Pacientët dhe të sëmurët me sëmundje zemre në qarkun e Elbasanit, mund të marrin trajtimin e specializuar pa pasur nevojë të shkojnë në Tiranë. Shërbimi i Kardiologjisë në Spitali Rajonal i Elbasanit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, po ofron shtrime spitalore, vizita, konsulta urgjente dhe ekzaminime të specializuara për pacientët me sëmundje kardiovaskulare.

Kjo do të thotë diagnostikim në kohë, ndjekje të rregullt dhe trajtim për patologji të ndryshme të zemrës. Sipas mjekëve të repartit, pacientët marrin vlerësim të personalizuar nëpërmjet ekzaminimeve si ekografia kardiake dhe monitorimi elektrokardiografik, që ndihmojnë për të kapur problemin sa më herët.

“Shërbimi i kardiologjisë është i angazhuar në diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e plotë të rasteve të të gjitha patologjive kardiovaskulare me përgjegjësi maksimale dhe përkushtim të plotë” tha Dr. Sajmir Shehu shef i shërbimit të Kardiologjisë në spitalin e Elbasanit. 

“Nëpërmjet ekzaminimeve bashkëkohore përfshirë ekografinë kardiake dhe monitorimin elektrokardiografik ne sigurojmë një vlerësim të veçantë dhe të personalizuar për çdo pacient” shtoi Dr. Eda Peposhi

“Qasja jonë bazohet në standarde profesionale, bashkëpunim ekipor dhe kujdesinë vazhdueshëm për shëndetin e zemrës” shpjegoi Dr, Endri Vercani. 

Reparti merret me të gjithë zinxhirin: nga kontrolli i parë, te trajtimi dhe ndjekja pasuese. Për banorët e zonës, kjo përkthehet në më pak lëvizje drejt spitaleve të tjera dhe më shumë akses në shërbim pranë shtëpisë.

Sipas kryeministrit Rama, i cili ndau pamjet e këtij shërbimi për publikun, në këtë spital ofrohet përkushtim dhe kujdes i vazhdueshëm për ccdo pacient.

Shërbimi i Kardiologjisë në spitalin rajonal pranë pacientëve, përmes shtrimeve spitalore, vizitave e konsultave urgjente dhe ekzaminimeve të specializuara që bëjnë diferencën në kohën e duhur. Ky angazhim i jashtëzakonshëm mban firmën e një ekipi të përkushtuar mjekësh dhe infermierësh me profesionalizëm, përkushtim dhe kujdes i vazhdueshëm për çdo zemër që u beson shëndetin e saj” shkroi Edi Rama