Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi) ka mbajtur një fjalë ditën e sotme nga ambientet e Kryegjyshatës, për ditën e Sulltan Nevruzit.
Gjatë fjalës së tij, Baba Mondi tha se kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin.
Po ashtu, Baba Mondi tha se ky vit përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi, një moment historik që sipas tij shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira.
Duke cituar një fjalë të Haxhi Bektash Veliut, Baba Mondi tha se pasqyra e besimit bektashi është dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve.
“Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin. Për të forcuar lidhjen tonë me Zotin, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ky vit ka një domethënie të veçantë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pasi kjo ditë përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi.
Një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira. Kjo ngjarje është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe punës së përbashkët të brezave, për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona. Siç thoshte Haxhi Bektash Veliu ‘ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij’. Kjo tregon se dashuria dhe përkujdesja ndaj të tjerëve, janë pasqyra e besimit tonë të thellë”, tha mes të tjerash Baba Mondi.
Lajmi kryesor:
Sot festa e Sulltan Nevruzit, politika uron besimtarët bektashinj: Sa më shumë harmoni e mirëkuptim! Baba Mondi: Kultivoni dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit!










