VLORË- Një situatë e pazakontë është regjistruar në ambientet e Gjykatës së Vlorës, ku pas një vendimi të dhënë, gjyqtari Arqile Basho 63-vjeç është dhunuar nga të paditurit. Tre vëllezërit Myslym Myslimi 60 vjeç, Fatosh Myslimi 62 vjeç dhe Elmaz Myslimi 64 vjeç kanë hedhur akuza në drejtim të këtij gjykatësi se po i grabit pronën, për pasojë pasi ka dhënë vendimin i kanë shkuar nga pas në ambientet e gjykatës, e kanë tërhequr nga uniforma ku i kanë kërkuar shpjegime mbi vendimin, të cilin e kanë konsideruar të padrejtë.

“Sa lekë ke marrë, qen bir qeni”, dëgjohet të thonë vëllezërit në videon e publikuar në media.

Kjo sepse sipas vëllezërve, tashmë të arrestuar nga Policia, ky gjyqtar prej 8 vitesh jep vendimin kundër tyre për pronësinë e një shtëpie. Bëhet fjalë për një shtëpi, që është marrë nga një firmë ndërtimi për t’u bërë pallat. Firma i ka shitur apartamentin 2 pronarëve njëherësh dhe sipas vëllezërve Myslimi ky gjyqtar po favorizon pronarin e dytë.

“Bëhet fjalë për një shtëpi që banojnë, që na e ka dhënë firma, na e ka dhënë me kontratë sipërmarrje, i ka shitur të gjitha 2 herë hyrjet tona firma, ca bën firma tani bashkë me këta, na hedhin në gjyq ne. Ne kemi 8 vjet në gjykata. Ka dhënë një vendim të jashtëligjshëm, na grabit pronën me vendim gjykate, ia jep një tjetri që e ka shitur firma për herë të dytë, nuk na jepte shpjegim pse e ka marrë këtë vendim, e kemi ndaluar që të na jepte shpjegim, nuk e dhunuam, mua po më nxjerr në rrugë. Ky do më grabisë pronën, nuk kam shpresa, edhe çështjet e tjera i merr ky, përderisa i merr ky, ka diçka që nuk shkon, është e dyshimtë, 3 gjyqe të më marrë mua rresht ky gjyqtar, i merr në mënyrë korruptive, se një gjyq e ka marrë dhe na e ka dhënë kundra, pse duhet të marrë prap”, ka dëshmuar një nga vëllezërit.

Mbi tre vëllezërit e arrestuar rëndon akuza për veprën penale “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, kryer në bashkëpunim, edhe pse ato e kanë mohuar duke thënë se thjeshtë e kanë ndalur për t’i kërkuar shpjegime mbi motivet e vendimit.  

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:45
Dhuna ndaj gjyqtarit të Vlorës, Gjykata e Apelit: Akt i rëndë kriminal

 

Gjykata e Vlorës dënon aktin e dhunës ndaj gjyqtarit Arqile basho. Në një deklaratë për mediat, gjyqtarja Iliba Bezati e ka cilësuar si një akt të rëndë kriminale që cenon punën e gjyqtarëve.

“Është një akt shumë i rëndë kriminal kjo që ka ndodhur me gjyqtarin Argjile Bashon dhe sigurisht që magjistratët e Apelit të Vlorës e mbështesin maksimalisht gjyqtarin dhe dënojnë duke shfaqur një dënim pasi është rast i përsëritur. Sigurisht që njëra palë do humbasë, por qytetarët duhet të kuptojnë se ka një shtet të së drejtës , por duhet që të ankimojnë vendimin në një shkallë më të lartë dhe të presin deri në rezultate. Në këto kushte situata të tilla i vënë gjyqtarët para trysninë për të dhënë një vendimmarrje të gabuar, kërcënimi është evident, kur ka përsëritje të dhunës ndaj gjyqtarët, qytetarët janë bërë ndoshta të padurueshëm për shkak të zgjatjes së proceseve gjyqësore, por edhe për faktin se ka një opinion për gjyqtarët dhe shteti duhet të punojë këtë se magjistratët po punojnë në një presion të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar Bezati.

Ora 11:31
Gjykata e Apelit reagon pas dhunimit të gjyqtarit Arqile Basho

1626423393_vlore1.jpg

Gjykata e Apelit reagon pas dhunimit të gjyqtarit Arqile Basho.

“Ne, magjistratët e juridiksionit të Apelit Vlorë, shprehim shqetësimin e thellë në lidhje me aktin e dhunshëm të palëve ndërgjyqëse ndaj gjyqtarit Arqile Basho të datës 15.07.2021, të transmetuara gjatë edicioneve informative në televizion dhe dënojmë me forcë çdo akt që cenon sigurinë e magjistratëve.

Në kronikë është transmetuar gjuhë jo etike dhe fjalor fyes ndaj gjyqtarit së çështjes. Akte të tilla të përbëjnë kërcënim serioz jo vetëm ndaj magjistratëve, por ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë e idealeve themelore të një shoqërie të hapur dhe shtetit të së drejtës.

Shprehim mbështetjen e palëkundur ndaj gjyqtarit Arqile Basho dhe të gjithë anëtarëve të personelit të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të jetojnë e të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve nga armiqtë e drejtësisë.

Shprehim falënderimin për bashkëpunimin e ngushtë dhe reagimin e menjëhershëm të agjencive ligjzbatuese për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të akteve të tilla të dhunshme, me qëllim ndëshkimin e tyre dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla të rënda.

Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo dhuna verbale apo fizike ndaj magjistratit.

Sjellim në vëmendjen e opinionit publik se respektojmë rolin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor, por nga ana tjetër, edhe media duhet të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe të magjistratëve, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese, që cenojnë figurën e gjyqtarit. Respekti ndaj gjykatës dhe figurës së magjistratit i shërben si forcimit të drejtësisë, ashtu edhe lehtësimit të komunikimit efektiv me publikun rreth veprimtarisë së sistemit gjyqësor.

Të udhëhequr nga parimet e profesionalizmit, transparencës, ndershmërisë, llogaridhënies dhe besueshmërisë, shprehim angazhimin për rikthimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor, i cili ka si një ndër objektivat e tij kryesorë forcimin e bazave për përmirësimin e marrëdhënieve të gjyqësorit me median, në çdo rast duke garantuar respektin reciprok”, thuhet në deklaratë.

Lajm në përditësim