Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar vijon rrugëtimin e tij në ditën e shtatë të edicionit të 14-të, me një program të pasur që ndërthur filmin, kujtesën kinematografike dhe takimet profesionale të industrisë.

Kjo e mërkurë nisi me dy projeksione paralele në orën 10:00. Në Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve u shfaq film “Engjëjt janë larg”, me regji të Gjergj Xhuvanit, ndërsa në “Black Box”, “Burri i Shtëpisë”, me regji të Andamion Muratajt, pjesë e kategorisë “Vepër e Parë”.

Në Kinema Agimi, programi vijon me Programin Special V, ku publiku mund të ndjekë filmat “Sahatçia” me regji të Gjergj Mazit dhe “Anuloje Ligjin”, të Fabrizio Bellomos.

Në mesditë, në Sallën e Madhe të UA u shfaq filmi “Vëthi i Munguar”, me regji të Bujar Alimanit, ndërsa në “Black Box” shfaqet “Legjenda e Bastunit”, filmi i Xhosli Ramës.

Programi i pasdites sjell gjithashtu rishfaqje të disa prej projeksioneve të ditëve të mëparshme. Në Kinema “Agimi” rikthehen dokumentarët e Programit Dokumentar IV, ndërsa në orën 17:00 publiku mund të ndjekë një tjetër dyshe filmash: “Një Jetë Me Ty” me regji të Erion Kames dhe “Derë e hapur” të Florenc Papasit.

Mbrëmja vijon me filma të kategorive të ndryshme.

Në orën 19:00 shfaqen “Këtu vallëzohet me hijet” me regji të Pluton Vasit dhe “Streha Mes Reve” e Robert Budinës. Ndërkohë, në Kinema “Agimi” rikthehet Programi Special III, me dy filma të Artur Gorishtit.

Një nga pikat e rëndësishme të ditës është eventi qendror dedikuar “Balkan Film Market”.

Dita e shtatë mbyllet me tri projeksione në orën 21:00. Në Sallën e Madhe shfaqet “Portreti i Pambaruar” i Namik Ajazit; në Black Box, “Bota” me regji të Iris Elezit; ndërsa në kinema “Agimi” prezantohet një film dokumentar.