Dihatja e të Djathtës ekstreme tek ne dhe kamuflimi i Berishës me konservatorizmin

Dihatja e të Djathtës ekstreme tek ne dhe kamuflimi i Berishës me konservatorizmin

Ben Andoni

Edhe pse politika jonë nuk e ka emancipimin e duhur, ideologjia e së Djathtës Ekstreme ka nisur të zërë pakëz vend dhe në Shqipëri. Ashtu si po ndodh edhe në vende ku kjo ideologji madje përballet me institucione të vërteta, duket se paqartësia e kohës, emigracioni, populizmi, zhvillimet në SHBA, po e ndihmojnë paq në Shqipëri një frymë ekstremizmi të Djathtë, që poshtë saj fsheh të panjohura. Ndërkohë është po pjesa ideologjike që e penalizon tek ne tendencën, pasi edhe vetë Berisha i prirur drejt saj, njëkohësisht kryetari de facto i masës së PD-së, është “i paqartë” për ideologjinë e partisë, të cilën mëton ta përcjellë drejt Konservatorizmit! Në fakt, të dëgjosh artikulimet e njerëzve të ndryshëm të saj, kupton se në PD thjesht improvizohet edhe pse pakuptuar në këtë kalim prej të Djathtës së Qendrës në Konservatorizëm por edhe në slogane të së Djathtës ekstreme, nuk ka ende aksion veç retorikës boshe. Njerëzit e sotëm të PD-së, më shumë, kanë humbur në një proces të “Ringjalljes” së relikeve, por aspak atë frymë ideologjike që imponon koha dhe sidomos simotrat e familjes së tyre evropiane të partive të Djathta të Qendrës.

Gjendja, nuk është shqetësuese vetëm në Shqipëri. Veç vendeve të Ballkanit, ku “Agimi i Artë” do të ishte në aktivitet për vite me radhë, ne po e hasim atë në Kosovë, ku prania ndërkombëtare do t’i kthjelltësonte pak kohë më parë qëndrimet e Djathta ekstreme të disa partive syresh politike. Serbia ka kohë që ka rrëshqitur drejt së Djathtës, ndaj politologu dhe studiuesi i njohur Dushan Janjiq, shprehet hapur se bazuar në numrat e fundit, vendi i tij e ka favorizuar dukshëm ekstremin e Djathtë. Për këtë fajëson politikën e Vuçiqit dhe të mbështetësve të tij. “Ai vetë e tha … se është gati të marrë pjesën e përgjegjësisë për faktin se është një prej aktorëve kryesorë të kësaj çështjeje. Një pjesë e listës së të djathtëve ku zënë vend nacionalistët e neo-nazistët është krijuar nga partia e tij dhe BIA (Shërbimi Sekret i Serbisë). Nuk e dimë se si do të veprojnë, por shumica e parlamentarëve të ardhshëm do të jenë nacionalistë”, ka përfunduar Janjiqi arsyetimin e vet. Ndërkohë, një masë e madhe e partive të Djathta në Serbi, syresh edhe ekstreme, ishin në votime përballë vetëm një të Majte në zgjedhjet e pak javëve më parë. Duket se ishin ngjarjet e Janarit në Kapitol që i ngjallën paq figurat e së Djathtës në Evropë dhe sidomos nacionalistët në Serbi. Nikola Sanduloviq, kreu i Partisë Nacionaliste Republikane, postoi në Twitter një imazh të një mbështetësi të Trumpit, që përdhoste statujën e ish-presidentit amerikan, Gerald Ford, dhe asaj i bashkangjiste krenar diçiturën: “Era e lirisë, drejtësisë dhe së vërtetës”. Në Mal të Zi, Nebojsha Medojviq, që njihet hapur si pro-serb dhe pro-rus, e një tifoz i aksionit të Trumpit dhe i teorive konspirative që kulmuan sidomos me COVID-19 e konsideronte pandeminë si një mashtrim nga ‘satanistët botërorë’. Ndërkaq, njerëzit pro-Berishë mezi po e presin rizgjedhjen e Trump ose një të barabarti si ai, për të ngritur sërish fabulën me SOROS, rishikimin e politikave dhe sidomos rikonceptimin e lirisë me një ideologji, që është krejtësisht përçarëse. Të paktën tek ne. Një frymëzim për këtë është edhe përshtatja e fundit e të Dërguarit të Z. Trump, Grenell për marrëdhëniet Kosovë-Serbi por sidomos rishikimin e arsyetimit për penalizimin e DASH-it si “non grata” për Berishën. Nga ana tjetër, mënyra sesi shihet nga Berisha dhe formacioni i PD-së ish-presidenti Thaçi dhe të tjerët ta jep një kuptim më të gjerë për populizmin kallp, i kamufluar dhe i fshehur nën petkun e ndarjes së Kosovës.

