Avokati Ulian Barjami ka shkruar në rrjete sociale lidhur me Ditën Europiane të Avokatëve. Barjami duke kujtuar ngjarjen e fundit me të cilën u përball, ku u arrestua dhe u lirua dy ditë më vonë për kërcënim të prokurorit në sallën e gjyqit, shprehet se profesioni i avokatit është respekt për drejtësinë.
Barjami shkruan se avokatët janë mburojë e qytetarëve ndaj padrejtësive dhe se kjo ditë të shfrytëzohet për të reflektuar dhe për të mbrojtur dinjitetin e këtij profesioni.
Postimi i Ulian Barjamit:
Sot, në Ditën Europiane të Avokatëve, ndjej më shumë se kurrë peshën dhe përgjegjësinë që mbart ky profesion fisnik. Ngjarja e fundit, ku u gjenda viktimë e një ndalimi të paligjshëm, nuk ishte vetëm një përvojë personale, ishte një kujtesë e fortë se respekti për avokatin është respekt për drejtësinë.
Kjo ditë na kujton se avokatët janë mburoja e qytetarëve përballë çdo padrejtësie. Çdo cenim ndaj tyre është cenim ndaj vetë themeleve të shtetit të së drejtës.
Le ta shfrytëzojmë këtë ditë për të reflektuar, për t’u bashkuar dhe për të mbrojtur dinjitetin e profesionit tonë. Sepse drejtësia nuk ekziston pa avokatin, dhe avokati nuk mund të ekzistojë pa respektin që i detyrohemi si shoqëri.
Komente










