Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në ditën e Krishtlindjeve një vizitë në shtëpinë e re të Ilir Koçit në Marikaj të Vorës. Familja Koçi u zhvendos këtë të martë nga një shtëpi në gjendje të mjeruar, në një vilë me të gjitha kushtet. Të lumturuar nga ky ndryshim në jetën e tyre, ata e cilësuan si dhuratën më të madhe që kishin marrë.

Rama iu drejtua fëmijëve të familjes, duke i thënë se e vetmja mënyrë për t'ia shpërblyer jo atij, por prindërve të tyre është marrja e dhjetave në shkollë. Më tej, Rama u shpreh se familje në gjendjen ekonomike të Ilir Kocit nuk janë të shumta, e megjithatë, qeveria i ka regjistruar dhe do t'i ndihmojë pak e nga pak.

“Qeraja paguhet me 10-ta. Çdo 10 lan borxhin, borxhin e ke ndaj  prindërve jo ndaj meje. Çfarë do fusësh në kokë sot do kesh nesër. Nuk janë të shumta familje në gjendjen që ishin ju, por sidoqoftë janë kudo. Ne i kemi regjistruar dhe do i ndihmojmë pak nga pak”, tha Rama.

Videon, në të cilën është trajtuar rasti në fjalë, kreu i ekzekutivit ka vendosur ta shoqërojë me një shprehje të Mahatma Gandhit: Lumturia ndodh kur çfarë mendon, çfarë thua dhe çfarë bën, janë në harmoni. Fjalë këto që qëndrojnë në sintoni me projektin e ndërmarrë të qeverisë, për të ndihmuar financiarisht familjet në nevojë.