Ish-deputeti dhe kreu i partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ishte i ftuar ditën e sotme në “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv.

Për kaosin dhe dhunën që deputetët e Partisë Demokratike shkaktuan sot në Kuvend, Shehi tha se partia opozitare më e madhe në vend po ndjek një strategji të gabuar protestimi kundër qeverisë, pasi një metodë e tillë është realizuar dhe më herët por nuk i ka afruar aspak drejt rrëzimit nga pushtetit të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisjes së vendit.

‘Unë gjykoj që ajo zhurmë që kanë bërë sot kolegët opozitarë nuk është e domosdoshme dhe as e nevojshme. Është një skenë e përsëritur që nuk bën as efektin dramatik që duhet të bëjë. Herët e tjetra e kemi bërë nja 20 herë, kështu që nuk ua sugjeroj. Opozita duhet të dalë dhe të protestojë kundër kësaj që po ndodh, sepse në fakt kjo që po ndodh nuk ndodh në të gjithë botën. U shpall në kërkim zëvendëskryeministri, pastaj u kërkua arresti i një tjetë zëvendëskryeministri, tani kjo e AKSHI-t. Opozita shqiptare duhet të organizohet në 360 gradë”,- tha Shehi.

Por, kreu i LZHK-së thotë se opozita shqipatare duhet t’i investojë më së shumti përpjekjet e saj për ndryshimin e ligjit elektoral, që sipas Shehit favorizon fillimisht partinë në pushtet, por edhe partinë opozitare më të madhe në vend, duke zhvlerësuar votueshmërinë e partive të reja e të vogla.

Shehi solli rastin e partisë “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, e cila në zgjedhjet parlamentare të 11 majit u votua nga afro 70 mijë qytetarë, por për shkak të ligjit elektoral, sot në parlament ka vetëm një 1 deputet.

“Me këtë ligj nuk shkohet në zgjedhje. Thonë na vodhën, e vërtetë është, por problemi kryesor është ligji elektoral”,- tha Shehi.