TIRANE-Duke lexuar dokumente, lajmet me laptop, duke tymosur cigare dhe biseda të herë pas hershme telefonike ka kaluar të dielën e parë në arrest shtëpie ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Report Tv sjell pamjet, ku ish-ministri për disa orë e ka qëndruar në ballkonin e apartamentit të tij në katin e tretë  te 'Kodra e Diellit', ku prej pasdites së të shtunës nuk i lejohet të dalë pasi është me masë arrest në shtëpi.

Këtë masë e caktoi gjykata e krimeve të rënda pasi Saimir Tahiri për prokurorinë është person në hetim dhe i dyshuar për konsumim të veprës penale trafik narkotikësh në kuadër të grupit kriminal dhe korrupsion pasiv. Paçka se nuk kanë munguar reagimet e politikës dhe aktorëve publik e diplomatik për këtë masë arresti caktuar nga gjykata vetë Tahiri edhe pas 24 orëve ka zgjedhur të heshtë.

I vetmi reagim më pranë Tahirit për këtë masë sigurie është ajo e avokatit Maks Haxhia i cili për ReportTv u shpreh se “Jemi njohur me vendimin, po studiojmë materialin dhe shumë shpejt do të bëjmë ankim pasi nuk shohim asnjë provë të re që duhet të mbaj me masë sigurie zotin Tahiri”. Kjo është hera e dytë që ndaj ish ministrit Tahiri caktohet një masë sigurie nga gjykata, e cila më parë i bllokoi atij pasaportën dhe kartën e identitetit. Ky vendim u apelua dhe prej disa muaj ish ministrit u kthyen mjetet e identifikimit personal.

Pranë banesës së ish-ministrit Tahiri situata paraqitet e qetë pa prani të simpatizantëve apo përkrahësve të tij, ndërsa herë pas here aty kalon një patrullë policie për të kontrolluar respektimin e masës së sigurisë. Për prokurorinë masa e arrestit u kërkua pas mbërritjes së letër-porosive të mbërritura nga Greqia dhe Italia për llogari të akuzës shqiptare. Ish ministri Tahiri prej Tetor 2017 ndodhet në hetim në kuadër të dosjes Habilaj, ndërsa pjesëtarët e këtij grupi janë arrestuar në Itali me në krye Moisi Habilajn.

Ora 11:35
Dita e parë në "arrest shtëpie", Tahiri në ballkon duke pirë cigare