Por, pothuajse njëkohësisht, zyrtarët serb për publikun dhe mediat serbe japin deklarata që assesi nuk janë në përputhje me zotimet e para. Vazhdojnë me avazin e vjetër se Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova dhe se zgjidhjet duhet kërkuar në kuadër të Kushtetutës së Serbisë. Kështu Nikoliç në intervistën për TV Pink të Beogradit insistoi se “Serbia nuk ka të drejtë që të heqë dorë nga Kosova dhe Metohija, sikundër që nuk ka të drejtë që çdo ditë të largohet ngapak nga Kosova, ndonëse ka momente kur na duket se rëra po na kalon mes gishtave…”
Në esencë pushteti i ri në Serbi ballafaqohet me sfidat e njëjta që i ka pas edhe ai i mëparshmi i udhëhequr nga Boris Tadiç, që edhe e pat shpikur formulën e dy binareve të politikës serbe që përmblidhej në formulën: “Edhe BE, edhe Kosova”. Tadiçi ka besuar se me këtë formulë do të blinte kohën që nëse do të duhej të bënte koncesione në çështjen e Kosovës, që këto t’i bëjë një nga një, duke tentuar që të nxjerrë edhe disa kompensime të konsiderueshme rreth statusit të serbëve në Veri të Kosovës.
Nikoliç dhe Daçiç nuk kanë bërë asnjë avancim në këtë formulë kontradiktore sepse prej kohësh të gjitha analizat serioze ndërkombëtare, por edhe në vetë Serbinë, kanë konstatuar se formula “Edhe BE, edhe Kosova” është vendnumëruese dhe humbëse. Cinikët madje e kritikonin Tadiçin se me këtë insistim Serbia rrezikon që t’i humb të dyja, edhe Kosovën, edhe BE-në.
Frustrimi i pushtetit të ri në Serbi është më i madh se i Tadiçit, sepse ky i pari aksin e politikës së tij e kishte në integrimet evropiane të Serbisë, dhe Kosovën e shfrytëzonte për të nxjerr më shumë favore, ndërkaq për Nikoliçin dhe Daçiçin besohet se preferencat kryesore edhe më tej i kanë nacionaliste dhe euroskeptike. P.sh. Nikoliçi gjatë fushatës zgjedhore nuk nguronte që të thotë se Serbia e ka më mirë që të bëhet një rajon i Rusisë, se sa anëtare e BE-së që e kushtëzon me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Por, për dallim nga Tadiçi i cili gëzonte besimin e Perëndimit dhe i jepej koha që të udhëheqë një politikë të kujdesshme dhe hap pas hapi, tandemi i ri në pushtet e di qartë se BE-ja është me skeptike ndaj tyre. Në Bruksel dhe Uashington po analizohet nëse ata vërtet i kanë ndryshuar bindjet dhe sjelljet. Presionet për vazhdimin e dialogut kështu më shumë e brengosin Beogradin, se sa Prishtinën. Beogradit nuk i ka mbetur shumë kohë për manovrime e as taktizime. Andaj Beogradi premton se do të realizoi të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e mëparshëm. (Puna në realizimin e tyre përndryshme po vazhdon me të madhe, siç jemi njoftuar ditëve të fundit për dorëzimin e kopjeve të verifikuara të një pjese të librave kadastral dhe të regjistrave civil, ose për nostrifikimin e diplomave).
Një risi që po provon ta realizojë Nikoliçi është sigurimi i konsensusit të brendshëm sa më të gjerë në Serbi, rreth Kosovës. Ai po provon që ta thërrasë këto ditë një këshill të partive politike parlamentare, si dhe të instancave të tjera kombëtare me ndikim në shoqërinë serbe (Kisha Ortodokse Serbe, Akademia e Shkencave etj), për të bërë një platformë të re rreth Kosovës. Kjo besohet se është përpjekje që të formulohet një strategji e daljes nëse Serbia detyrohet që për anëtarësimin në BE të njeh implicite ose eksplicite pavarësinë e Kosovës. Me gjasa, në momentin e së vërtetës kur Serbia duhet të fitoi të drejtën e negociatave për anëtarësim në BE, ajo do të duhej të aktivizonte një mekanizëm të konsensusit politik mbi kushtet e humbjes së Kosovës, që do të anashkalonte Kushtetutën e Serbisë. Ky kusht do të mund të ishte mbajtja e një referendumi ku qytetarët e Serbisë do të deklaroheshin për heqjen e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë.
Sa për qëndrimin e Kosovës rreth vazhdimit të dialogut, dilema më e madhe nuk qëndron te dialogu, por te karakteri i tij, a duhet të pranohet ngritja e nivelit dhe e përmbajtjes së tij. Nga njëra anë, nëse do të bisedonit zyrtarët më të lartë politikë,Serbiaimplicite do të njihte përfaqësimin dhe pavarësinë e Kosovës. Kështu rezonojnë edhe qarqet në Serbi që janë kundër vazhdimit të dialogut. Por, nga ana tjetër, nëse ngritja e nivelit të bisedimeve nënkupton trajtimin e temave politike dhe statusore, a nuk do të ishte ky rrezik se po tejkalohen kornizat e Marrëveshjes së Ahtisarit, dhe se Kosova në parim po e hap mundësinë që për Veriun e Kosovës të kërkohet një zgjidhje speciale, jashtë ose përtej Pakos së Ahtisarit.
Qeveria e Kosovës rreth kësaj e ka një situatë relativisht më komode, nuk e ka gjithaq frustrimin e kohës. Mund ta shtyjë datën e vazhdimit të dialogut duke e kushtëzuar me implementimin dhe përcaktimin strikt të temave të reja, si dhe të agjendës të dialogut eventual politik. P.sh. Kosova nuk do të duhej assesi të pranonte dialogun politik pa e realizuar marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve dhe shpërbërjen e strukturave paralele në Veri, sepse këto dy momente edhe e definojnë Kosovën si tërësi doganore dhe territor, dhe dialogun e lënë brenda kornizave të Ahtisarit.
Vetëm se Kosova nuk mund të zgjedhë me komoditet politikën obstruktive dhe të vonesave, sidomos nëse ajo nuk do të koordinohej me perëndimorët, ose të paktën SHBA-të dhe disa vende kyçe anëtare të BE-së.