Në Shqipëri mesatarisht 13 gra në ditë kërkojnë ndihmë pasi dhunohen në familje. Shifra që tregon një rritje të denoncimeve, e publikuar nga Qendra Aleanca Gjinore, për Bashkimin Evropian është një apel që shteti të jetë pranë kujtdo që ka nevojë për rimëkëmbje.

Kjo sipas ambasadorit Gonzato kërkon që investimet të jenë më të mëdha për strehëzat për viktimat e dhunës në familje.

 “Strehëzat janë shumë më shumë se hapësira emergjente, janë shërbime publike thelbësore që mbrojnë jetë dhe mbështesin rimëkëmbjen. Si përfaqësues i donatorit më të madh këtu në Shqipëri, më duhet të them që financimi i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm për strehëzat duhet të kuptohet si një përgjegjësi thelbësore e shtetit, jo si diçka që duhet të jetë e varur nga projektet e përkohshme apo të ofruara nga donatorët për financime”, tha Silvio Gonzato, ambasadori i BE-së në Shqipëri.

Për deputeten socialiste, Milva Ekonomi, kryetare e komisionit të Ekonomisë në Kuvend, shifrat e parashikuara në buxhet tregojnë vëmendje të shtuar të shtetit për të ndihmuar viktimat e dhunës.

 “Do të shtohet numri i grave të dhunuara që strehohen në qendra me 50 gra të dhunuara duke kaluar me një fond prej 150.9 milion lekësh. Dhe në arsim do të ketë një prioritet sidomos për gratë dhe vajzat që janë në zonat rurale duke marrë arsim falas natyrisht arsimin e arsimin e detyrueshëm dhe duke marrë libra falas për këto për këto vajza dhe gra që janë në arsimin falas. Për nënat dhe për nënat e reja në shëndetësi do të mbështeten me programe më të mira nga institucionet publike dhe për herë të parë do të financohet ndërhyrja kirurgjikale e rikonstruksionit të gjirit nga e cila përfitojnë 350 gra në vit”, tha ajo.

Gjatë aktivitetit për strehëza të sigurta për gratë dhe fëmijët që i mbijetojnë dhunës, Ekonomi, sqaroi se 47 mijë gra kryefamiljare do të përfitojnë nga programet e qeverisë për mbështetje financiare të kategorive në nevoje.

 “Dhe gjithashtu disa gra dhe vajza që janë kryefamiljare të vetme do të përfitojnë nga skemat e kompensimit për rritjen e çmimeve dhe pensionit si dhe për minimumin jetik do e ketë gjithsej të dedikuara për këto 580 milion lekë për 47.400 gra. Për gratë e dhunuara që janë pjesa më e madhe e atyre që përfitojnë nga ndihma ekonomike, rreth 47% të totalit të ndihmohen me këtë ndihmë ekonomike ku përfituesi kryesor është gruaja me një shumë prej 7.3 miliard lekësh 62.000 familje’, tha Ekonomi.

Gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, 2,881 gra kanë raportuar dhunë, ndërsa mbi 3,650 gra kanë kërkuar ndihmë nga Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza.