maloku në media ndryshoi qëndrim duke thënë se problemet me Rexhepin do t'i zgjidhte vetë dhe gjithçka e kishte bërë nga xhelozia se Rexhepi e kishte lënë për një vajzë tjetër.  Kurse oficeri u arratis.

Deri tani ka shkuar në 8 numri i personave të shoqëruar (4 të arrestuar) dhe ndaluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 6 korrik 2023, në një lokal në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, si dhe shkon në 6 numri i shtetasve të shpallur në kërkim. Edhe Policia e Shtetit i bëri thirrje shtetasve Xhelal Rraja dhe Rexhep Rraja, vëllait dhe djalit të deputetit si organizatorë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale për tu dorëzuar sa më parë në Policinë e Shtetit së bashku me personat e tjerë të shpallur në kërkim pasi çdo orë që kalon rëndon akoma më shumë pozitën e tyre penale.

Dhuna për guroren
Anëtarë të fisit Rraja dhunuan në mënyrë brutale dy kushërinjtë Bilbil dhe Jashar Maja, të cilët ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në gurore, po u shkatërronin banesat e tyre por dhe të zonës përreth. Mesditën e 6 korrikut 2023, ata ishin në lokal me inxhinierin e gurores për ti kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i dhunuesve mësyu lokalin dhe ata bien pre e një dhunë barbare.

Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:38
Rraja la mandatin, kush është deputeti që do të zërë karrigen e tij në Kuvend

1688823531_arkendballa.jpg

Pas lënies së mandatit të Rrahman Rajës si deputet i PS, karrigen e tij do e zërë Arkend Balla.

Ai do të ulet në radhët e socialistëve në Kuvendin e Shqipërisë pasi Rraja zgjodhi të linte mandatin e deputetit pas ngjarjes së rëndë ndodhur në Krujë, kur vëllezërit dhe djali i tij, së bashku me anëtarë të tjerë të fisit, dhunuan barbarisht dy persona.