Qeveritë evropiane druhen se Rusia mund të ketë nxitur dhunën që ka shoqëruar protestat në qytetet kryesore gjatë javëve të fundit. Demonstratat për rritjen e kostove të karburantit, përkeqësimin e shërbimeve publike, gjendjen e shkollave dhe krizën e strehimit janë përhapur në Francë, Itali, Shqipëri, Belgjikë dhe vende të tjera evropiane.
Në shumë protesta janë regjistruar grabitje, akte vandalizmi dhe përplasje të ashpra me policinë, si pasojë e të cilave ka pasur të plagosur.
Më shumë se 500 mijë persona dolën në rrugë gjatë demonstratave në të gjithë Francën më 17 tetor ndërsa në vend janë arrestuar të paktën 2 500 persona.
Autoritetet po hetojnë tani nëse ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimi në internet mund të kenë kontribuar në nxitjen e trazirave.
Në Itali, Giorgia Meloni, ka kërkuar një raport informues për të përcaktuar nëse aktorë të huaj kanë luajtur rol në nxitjen e protestave që shpërthyen gjatë fundjavës në qytetet e Italisë veriore. Këtë ua kanë bërë të ditur Bloomberg-ut persona të njohur me çështjen.
Edhe qeveria franceze u ka kërkuar agjencive të inteligjencës të hetojnë mundësinë e ndërhyrjes së huaj në demonstratat brenda vendit, sipas gazetës Financial Times.
Ekspertë i thanë Financial Times se llogari në rrjetet sociale, pro-ruse dhe të ekstremit të djathtë, të lidhura me fushata të mëparshme dezinformimi, kanë ndihmuar në përhapjen e videove që tregojnë trazirat.
Ekspertë nga instituti “Sciences Po” thonë se «influencuesit pro-Kremlinit», të lidhur me fushatën ruse Storm-1516, kanë «amplifikuar ngjarjet dhe kanë përhapur një sërë narrativash të rreme».
Në Milano, grupe të përbëra kryesisht nga të rinj u përleshën me policinë, thyen xhamat e dyqaneve dhe kryen grabitje gjatë fundjavës.
Të martën, qeveria italiane njoftoi masa më të ashpra ndëshkuese për pjesëmarrësit në trazira. Masat përfshijnë krijimin e një vepre të re penale për pjesëmarrjen e dhunshme në një demonstratë, si dhe përgjegjësinë financiare të prindërve, kur fëmijët e tyre përfshihen në akte vandalizmi dhe grabitje.
Me protesta të tjera të planifikuara në Milano të shtunën, qeveria njoftoi se do të dislokojë 500 ushtarë, të cilët do të veprojnë përkrah policisë në qendër të qytetit deri në fund të vitit 2026.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të enjten se të shtunën në Francë do të lejohen vetëm protestat e sindikatave që kanë marrë autorizimin përkatës.
Në Shqipëri ndërhyrja ruse u pa hapur nga Aleksandër Dugin, i cili në median dhe publicistikën perëndimore njihet edhe si “filozofi i Vladimir Putin” me një influencë të fortë në Kremlin.
Në rrjetin social X ai i cilësoi shqiptarët një popull interesant dhe trim të cilët sipas tij, protestat e fundit po tregojnë se janë zgjuar.








Komente
Komento