Deputeti i Vlorës i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, është shprehur se qeveria e kryeministrit Edi Rama është fajtore për përplasjet e ditëve të fundit në Zvërnec.

Komentet Leskaj i bëri gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, ku ‘shfajësoi’ investitorët që do të ndërtojnë në Zvërnec, teksa tha se përplasja sociale vjen për shkak të atyre që ai i cilësoi si ligje me porosi të miratuara nga mazhoranca socialiste.

Më tej Leskaj dënoi deklaratat e disa mediave apo qarqeve politike greke, sipas të cilave Zvërneci është i banuar nga minoritet grek.

Për Leskajn, përdorimi i një ngjarjeje si dhuna ndaj qytetarëve në Zvërnec, për të mbështetur pretendime politike apo historike të pabazuara, që nuk përputhen me realitetin historik apo demografik të zonës, është diçka e shëmtuar.

“Dënoj me forcë dhunën e ushtuar ndaj protestuesve në Zvërnec. Në një shtet ligjor, nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulme fizike. Dhuna e ushtruar ndaj protestuesve paqësorë, nuk është thjeshtë punë tejkalimi kompetencash nga 2-3 policë privatë, apo një deklaratë e hartuar gabim nga drejtuesit e Policisë Vlorë, por është më e thellë. Është pasojë e drejtpërdrejtë e keqqeverisjes së sektit Rama. Rama është gjeneratori i përplasjes sociale dhe mungesës së transparencës. Reagimet e tij të sotme duken më shumë si përpjekje për të justifikuar veten, sesa për të bërë transparencë.

Rama duhet t’u japë llogari shqiptarëve pse ka gjeneruar ndryshimet ligjore në ligjin për zonat e mbrojtura që sollën edhe përplasjet në Zvërnec. Duhet të përgjigjet për pasojat që këto ndryshime ligjore dhe ligje të tjera të qepura me porosi kanë sjellë në terren. Në përplasjen në 30 maj në Zvërnec, nuk mund të fajësohen kurrësesi banorët. Por nuk mund të fajësohet as investitori, sepse çdo subjekt ekonomik kërkon të zgjerojë aktivitetin e tij, brenda kornizave që i krijon shteti dhe kornizave të ligjshme që ka nënshkruar. Nuk mund të fajësohen as shoqatat mjedisore, që kërkojnë më shumë transparencë.

Fajëtori i vetëm është sektri Rama në pushtet, që ka bërë që shteti të mungojë në transparencë dhe vendimmarrje të qartë. Me valën e arrestimeve dhe pushimeve nga puna në Polici, që këto të dytat janë krejtësisht të paarsyeshme, Rama nuk mund të fshihet si fsheh struci kokën në rërë. Si qytetar i Vlorës, denoncoj në këtë foltore të shenjtë qëndrimin e qarqeve politike e mediatike greke, sipas të cilave Zvërneci është i banuar nga minoritarët me kombësi greke. Është shumë e shëmtuar përdorimi i një ngjarjeje të veçantë si dhuna në Zvërnec, për të mbështetur pretendime politike apo historike të pabazuara, që nuk përputhen me realitetin historik apo demografik të zonës”, tha mes të tjerash Leskaj.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Berisha mbron investimin në Zvërnec pas 2 ditësh heshtje: Më seriozi në Shqipëri 13 vitet e fundit! Balla: Do të realizohet, komshiu e ka zili komshiun