Dy kompanitë private si sigurisë, punonjësit e të cilave dhunuan protestuesit në Zvërnec të shtunën nuk do ta ushtrojnë më aktivitetin e tyre. Policia e Shtetit njofton zyrtarisht se u ka hequr të dyja shoqërive licencat për shkelje të rënda.
“Rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje. Për këto shkelje mora vendim për heqjen e licencave të të dyja subjekteve ShPSF”, tha Hita.
Më konkretisht “Major Security”, rojet private të cilës tërhoqën vëmendje për shkak të maskave dhe përdorimit të sprajit piper, i është hequr licenca për shkak të dhunës së ushtruar nga punonjësi i saj i licencuar, apo ndryshe pronari në hije i saj, tashmë i arrestuar, Gerald Biba, i cili goditi me grusht një protestues.
Kompania “Major Security” rezulton e regjistruar në pronësi të vjehrrës së tij, Shpresa Myzyri. Ajo është themeluar në nëntor 2016 në Durrës, dhe nga ky muaj e deri në nëntor 2021, emri i Gerald Bibës figuron vetëm si administrator.
Pas veprimit arbitrar të Bibës që qëllon me grusht, 2 punonjës të tjerë të kompanisë, në hetim në gjendje të lirë, tërhoqën zvarrë protestuesin, për të krijuar një prej pamjeve më skandaloze ndonjëherë në raste protestash, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme trupore.
Hetimi i Policisë së Shtetit zbuloi se të dy këta punonjës që paraqiteshin si të “Major Security”, në fakt rezultuan të paregjistruar dhe të palicencuar nga vetë kompania.
Veprimet e paprecedenta të Gerald Bibës dhe 2 të tjerëve, i kushtuan shumë rëndë edhe kompanisë tjetër të ruajtjes fizike, “Myrto Security 1.3A”. Nga verifikimi paraprak rezultoi se kjo kompani nuk zbatoi rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes së personave dhe mjeteve në objektin e rrethuar me tela me gjemba, dhe se nuk e administronte një listë emrash që lejoheshin brenda.
Ata lejuan hyrjen e 2 punonjësve që të kompanisë “Major” duke qenë të paregjistruar dhe pa licencuar. Po ashtu, rojet e kompanisë “Myrto Security”, nuk ndërhynë në asnjë moment kur protestuesi dhunohej nga Biba dhe tërhiqej zvarrë nga 2 persona të tjerë, që ishte në kantier të paligjshëm, përfshirë edhe hedhjen e gurëve ndaj protestuesve.
Drejtori i policisë Hita tha ndaj të dyja kompanive po zhvillohet paralelisht hetim administrativ dhe penal, ndërkohë që iu rikthye edhe një herë situatës në policinë e Vlorë, ku tashmë është komanduar Edvin Ndreu, pasi u njoftua përfundimisht shkarkimi i Elidon Çelës.
“Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u shkarkua dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj, në Zvërnec, por mbi të gjitha për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht, për një qytetar që u mor me forcë dhe u godit nga rojet e sigurisë private në kantier. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka nevojë të nxjerrë mësimet e duhura”, tha Hita.
Edvin Ndreu është komanduar sot në detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës, pas ndryshimeve të fundit në strukturat drejtuese dhe largimit të Elidon Çelës. Ky i fundit u shkarkua nga detyra pas ngjarjes të dhunshme në Zvërnec, ku gjatë protestave kundër ndërtimit të një resorti u regjistruan akte dhune dhe përdorim i lëndës spray ndaj protestuesve nga rojet private të kantierit.
"Ai do të ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave në Vlorë, në funksion të shërbimit të qytetarëve dhe zbatimit të ligjit. Drejtori u shkarkua 2 ditë më parë për shkak të dështimit të menaxhimit të tubimit, por edhe për informacionin e pavërtetë për një qyet që u mor forcërisht dhe u godit nga rojet private të kompanisë së sigurisë” tha Skënder Hita duke prezantuar emërimin e Ndreut
Ndreu, i cili më herët mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Tiranë, do të drejtojë përkohësisht Policinë e Vlorës deri në një vendimmarrje të mëtejshme.
Kryepolici Skënder Hita vizitën në Vlorë e ka nisur këtë të hënë në Prokurori. Hita po zhvillon në prokurori një takim me përfaqësues të saj.
Mendohet se arsyeja e vizitës së Hitës në Prokurorinë e Vlorës lidhet me ngjarjet zinxhir të zhvilluara ditët e fundit në zonën e Dalanit në Zvërnec. Pas prokurorisë, ai ka zhvilluar takime edhe në Drejtorinë Vendore të Policisë së Vlorës, ku vendosi pezulimin e drejtorit dhe hetimin e gjithë zinxhirit.

Punonjësi privat i “Major Security” Gerald Biba është arrestuar nga policia pasi dhunoi e tërhoqi zvarrë, së bashku me 2 punonjës të tjerë (të cilët rezultuan të palicensuar), një protestues, i cili ngriti zërin kundër ndërtimit të një resorti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Gerald Biba rezulton të jetë pronari në hije i “Major Security”, ndërsa kompania është e regjistruar në pronësi të vjehrrës së tij, Shpresa Myzyri. Kompania e sigurimit privat “Major Security” është themeluar në nëntor 2016 në Durrës. Nga ky muaj e deri në nëntor 2021, emri i Gerlad Bibës figuron vetëm si administrator.
“Major Security” i ka ofruar shërbime personazheve vip të shoëbizit shqiptar, përfshirë këtu edhe reperit Noizy.

Gjykata e Vlorës ka lënë në burg punonjësin privat i “Major Security”, njëkohësisht pronari në hije i kësaj kompanie.
Seanca u drejtua nga gjyqtari Etien Isak, ndërsa prokurore e çështjes ishte Julinda Gjika. Pasi u dëgjuan palët dhe prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, gjykata vendosi të lërë në fuqi kërkesën e prokurorisë, duke caktuar ndaj të ndaluarit masën “arrest në burg”.
Biba u arrestua nga policia pasi dhunoi e tërhoqi zvarrë, së bashku me 2 punonjës të tjerë (të cilët rezultuan të palicensuar), një protestues, i cili ngriti zërin kundër ndërtimit të një resorti në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, më 30 maj.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











Protestat per unazen e re,apo se fundmi ndaj Ulajt ku Rama, Llamallarri dhe Hito labi e tunden e shkunden policine. Mavri me boje
PërgjigjuKjo "Policia Private" eshte tregues i degradimit te funksioneve bazike te nje shteti "normal" kur keto funksione ja kalojme privatit...dhe pritet te ngrihen edhe burgje private...ishalla jo edhe gjykata private
PërgjigjuPersoni qe terheq zvarre punon tek Terminali Pivat ne aeroport. Eshte punonjes i aeroportit.
Përgjigju