Me thirrjet ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’ protestuesit u grumbulluan sërish ditën e sotme në Sheshin Skënderbej në kryeqytet dhe marshuan drejt Kryeministrisë.

Me flamuj kuqezi, pankarta dhe simbole kombëtare, ata kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë dhe largimin e të gjithë klasës politike aktuale. Ajo që vihet re, është një pjesëmarrje relativisht e ulët e protestuesve.

Protestuesit gjithashtu kanë shprehur pakënaqësi për propozimin e PS për hartën e re territoriale (me 46 bashki nga 61 që janë aktualisht), duke theksuar se reforma do të sjellë përqëndrim të pushtetit në pak duar dhe shpopullim të zonave rurale.

“Jemi këtu për të kërkuar më shumë decentralizim për pushtetin lokal dhe jo për të bërë të mundur centralizimin dhe shkrirjen e bashkive. Sepse prej 2014-ës, centralizimi prodhoi vetëm përqëndrim pushteti në pak duar, shpopullim, largim të shqiptarëve nga qytetet e vogla dhe fshatrat, sepse ndryshe nga sa u reklamua, ai përqëndrim pushteti nuk solli më shumë shërbime, por më shumë shpopullim”, tha mes të tjerash një protestues.

Ndërkohë një prej organizatorëve të protestës, Ilir Xhemalaj, teksa ka akuzuar Qeverinë si të korruptuar, ka sjellë në vëmendje biznesmenin Ermal Beqiri, i arrestuar në Francë pak ditë më parë, për të cilin SPAK ka nxjerrë urdhër-arresti për çështjen e AKSHI-t.

Xhemalaj tha se Beqiri me paratë e shqiptarëve kishte blerë kështjellë, aeroplanë dhe pasuri të tjera në Francë, teksa shtoi se në vendin tonë të korruptuarve ‘nuk ju hyn gjemb në këmbë’.

“Një hajdut me çizme kishte blerë kështjellë në Francë, kishte blerë aeroplan, kishte blerë makina luksi. Me lekët e pensionistëve, me lekët e jetimëve, me lekët tona. Ku është SPAK? Si ka mundësi që këta hajdutë me lekët tona bëjnë jetë luksoze jashtë shtetit dhe nuk i hyn gjemb në këmbë?”, tha mes të tjerash organizatori Ilir Xhemalaj.

Nën thirrjet 'SPAK, zari i Qeverisë' protestuesit gjatë fjalimeve të tyre kanë sulmuar edhe Prokurorinë e Posaçme, duke e akuzuar si të lidhur me qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Pas përfundimit të fjalimeve në sheshin para Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur ritualin e përnatshëm të marshimit në rrugët e Tiranës, duke ftuar edhe qytetarë të tjerë t'i bashkohen tubimeve.

Lajm në përditësim...