Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve në protestën e zhvilluar dje në Zvërnec ku një grup rojesh private të ‘Major Security’ tërhoqën zvarrë një qytetar, i cili ishte pa ndjenja pasi u qëllua me grusht.

Reagimi i Berishës vjen dy ditë pas protestës së zhvilluar në Zvërnes ku qytetarët u përballën me dhunën e një grupi rojesh private të maskuar, të cilët i dhunuan, i qëlluan me gurë si dhe hodhën në drejtim të tyre spray me piper. Ndërkohë, Berisha deklaroi se mbështesin investimet e huaja. 

“Së pari, në qoftë se është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë. Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë, dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit. Së dyti, Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja. Ligji thotë këtë: në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, kadastre, dokumente origjinale, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut.

Dhe në qoftë se ty pronar, të kanë shkelur të drejtën e pronës dhe janë firmosur dokumente mbi të, përgjegjësia është e shtetit. Dhe ai që ka bërë këtë do mbajë përgjegjësi dhe shteti do të përgjigjet ty me vlerë tregu. Është ligji që detyron shtetin me vlerë tregu. Ne jemi shumë respektues për çështjen e pronësisë, por jemi mbështetës absolut të investimeve të huaja dhe gjatë periudhës tonë ju nuk keni parë pronar të protestojë ndaj një protestuesi të huaj se po më rrëmben tokën”, tha Berisha.

Një reagim ka ardhur dhe nga kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, i cili i drejtohet kryeministrit Edi Rama me kërkesën për të bërë publik emrat e biznesmenëve që përfitojnë nga ndërtimi në Zvërnec. Sipas Bardhit, debati nuk është kush po investon në projekt, por kush e kontrollon atë në fund të zinxhirit të pronësisë.

“E dëgjova dy herë fjalimin tënd 70-minutësh. Një mundim i madh, por doja të sigurohesha që nuk më kishte shpëtuar detaji më i rëndësishëm. Për fat të keq, ishin 140 minuta të çuara dëm. Nga fjalimi yt tani e kam të qartë çfarë mendon për Katarin, Gazën, Izraelin, Greqinë, Malin e Zi dhe për këdo tjetër, të fe e të pafe, që të doli përpara në ato 70 minuta. Madje u njoha edhe me idenë prekëse të tërheqjes në katundin tënd të vogël në Surrel, mes vilës, pronave dhe halleve të jetës së fshatit. Por një gjë krejt e thjeshtë, që mund ta sqaroje në 30 sekonda, mbetet ende mister.

Kush janë pronarët përfitues fundorë të projektit në Zvërnec që fshihen pas kompanisë së regjistruar në parajsë fiskale në Hollandë? Këtë nuk na e the, edhe pse për 70 minuta nuk le gjë pa na treguar: Kush u interesua për Zvërnecin. Kush po investon në Zvërnec. Kush na ka zili. (Perlë.) Kush po na mashtron. (Akoma më perlë.) Madje dëgjuam me interes edhe për patriotizmin, vizionin dhe sakrificat e tua në emër të atdheut. Por jo për pronarët.

Zoti Kryeministër,

Ti e di më mirë se askush tjetër se për një projekt të tillë nuk ka rëndësi vetëm kush interesohet, kush investon, kush e promovon apo kush del në fotografi. Këto dihen prej kohësh.  Për një projekt si Zvërneci rëndësi ka kush përfiton. Kush është pronari. Kush janë pronarët përfitues fundorë.

Shqiptarët duan emrat. Emrat e atyre që fshihen pas kompanive-guackë dhe të cilëve ti u ke firmosur lejen e zhvillimit. Sot na the edhe se do të ndërtojnë ishuj në det. Kjo është një temë më vete, sepse po sot na sigurove gati me ngashërim se në këtë projekt nuk ka asgjë shtetërore. Se gjithçka është pronë private. Që kur deti në Vlorë është bërë pronë private dhe nuk e paskemi marrë vesh? Por mos u mundo sot për këtë. Sot pyetja është edhe më e thjeshtë.Kush janë pronarët përfitues fundorë?

Nëse nuk përgjigjesh dot, atëherë mos na harxho kohën me hartime patriotike dhe vegime apokaliptike. Sepse kështu mund të mbrosh ndonjë interes tëndin, por jo interesin publik. Dhe nga gjithçka që the në ato 70 minuta të mundimshme për t’u dëgjuar, vetëm një ide ia vlen të mbahet mend: Të ikësh në katundin tënd. Ide e shkëlqyer. I mbyllur në Surrel do të bëje shumë më pak dëm!", tha Bardhi.

Gjatë fundjavës, qytetarët kanë protestuar për ndërtimet në Zvërnec dhe janë përballur me dhunë nga policia private. Kjo e fundit ka goditur me grusht një nga protestuesit, i ka qëlluar me gurë e objekte dhe ka përdorur spray me piper ndaj tyre si dhe punonjësve të Policisë së Vlorës.

Pas ngjarjes, u arrestua njëri nga rojet private të sigurisë dhe nisi hetimi për dy të tjerë, ndërsa kryepolici Hita urdhëroi të hetohej zinxhiri komandues i Policisë së Vlorës. Gjithashtu sot, kompanive "Mayor Security" dhe "Myrto Security" u është hequr licenca për ushtrimin e aktivitetit.