BALLSH- Deputetja Rudina Hajdari ka shkuar në Uzinën e Ballshit për të takuar naftëtarët në ditën e 15 të grevës. Ata i kanë kërkuar asaj që të ngrejë zërin në Kuvend lidhur me çështjen e tyre. E vetmja kërkesë për Hajdarin është që të pyesë Ramën se çfarë ka ofruar për ta.

"Ti duhet ta ngresh zërin sot në emrin tim dhe të naftëtarëve duhet ti thuash vetëm kaq Ramës, çfarë ofron ti për naftëtarët. Çfarë ofron Rama për ne që sot jemi pa bukë", tha një naftëtar.

"Gjak shqiptari të ketë për këto heroina, ai shqipërinë e ka varrosur për së gjalli. Ngrini zërin në parlament. Mallakastra u varros për së gjalli, pa ujë pa drita, pa punë", tha një tjetër naftëtar.

Ajo ka deklaruar se do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i ofrohen për t'iu gjendur pranë naftëtarëve.

"Është për të ardhur keq që kjo simbolikë kaq e fortë e grave në grevë dhe mos reagimi i qeverise është e turpshme.  Ju falenderoj që po luftoni për të gjithë ata që kanë të drejtë e qeveria nuk u plotëson të drejtat më minimale. Jeni këtu për të mbajtur familjet e fëmijët gjallë.  Mosreagimi është i turpshëm. Pesha më e madhe i bie ekzekutivit dhe Edi Ramës. Kam parë çka ka ndodhur këtu dhe e di që jeni në momente të vështira.  Në parlament do ngre zërin për të drejtat tuaja dhe mundësitë që më jepen do t'i shfrytëzoj.  Nuk do ndalem për të evidentuar problematikat që keni jo vetëm në parlament, por edhe në Ambasada. Këta i druhen opinionit të ndërkombëtarë dhe duhet treguar kush janë", tha Hajdari.

Pas kësaj vizite ka reaguar Rama i cili u ka bërë thirrje naftëtarëve të mos përdoren politikisht.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:37
Rama ua 'pret shkurt' naftëtarëve: S'kemi asgjë për të negociuar, s'e shkaktoi shteti hallin tuaj! Pa mbyllur grevën asgjë përtej asistencës

Kryeministri Edi Rama u përgjigjet përsëri naftëtarëve. Këtë herë ua ka prerë shkurt duke u thënë se qeveria s'e ka shkaktuar problemin e tyre dhe kësisoj s'kanë asgjë për të negociuar. Pa dalë nga greva, Rama thotë se nuk ua qan hallin.

"Edhe njëherë: Nuk ju kam ftuar në asnjë negociatë, sepse nuk kemi asgjë për të negociuar pasi qeveria as nuk e ka shkaktuar hallin tuaj, as nuk trashëgon mbi vete problemin e krijuar nga kompania private! Rafineria nuk është e shtetit. Ju lutem na jepni mundësinë t'ju ndihmojmë!

Ideja se punonjësit e një kompanie private mund të bëjnë grevë kundër qeverisë për detyrimet e sipërmarrësit privat është e gabuar. Ju nuk e doni daljen në asistencë dhe e mirëkuptojmë, por ju'a përsëris, pa mbyllur grevën nuk ju'a qajmë dot hallin konkretisht përtej asistencës", shkruan Rama.

Ora 11:36
Naftëtarët i 'rrinë gati' Ramës: Bisedimet të bëhen pa dalë nga greva (VIDEO)

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama e menjëhershme ka qenë përgjigjia e naftëtarëve të Ballshit.

Ata janë të vendosur të mos dalin nga greva pa bërë bisedime për kushtet.

"Nuk dalim nga greva, le të bëhen bisedimet por edhe ne te jemi ne grevë", thonë ata.

Rama tha se nuk mund të bisedojë me ta nën presion e me ultimatume.

Ora 11:17
Rama thirrje naftëtarëve: Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë për ju e duan t'ju përdorin kundër qeverisë

Pas vizitës së deputetes Rudina Hajdari në Uzizën e Ballshit  ka reaguar kryeministri Edi Rama i cili u ka bërë thirrje naftëtarëve që të mos përdoren politikisht.

"Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë për ju e duan t'ju përdorin kundër qeverisë! Qeveria është e juaja,por nuk mund të bisedojë me ju nën presion e me ultimatume! Grevat bëhen për t'u dëgjuar, jo për të marrë me zor atë që ke në mendje. Ne ju kemi dëgjuar e po ju presim juve", tha Rama.