Lëvizja e Berishës instinktivisht drejt ekstremit të Djathtë, e kamufluar qoftë edhe me ideologët e tij që po mundohen të retushojnë këtë amulli si p.sh. përmes kalimit në Konservatorizmin Modern, nuk duket se ka ende shumë fuqi elektorale në Shqipëri. E para për faktin se masa e emigrantëve që vinë tek ne është e papërfillshme për të rrezikuar ekzistencën e jetës sonë dhe benefitet e saj. E dyta tezat patriotike dhe nacionaliste shpesh u vendos fre vetë Brukseli. E treta, prona është prishur nga vetë qeverisja e Berishës. Shtimi i frikshëm i masës gri po ia tregon vendin jo vetëm Berishës, nunit të kësaj të Djathte por edhe Ramës në pushtet, që amullia e tyre dhe populizmi shterpë e kanë një cak. Vetëm se elektorati ynë, që anon me shumicë nga e Majta, përcjell vlera tej populizmit, pjesës së emigracionit (ende e pabërë temë primare tek ne), pronës dhe sidomos nazi-fashizmit. Sloganet e Berishës që drejtohen më së shumti ndaj Ramës (dukshëm i konsumuar), po tregojnë hapur për ata që logjikojnë në mënyrë racionale se është më shumë një përpjekje e sforcuar të pastrohet imazhi i tij nga akuza e hapur e DASH-it në SHBA për korrupsion masiv sesa mund të zeri vend në një elektorat të arsyeshëm. Përkrah tij në këtë mbështetje pa asnjë kujtim, përveç atij të kapjes së pushtetit dhe sidomos sensit që mund të kthejë atë kohë, qëndron një masë jo e vogël e cila thith çdo lloj slogani të Berishës e që fatkeqësisht nuk e ngjit dot më në pushtet. 6 Marsi ishte një test i vështirë por i thartë, ku dy PD-të ishin shumë më poshtë PS-së. Nga ana tjetër, megjithë problematikën e pushtetit, Drejtësia ende në apati të thellë nuk e ka thënë si duhet fjalën për penalitetet politike, por që duhet thënë se ka nisur të funksionojë me ritme tejet të ulëta. Në këtë logjikë, elektorati gri, nuk plotësohet më jo vetëm nga Rama por edhe nga Berisha në paqartësinë e tij evidente, ku sloganet që mund t’i shkojnë më shumë së Djathtës Ekstreme nuk është se zenë shumë vend. E mbi të gjitha nuk duket se ka vokacionin e duhur në elektoratin shqiptar që t’i përshtatet ekstremizmit të Djathtë.

Po ashtu, elektorati ynë është krejt indiferent prej populizmit të Berishës dhe njerëzve të tij që përsërisin të njëjtën gjë për “Balkan Open”, apo te shqiptarizmat dhe krenaria patetike e disa njerëzve që udhëheqin turma anonime në facebook. Edhe pse shqiptarizma false te këta njerëz është e pafre. Ndodh, që nëse t’i pret një argument dhe shpjegim ndryshe të “Balkan Open” përballë do të kesh disa tema të lodhshme, ose groteskun që shoqëronte “Foltoret” kur patetikët ishin mbledhur të shpjegonin se edhe Zeusi ishte shqiptar, apo formula e lodhshme e stërgjatur  “o sa mirë me qenë shqiptar”. Shtuar me anti-komunistët pa logjikë që arrijnë të anatemojnë gjithçka që ka lidhje me luftën anti-fashiste dhe bëjnë autogola me vlerat që janë në thelb të qytetërimit të sotëm Perëndimor e që te PD janë të pafshehur e në habitat, madje e kanë treguar përgjatë viteve; ashtu si pjesa shoviniste që vazhdon për të folur veçse keq për fqinjët dhe çdo gjëje të mirë të shqiptarëve; e për të mos folur pastaj ndaj homofobisë…

