Dita jonë e Verës, si filozofi e thjeshtë jete

Dita jonë e Verës, si filozofi e thjeshtë jete

Shumë gjëra janë të panjohura dhe të paqarta në jetën e secilit prej nesh, veç njërës: Askush nuk është i përjetshëm. Të gjithë, qofshin të mirë a të ligj, të pasur a të varfër, të shëndetshëm a të sëmurë, me pushtet apo pa pushtet, një ditë nuk do të jemi më këtu, siç nuk janë më, mijëra, miliona…

Gjërat ndryshojnë me shpejtësi marramendëse, nga më të thjeshtat, tek më të mëdhatë e më të rëndësishmet: Në një bar me muzikë Live në një qytet europian, shumica e të rriturve e kaluan mbrëmjen me celularë në dorë duke filmuar e fotografuar këdo e çdo gjë, ndërsa në një tavolinë me 18 vjeçarë askush nuk e nxorri njëherë të vetme telefonin nga xhepi. Shijuan spektaklin dhe kaq! Ishte “lajmi” dhe habia e mbrëmjes.

Asgjë nuk është ashtu siç ishte dhe pakherë është ashtu siç disa e gjykojnë apo e tregojnë. Por ka një frymë të përgjithshme, e padukshme, por thelbësisht e qënësishme që na bashkon: Duam të jetojmë mirë, në paqe, me lehtësinë e durueshme të ekzistencës dhe mundësisht, pa lënduar askënd. Jo të gjithë ja arrijnë, jo të gjithë e aplikojnë, por vetëm prania në mendjet e shumicës e këtij qëllimi të mirë, e përmirëson atmosferën.

Eshtë ajo që perceptohet në vendet e shenjta, ose në vendet e kultit, cilësdo feje apo besimi t’i përkasin. E keni ndjerë lehtësinë, pozitivitetin, paqen, në një kishë, në një xhami, në një vend të shenjtë? Në Shna Ndue për shembull? E gjitha varet se me ç’qëllime e me ç’mendje e mendime shkojnë njerëzit aty? Kush futet në një kishë, kush falet në një xhami apo në një vend të shenjtë me idenë që t’i bëjë keq dikujt tjetër? Askush! Të gjithë kërkojnë përmirësim për veten dhe njerëzit që i rrethojnë. Dhe mendimet tona lehtësojnë dhe atmosferën. E njëjta gjë nëpër koncerte, apo në Ditën e Verës... Janë aq shumë njerëz dhe të gjithë lëvizin me sharmin e fluturave apo elegancën e milingonave. E kundërta perceptohet në një miting agresiv politik, ku mendimet e shumicës janë se si të sundojnë mbi të tjerët, si të marrin, si t’ja hedhin, si të shtiren si të duken siç nuk janë në të vërtetë. Apo në ndonjë mjedis pune, kur qëllimet e pjesëmarrësve nuk janë aq korrekte ndaj të tjerëve.

Dëshira për të festuar Verën tek ne është ndër më të hershmet të Europë; është si ato sythet e para në degët e kumbullës, pjeshkës, qershive, që stinën e bukur e paralajmërojnë. Në këtë lehtësi ekzistence, pa dallim origjine, besimi, prejardhje, pasurie, shkollimi, race apo partie, bëhemi të gjithë bashkë dhe jemi të gjithë njësoj. A është optimizmi për të bukurën, për të mirën, ndjenja që na bën më të barabartë? Dhe nëse ndjehemi mirë në një Ditë Vere, pse nuk e shumëfishojmë si një filozofi individuale jete?

Dita e verës, është ndër festat më të bukura që kemi dhe duhet sa më shumë e sa më gjatë ta shijojmë.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    10 Dhjetor, 10:15

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?



×

Lajmi i fundit

U zgjodh president i SHBA-ve, Donald Trump do të shpallet për herë të dytë 'Personi i Vitit' nga revista Time

U zgjodh president i SHBA-ve, Donald Trump do të shpallet për herë të dytë 'Personi i Vitit' nga revista Time