I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak është takuar mbrëmjen e djeshme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zv.kryeministrin, Besnik Bislimi.
Në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë për të vijuar bisedimet për propozimin franko-gjerman, Lajçak ka publikuar një foto me kryeministrin e Kosovës.
Me anë të një postimi në Twitter, Lajçak njofton se është kthyer në Kosovë për të vazhduar diskutimet për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Lajçak po ashtu shton se është rënë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.
"Kthehem sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin @albinkurti dhe ZKM @BislimiBesnik për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht", shkruan Lajçak.
Kujtojmë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç bëri me dije se gjatë takimit me pesë të dërguarit e SHBA dhe BE, këta të fundit i kishin bërë të qartë se do të kishte penalizime për Serbinë nëse nuk pranonte propozimin franko-gjerman. Një prej penalizimit do të ishte edhe bllokimi i procesit të anëtarësimit të Serbië në BE.
Komente

