Është liruar pas disa orësh 43-vjecari Qazim Muda, i dyshuar si një nga autorët e dhunimit të administratorit të njësisë Tomin, Nuri Meda.

Sipas policisë lirimi i tij është bërë pasi administratori i dhunuar nuk e ka kallëzuar Qazim Mudën për dhunë ndaj tij. Burime nga policia bëjnë me dije se Nuri Meda ka denoncuar për dhunë vetëm 34-vjecarin Dritan Selishta.

Selishta vijon të jetë ende në kërkim nga policia, pasi ende nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.

Nuri Meda pretendon se është dhunuar nga një eksponent i Partisë Demokratike,  në një intervistë për Report Tv ka thënë se personi që e ka dhunuar është Dritan Selishta, ku me doreza hekuri e ka qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit, ndërkohë që i ka kafshuar edhe gishtin.

Ja komunikata e policisë Dibër në mëngjes

Më datë 09.09.2016 u arrestua në flagrancë shtetasi Qazim Muda, vjeç 43, banues në fshatin Pilafe, dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër e punohet për kapjen e shtetasit D.S, vjeç 34, banues në fshatin Brezhdan, pasi dyshohet se më datë 08.09.2016, në fshatin Pilafe, për shkak të detyrës, kanë goditur me grushta e shkelma shtetasin N.M, vjeç 58, administrator i Njësisë Administrative Tomin. Neni 237 i Kodit Penal.

Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com