A mund të ketë një Mea Culpa për këtë, kur kjo e Djathtë po merr goditje kudo?! Jo aq. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron u detyruar të pranojë dështimin përballë rritjes së të Djathtës ekstreme në 5 vitet e fundit, referuar Anadolu Agency (AA). Dhe, karburanti i kësaj të Djathte është fakti se sipas tij, ka probleme në shoqërinë e vendit të tij në lidhje me mjedisin, gjeopolitikën dhe median sociale dhe që të gjitha bashkë po e krijojnë frikën mes njerëzve. Sipas tij, e Djathta ekstreme luan pastër me këtë frikë. Dhe, bash frika ishte ajo që u mundua të ngjallet nga njerëzit e Berishës dhe ai vetë me pandeminë, rrezikun evident serb, shtuar me parandjenjën e pasigurisë, apo me paralajmërimin për protestat masive, që ende nuk po i merr seriozisht edhe vetë Berisha sepse i duhet të peshojë forcën reale të tij. Me pak fjalë, të gjitha bashkë i sheh në atë frymë që përcjell normal ky lloj ekstremizmi. Por një gjë që duhet të shqetësojë Berishën është largimi nga familja e tij e Partive të Djathta. Nuk kishte asnjë përfaqësues të Partive Popullore Evropiane në Kuvendin e tij të fundit, në grupimin në të cilën PD është anëtare prej vitesh. Të katër folësit e huaj në Kuvend, përfaqësues të partive konservatore dhe disa përfaqësues të partive të ekstremit të djathtë, përbënin pak histori për këtë Kuvend, që i përçau paq demokratët. Ndaj, Berisha fjalën e tij, e përqendroi tek armiku global, George Soros, të cilin e sheh si krijuesin e të gjitha ‘halleve’ të tij dhe te lufta për të rivendosur virgjërinë politike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe çfarë ndodh atëherë me konservatorizmin, që mëton PD-ja e Berishës? Duket se thjesht rri e vështron. Si filozofi politike ajo promovon mbajtjen dhe përmirësimin e institucioneve tradicionale sociale në thelbin e qytetërimit shqiptar. Në fakt, Berisha dhe njerëzit e tij mëtojnë sesa të vijnë në pushtet gjithçka do nisë nga fillimi, ashtu si institucionet do t’i zhbëjnë për të bërë ato me frymën e tij!!! Berisha tregoi te partia sesi i respekton institucionet dhe arsyen, mbetet të shihet në shtet nëse do t’i jepet kjo mundësi. Edhe pse në konservatorizëm, njihet ajo që quhet papërsosmëria njerëzore, mënyra sesi ravijëzohet lideri apo kuptimi për pronësinë, në fakt, ato mbesin elementë të pazgjidhur. Sidomos në rastin e PD-së. Ashtu, si literatura mëton se konservatorizmi vetë po e ndjell një lloj pabarazia sociale dhe ekonomike. Dhe, këtë njeriu i sotëm dhe sidomos qenia shqiptare e ngulfatur prej sakrificës së vazhdueshme të mbijetesës nuk e mbart dot më. Kinse konservatorizmi dhe fshehja e Berishës te kjo ideologji shikohet me një lloj ekzotizmi ndër shqiptarë më shumë sesa realitet. Tek e fundit, jashtë ideologjisë ekstreme të tij, realiteti i vetëm sot është ringjallja e Berishës ose njeriu që nuk kish ikur asnjëherë nga PD-ja dhe që e përdori dhe po e përdor atë në mënyrën më të shëmtuar…qoftë edhe me elementët e të Djathtës ekstreme. (Homo Albanicus)

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë