Superliga shqiptare e futbollit ka nisur këtë mesjavë me raundin e 18-të. Të martën u zhvilluan dy takime, ndërsa sot në fushë do zbresin gjashtë skuadra. Dinamo fitoi 1-3 kundër Partizanit, teksa Egnatia iu fal një goli për të marrë tri pikë në Durrës dhe për të mbajtur kreun e renditjes.

Ndërkohë, për ndeshjen e sotme kundër Vllaznisë në Shkodër, drejtuesit e Flamurtarit dhe presidenti Sinan Idrizi kanë vendosur mos udhëtojnë drejt kryeqendrës së veriut, në shenjë revolte kundër vendimit të Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), e cila e dënoi klubin vlonjat që të zhvillojë tetë ndeshje në Vlorë pa praninë e tifozëve, pas ngjarjeve në barazimin 2-2 kundër Teutës të premten e shkuar. Pra, ekipi vlonjat do jetë 'jetim' dhe pa drejtuesit më të lartë në sfidën e sotme.

NDESHJET

Në "Niko Dovana" të Durrësit, të martën Teuta vendase u mposht 0-1 nga Egnatia. Një gol i Kastriot Selmanit në minutën e 61-të i mjaftoi kampionëve në fuqi të Superligës që të vijojnë të mbeten në krye të renditjes. Egnatia ka katër fitore radhazi dhe diçka e tillë reflektohet në klasifikim, ndërsa Teuta ka pesë ndeshje pa fitore.

Në "Arenën e Demave" në kryeqytet, Dinamo fitoi 1-3 derbin kundër Partizanit. Ishin vendasit që kaluan në epërsi me Rrok Tomën në fundin e pjesës së parë, por të kuqtë e Oltijon Kërnajës nuk ditën të mbanin epërsinë. Ekipi i Ilir Dajës u përgjigj në fraksionin e dytë dhe shënoi tre herë me Dejvi Bregun, Saliou Guindo dhe autogolin e Altin Bytyçit.

Raundi i 18-të i Superligës mbyllet sot me tre takime. Në orën 13:30 luhet Vora - Bylis, ndërsa në orën 16:30 marrin jetë dy takimet e tjera, AF Elbasani - Tirana dhe Vllaznia - Flamurtari.

Superliga, raundi 18-të:

E martë, 23 dhjetor 2025

18:00 Partizani 1-3 Dinamo

18:00 Teuta 0-1 Egnatia

E mërkurë, 24 dhjetor 2025

13:30 Vora - Bylis (luhet në 'Selman Stërmasi' në Tiranë)

16:30 AF Elbasani - Tirana

16:30 Vllaznia - Flamurtari

Renditja:

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:54
Disiplina 'i kyçi' stadiumin për tetë ndeshje, drejtuesit e Flamurtarit nuk udhëtojnë sot drejt Shkodrës

1766562905_flamurtari.jpg

Presidenti Sinan Idrizi dhe drejtuesit më të lartë të Flamurtarit kanë vendosur mos jenë sot prezent në Shkodër për sfidën mes Vllaznisë dhe Flamurtarit (16:30). Kjo revoltë e vlonjatëve ka ardhur pasi Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) i dënoi që për tetë ndeshje në Vlorë mos ketë tifozë, kjo pas futjes së disa ultrasve vendas në fushë dhe grushteve ndaj futbolllistëve të Teutës në barazimin 2-2 të të premtes së shkuar.

Për këtë, drejtuesit më të lartë të vlonjatëve do e lënë 'vetëm' sot ekipin dhe nuk do jenë në Shkodër.