Ditari/Qemal Draçini: Shokët që 
​humba në luftën vëllavrasëse

Ditari/Qemal Draçini: Shokët që <br />​humba në luftën vëllavrasëse
Fletë nga shënimet e poetit shkodran/Qemal Stafa, Emin Duraku, Nazmi Rushiti, Sadik Staveleci, Vojo Kushi, Kristaq Tutulani.... Të mbeturit, më të pakët se të rënët. Unë jam i vetëm!
 
Pas shkrimit të studiuesit Nexhmi Bushati, botuar dje në Shqiptarja.com, sot për lexuesit do të sjellim disa faqe nga ditaret e një djaloshi ëndërrimtar e të zhgënjyer njëkohësisht gjatë viteve 1944-1945. Ditaret e poetit shkodran Qemal Draçini janë një dritare, ku mund të shohesh një kënvështrim krejt original e të veçantë mbi Luftën e dytë Botërore në Shqipëri dhe të vërtetat e saj. Një prezantim të përkorë të këtyre ditareve na e solli shkrimi i botuar dje nga studiuesi Bushati, ndërsa sot lexuesi mund të depërtojë më thellë në mendimet e Qemal Draçinit, përmes disa prej faqeve të ditareve të tij, përzgjedhur e përgatitur për botim po ashtu nga studiuesi Nexhmi Bushati.
 
Pjesë nga Ditaret..
 
Ditari 2 (selectae)
 
22 Prill,e Martё                           
“ Patёr Gjergj Fishta,mё ka kёrkue sekretar tё tij privat: unё nuk kam kurrsesi me pёrfitue prej kёsaj rase, veç mё duhet me renoncue; asgjamangut , ende s e kam thanё fjalёn e fundit. Fishta mё ka falё  njё “Lahutё e Malcis ”me kushtim e autograf. Dhuratё e çmuet.”
 
Ditari 4 (selectae)
 
5 Gusht 1941, e Martё –Mesnatё
“…I liruem tash mbasditeje prei burgu, ku kalova  -nёn vrejtje -
nja tri javё …dita e sotme pёr mua asht njё datё e pritun prei shumё kohe! Datё e mendueme nё netёt e gjata pa gjumё e n’orёt e pambarim tё ditёve tё burgosjes. Datё qё bjen me vedi njё pёrgjigje vendimtare!...
Më thanë në shtëpi se më pritte kushurina, tashma e martueme. Shkova. Gjeta edhe Pensjerozën. Dy shoqet e herëshme ishin prap bashkë....ato që në rininë e tyne të lume ishin  dashtë aq shumë- m’u duk mue se ishin tashma të hueja për njëna tjetrën...E ndiva trishtim në shpirt e bremje në ndërgjegje të gandueme!..
Ecëm për pak në heshtje të ndeme, në të cillën ndijshim praninë e mendimeve të shoqi-shoqit. Fola vetë: -Ka ma se një muej  që të pata dhanë një letër e ti do ta keshë lexuem...
E lexova letrën tande. I kuptoj sentimentet e tua, pse kam edhe vetë po ato ndjesi...Në se ti më don, të due edhe vetë...Por a ke menduem ma gjatë? A ke menduem tu rrethet tona, tu ambjentet tona?...Jo pse vetë po kujdesem për gjykimet e këtyne ambjenteve: le të thonë shka të duen.Por e dij se faji do të më ngeli  shqimit mue; pse jam femën! Prandaj,mendoju!...     Fola vetë: -Por, qe! Janë rrethanat nefaste që më ndikojnë tragjedinë e vetë dije. Due e due fort. I priri të gjitha dëshirat e andrrimet e mija kahë një vehtje që për mue asht gadi hyjnore. Dashunoj për të parën herë, - qe,  ke ndeshi në ndalesat...
Edhe unë për të parën herë!...Edhe për mue janë këto ndalesa...Sidoqoftë, ti s duhet të kujtojsh se vetë ndalem para tyne. Jo! Po të duesh ti, na kalojmë së bashkut mbi to...Por , ...mendoju!...Biseduem edhe ma!...E  këshillova që të ndiqte studimet universitare, pse sa për regjistrim e libra  kujdeseshem vetë. I lypa, n’e mbramë një fotografi të sajën e lirin me i shkruem pa rezerva. Mi premtoi të dyja. Kur u ndamë, i a mora dorën e ngjomë ndër të mijat e aty për aty gadi guxova me ia puthë. –Falemi nderës !- i thashë, pa e dijtë as vetë për shka i faleshem nderës.” 

