Mëngjesi i kësaj të marte në Lushnjë ishte i zymtë. Era e rëndë e tymit ndihet ende në gjithë zonën pranë stadiumit, edhe pse flakët janë shuar.
Zjarri i rënë pas mesnate ka shkrumbuar tregun e fruta-perimeve, ku ushtrojnë aktivitetin rreth 50 tregtarë. Të paktën 25 prej tyre raportojnë dëme të mëdha.
Me lot në sy, tregtarët tregojnë se kanë humbur gjithçka dhe e kanë të vështirë të nisin nga e para pa ndihmën e bashkisë.
“Dëm është bërë shumë. Do të na vlerësojë bashkia apo jo?! Gjithë ai mall, gati 2 milionë lekë brenda.”
“Dëm më shumë s’ka ku të shkojë. Gjithçka u dogj, ne me ato ushqehemi.”
Zjarri ka rënë rreth orës 03:30 në pjesën fundore. Zjarrfikëset ndërhynë në kohë, duke shpëtuar gjysmën e tregut.
I ndërtuar 3 vite më parë, tregu menaxhohet nga bashkia dhe ka roje e kamera sigurie, por ato nuk kanë regjistruar momentin e rënies së zjarrit.
Tregtarët paguanin rreth 3,500 lekë qira mujore, por mallrat nuk ishin të siguruara. Megjithatë, ata kërkojnë dëmshpërblim.
“Duam ndihmë nga shteti për dëmet.”
Kryetarja e Bashkisë tha se është ngritur grupi i punës për vlerësimin e dëmeve.
“Nga ana e bashkisë po ngrihen grupet e vlerësimit të mallit dhe, derisa objekti të vihet sërish në funksion, do të gjendet një zgjidhje për sistemimin e tregtarëve në këtë zonë”, tha Eriselda Sefa.
Edhe deputeti demokrat Saimir Korreshi ka kërkuar zbardhjen e shkaqeve të zjarrit dhe dëmshpërblimin e tregtarëve.
“U bëjmë thirrje autoriteteve të zbulojnë shkaqet e zjarrit, dëmshpërblimin e tregtarëve, rikthimin e strukturës në gjendjen e mëparshme me një rikonceptim tjetër, pasi aty është efekt serë gjatë verës dhe shi e të ftohtë që hyn gjatë dimrit.”
Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa paraprakisht dyshohet për një zjarr aksidental, i shkaktuar nga ndonjë shkëndijë tek ndriçuesit apo pajisjet e tjera elektrike të tregut.
Deputeti Saimir Korreshi ka reaguar për djegien e tregut të fruta-perimeve në Lushnjë duke bërë thirrje zbulimin e shkaqeve të zjarrit dhe dëmshpërblimin e tregtarëve. Sipas tij, për këtë treg ka pasur protesta që në fillim për shkak të materialeve të përdorura dhe ndërtimit të tij.
“Djegia e tregut të fruta-perimeve në Lushnjë. U bëjmë thirrje autoriteteve të zbulojnë shkaqet e zjarrit, dëmshpërblimin e tregtarëve që paguajnë taksat për ushtrimin e aktivitetit. Rikthimin e strukturës në gjendjen e mëparshme me një rikonceptim tjetër, pasi aty është efekt serë gjatë verës dhe shi e ftohtë që hyn gjatë dimrit, për të cilën tregtarët janë ankuar që në inaugurimin e tij”, shkruan Korreshi krah videos.
Në video, ai thotë se sipas informacioneve mund të ketë qenë një shkëndijë nga një peshore ose karikues.
“Shërbimi zjarrfikës e ka fikur në kohë sepse dëmet do të ishin kolosale”, shprehet Korreshi.
Komente










