Disku i Nexhmije Pagurushës
në “Galeri Lafajet” të Francës

Disku i Nexhmije Pagurushës<br />në “Galeri Lafajet” të Francës
Parisi është plot me shtëpi të mëdha mallrash. I ka të thuash, në çdo hap: “Prentan”, “Bazar d’Otel dë Vil”…Por, shtëpi mallrash mbi shtëpi mallrash është pa mëdyshje “Galeri Lafajet”, një nga më të mëdhatë kësodore jo vetëm në Paris, po ndoshta edhe në mbarë botën. Pa tepri: po të duash të vizitosh çdo stand të kësaj galerie, të shikosh vetëm vitrinat e tyre e tërë ata artikuj të ndryshëm të ekspozuar me shije, si të ishte vërtet ndonjë ekspozitë e jo magazine, shtëpi mallrash, njeriut i nevojitet të paktë një javë. Për “Galeri Lafajet” mund të thuhet me plot të drejtë se në të mund të gjejë njeriu çdo gjë – nga gjilpëra deri te lokomotiva.

Kisha dëgjuar e lexuar edhe unë për “Galeri Lafajet”.
Dëshirova, prandaj, ta vizitoja sa më parë, të bindesha edhe vetë.
Fillova njëherë të vështroja standet me radhë, por kur pashë se koha po kalonte shumë shpejt e unë s’do të arrija deri në mbrëmje të shikoja as dy kate të saj, vendosa: po shikoj vetëm çfarë më intereson posaçërisht.

Me një prirje diskofili në kohën e fundit, zura të kërkoja atë pjesë të “Lafajetit”, që mirret me shitjen e disqeve.
Pasi kalova një varg labirintesh të katit të parë, kur iu afrova pjesës ku ishin ekzpozuar televizorët, radiot, tanzistorët, magnetofonët e prodhimet tjera kësodore të çdo lloji, e dita: aty afër duhet të jenë disqet.

I gjeta më në fund.
Diskofilit, tek e sheh tërë atë mori disqesh në një vend, si të ishte shtëpi disqesh, i bëhet sikur ka arritur në parajsë dhe mahnitet fare.
Kahdo të sillesh: disqe. Kahdo të shikosh: disqe. Të gjitha me kopertina të ilustruara me shije. Me fotografi këngëtaresh më të njohur botërorë.
Megjithatë: myshteriu mund të orientohet menjëherë.

Madje edhe shumë lehtë. Më një vend shiten disqet e muzikës serioze, me një tjetër ato të muzikës argëtuese, mandej ato të muzikës popullore e të tjera. Në “Galeri Lafajet” ka stande të posaçme edhe të disqeve të këngëtarëve më të popullarizuar, sidomos të muzikës argëtuese.
Kështu bie fjala, pashë standin e pagëzuar “Festivali i Sharl Azvanurit”.
Aty afër: Zhilber Beko. Mandej: Edit Piaf.
 
Në atë të soditur të asaj begatie, thashë: pa le të shikoj vallë mos është ndonjë disk në gjuhën shqipe.
Pasi flitet aq shumë për të, e thonë se s’ka gjë që lypet e s nuk mund të blihet në “Galeri Lafajet”, thashë: ja, pra, unë dua të blej një disk shqip. Dhe – vendosa ta lyp në mjedis të Parisit, mu në shtëpinë famëmadhe të mallrave.
-Ju lutem, keni ndonjë pllakë të Nexhmije Pagarushës?

Po, mu kështu i thashë. Pa kurrfarë shpjegimi tjetër. Pa i treguar cila është Nexhmije Pagarusha, çfarë këngësh këndon, a ia ka dëgjuar ndonjëherë zërin, se mos është e detyruar ajo në Paris të dijë për një Nexhmije që jeton atje diku, kushedi ku, në njëfarë qyteti të vogël të Ballkanit.
-  Si urdhëroni, zotëri, – ma ktheu ajo me buzëgaz dhe, pa mëlënë të vi në vete, më vuri përpara një pllakë të Nexhmijes me katër këngë shqipe, titulluar “Shanson popyller dë Skipetar dë Jugosllavi”. Po, në ato mbështjellëse të bukura të këtij disku francez, lexova edhe emrin e Nexhmije Pagarushës.
Natyrisht s’e zgjata më tutje. Si mund të më bindte ndryshe “Galeri Lafajet” pos kështu?!
 

Shkrimi u publikua sot (02.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja