71-vjeçari Pal Seçuni, personit të cilit iu vendos epiteti i “kositësit të barit” në Parlament, ka hedhur poshtë akuzat se ka përfituar në mënyrë abuzive një sipërfaqe tokë brenda territorit që i ishte dhënë biznesmenit të dhunuar libanezo-amerikan për ndërtimin e një resorti në Gjirin e Lalzit.
 
Seçuni deklaron se pronën e ka të trashëguar nga të parët dhe se nuk ka asnjë lidhje me libanezin dhe pronën e tij ku do të ndërtohej resorti.
 
Emri i të moshuarit doli pas dhunimit të biznesmenit libanez Fadi Mitri, president i firmës që do të ndërtonte një resort turistik në Gjirin e Lalzit.
 
Ai deklaron se nuk e njeh dhe nuk e ka takuar ndonjëherë biznesmenin nga Libani.
 
71-vjeçari deklaron se e kanë etiketuar aksidentalisht si “kositësi” në Kuvend, pasi nuk ka asnjë lidhje.
 
"Kanë folur atje në parlament që ja ka dhënë një kostari pronën, nuk jam kostari, jam pronari i tokës",
thotë ai.
 
Pal Seçuni pretendon se 45 mijë metra tokë që ai ka në pronësi janë jashtë rrethimit të zonës ku do të kryhej investimi dhe se pronën e ka të trashëguar. 71-vjeçari deklaron se të dyja pronat i ndan një rrugë e pa asfaltuar.

"E vërteta qëndron që unë nuk jam në tokë të huaj, jam në tokën e babit tim, pronë e vjetër që në 37-ën. Asnjë centimetër brenda territori të atij, po ku ka gardhin ai e këtej. Unë se kam rrethuar fare, shkoni shikoni. Ne si familje kemi 45 mijë metër katror, unë jam vetë i gjashti pjesëtar", është shprehur Seçuni.
 
Për pronësinë e kësaj toke kanë nisur hetimet penale dhe administrative. Ministria e Drejtësisë kërkon të dijë se si u dha vendimi për këtë truall, ndërkohë që prokuroria dyshon se janë falsifikuar dokumentet. Seçuni nga ana e tij pretendon se dosja e tij është e pastër dhe se pronën e ka të trashëguar.

Redaksia Online
d.b-l.q/Shqiptarja.com