Ditët e sprasme të Fazlliçit

Ditët e sprasme të Fazlliçit
Damir Fazlliçi filloi tani të goditet me sekuestër pasurie nga Përmbarimi dhe bankat, të cilave u ka një borxh prej shumë miliona eurosh. Ky është akti i fundit i biznesit të tij në Shqipëri, biznes i nisur prej hiçit, për t’u bërë, jo vetëm afaristi me ritëm e normë më të shpejtë fitimi në këtë vend, por edhe për të depërtuar – si askush tjetër - në struktura hermetike të shtetit, si Komisioni i Sigurisë Kombëtare, derën e të cilit e hapte me shkelm.

Boshnjaku që banon sa në SHBA, aq në Angli, preferon Ballkanin apo Qipron dhe disa banka në Karaibe për të mbjellë e korrur paratë e tij të dyshimta. Miqtë e tij kanë qenë e janë Vojin Llazareviç dhe Sali Berisha. Në sajë të këtyre të dyve ai ka bërë pasuri të shpejtë, duke shfrytëzuar të çarat e shteteve ballkanike. Në radhë të parë, korrupsionin që sundon në këto vende. Duke shfrytëzuar edhe qarqe lobimi në Amerikë, të cilat i angazhon për të përkrahur politikisht qeveri, të cilat Perëndimi e ka të vështirë t’i honepsë.

Duke gjarpëruar nëpër kulisat e ndërmarrjeve shtetërore për të fituar tendera të energjisë, si dhe nëpër studio ligjore të pinjollëve të kryeministrave për të blerë qyl qindra hektarë tokë bujqësore. Të cilat, me një urdhër të babit, marrin vlera 1.000 fish pasi lidhen me infrastrukturë.

Ditët e Fazlliçit mbaruan në Shqipëri. Pas ka lënë vetëm pasuri që po tjetërsohen. Por ato duhet të jenë thërrime, krahasuar me paranë që ka nxjerrë nga ky vend. Rasti Fazlliç është një shembull i keq që iu dha shqiptarëve se në ç’drejtim duhet të funksionojë ekonomia në një demo-diktaturë. Ku suksesi në biznes varet nga lidhjet jashtëligjore me familjet e liderëve, çka nxjerr jashtë loje të gjithë konkurrentët. Le të shpresojmë që këto të jenë ditët e sprasme për të gjithë Fazlliçët!                         


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin