Dialogu Prishtinë-Beograd, leksionet
e Samitit të anuluar të Ohrit

Dialogu Prishtinë-Beograd, leksionet<br />e Samitit të anuluar të Ohrit
PRISHTINE- Samiti i anuluar i Ohrit u ka dhënë leksione palëve të përfshira në dialogun Prishtinë–Beograd, se marrëveshjet e arritura do të duhet të zbatohen. Kështu shprehen përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe analistë politikë.

Marrëveshja Prishtinë-Beograd si pikësynim të përgjithshëm kishte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që përbën një parakusht për avancimin në proceset integruese europiane.

Prandaj, politika përjashtuese ndaj Kosovës, që thuhet se ishte aplikuar në rastin e Samitit të Ohrit dhe reagimet e mëpasshme të vendeve, si Shqipëria e Kroacia, besohet se u kanë dhënë një leksion të gjithëve se "nuk mund të ketë më kthim në mentalitetin e vjetër ballkanik të përjashtimeve dhe mosrespektimit të marrëveshjeve".

Ramush Tahiri, këshilltar politik i Presidentes së Kosovës mendon se "në Shkup, por edhe në disa nivele politike në Bruksel, fillimisht ishte menduar se marrëveshja Prishtinë–Beograd, do të kishte efekte vetëm pasi të ratifikohej". Sidoqoftë, ai beson se "Bashkimi Europian mund të jetë një garantues i denjë i zbatimit të marrëveshjes".   

Në rastin e Samitit të Ohrit, Prishtina zyrtare reagoi duke e denoncuar Serbinë si shkelëse të marrëveshjes për faktin se kishte ndikuar tek autoritetet e Maqedonisë që të mos e ftonte Kosovën.

Me marrëveshjen e 19 prillit, Serbia dhe Kosovë në pikën 14 ishin zotuar se "nuk do ta pengojnë dhe as bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën europiane, e madje as nuk do t’i inkurajonin vendet tjera që ta bëjnë këtë".

Analisti dhe publicisti Belul Beqaj mendon se "reagimi publik i BE-së si garantues i marrëveshjes, ka mundur të duket i butë, por veprimet e disa vendeve të BE-së, kanë qenë vendimtare që t’i bëjnë me dije Serbisë se marrëveshja duhet të zbatohet".

"Një efekt tjetër që kishte prodhuar Samiti i anuluar tashmë i Ohrit në nivel presidentësh ka të bëjë edhe me pozicionimin e qartë të disa vendeve tjera të rajonit se nuk mund të vazhdohet më me tolerimin e politikave përjashtuese të Serbisë", ka thënë Beqaj.

Duke u ndërlidhur me efektet e Samitit të Ohrit dhe anulimin e pjesëmarrjes nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë, për shkak se Shkupi nuk kishte ftuar aty edhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, thotë se kjo ka treguar se Kosova dhe shqiptarët po bëhen faktor i paanashkalueshëm në Ballkan dhe këtë tashmë po e pranojnë të gjithë.

Pas arritjes së marrëveshjes së 19 prillit dhe dakordimit të planit të zbatimit më 22 maj, Prishtina dhe Beogradi, me lehtësimin e Brukselit, po i vazhdojnë diskutimet në nivele teknike për zbatimin në terren të marrëveshjes. Gjatë të gjitha fazave, BE-ja pritet të jetë garantuese e zbatimit të saj.

Marrë nga "Radio Evropa e Lirë"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan

Venezuelë/ Protesta të dhunshme kundër fitores së Maduros! Opozita: Gonzalez mori 73% të votave, zgjedhjet u manipuluan