10 Qershor 1940, e Hanё
“Dje mё kishte çuem me mё thirrё ex-profesori i im I shqipes,dr.G…D….Nё bisedё qё pata me tё nё kafe tё madhe,mё ftoi me shkuem me tё nё Korçё, ku, nё bashkёpunim tё tij me redaktuem dy herё nё javё fletoren e Federatёs sё Fasheve tё Korçes. Unё duhej tё pregaditshem dy faqet e mbrendshme. Rroga (e kjo nё parentheza) mjaft e majme. S’do tё pranoj pёr shumё arsye!”   
 
Ditari 5 (selectae)
 
12 Gusht 1942-Mesnatё
(përkthim nga italishtja-shënimi ynë)

“…fakte dhe ngjarje tё asaj periudhe mё paraqiten para syve tё kujtesёs nё kёtё natё tё qartё gushti. Figura shokёsh tё fatkeqёsisё, fytyra shokёsh tё dhimbjes,-zhdukur ndёr valёt perpise tё jetёs sonё…I shoh ende: e gjatё, e pambarim radha qё pёrshkon e heshtur rrugёt e ngushta tё fshatit tё humbur tё malёsisё. Ecin ngadalё…edhe supet e tyre janё tё kёrrusura: ndoshta fatkeqёsia, dhimbja bёn qё tё kёrruset shpinda ende e re…E mbi fytyrat, nё pjesёn madhe tё reja, shtrihet velloja e trishtimit…Kujtime tё jetёs “atje pёrjashta?...Apo çfarё fshihet pas atyre shikimeve melankolike ?...Do të kenë dhe ata, në ndonjë qoshe të humbur të Atdheut, dikënd që do t’i mendojë? Apo, ndoshta, edhe ata dallojnë, në gjysmerrësirën e kuqërremtë të mëngjesit ose në gjysmerrësirën e hirtë të muzgut, dy sy, dy sy të dashur?...Ecin! Pas supeve të tyre, zhduken të fundmet shtëpi të shpërndara të fshatit. Një zë i çjerrur bërtet “ndalo !”. Çeliku i tytave të pushkëve të xhandarëve jehon me një tingull të çuditshëm metalik në qetësinë mëngjesore. Puna është e ashpër në të ftohtit e mëngjesit.
“Kjo ndeje e shkurtё nё Shkodёr, ku kam kёthyem mbas njё mungese preji gadi shtatёmdhjetё muejsh, mё ka vumё para dy dilemash qё mё ndrydhin e mё kёndirin deri frymёn. Kujtohem se kam humbё shumё. Gjithsesi!...jam i lodhun e se jo kot flokёt e ramё janё bamё lajmёtarё tё njё muzgu qё s vonon me i a behё, Njё buzёnatё e trishtueme si jeta e eme pa flamuer - pa ideal. Ose ma mirё me  - flamuer tё shkyem nё luftat e jetёs -…Jam i mbaruem dhe nё shpirt.I falimentuem, si i thonё. Shka pres ma nga jeta vetё? Oh, sa keq mos me pritё ma kurgja nga jeta kur s ke mbi shpatulla veç njizetё e njё dimna!...Por ndij se njizetë e një dimnat e mij janë nji  zetë e një shekuj. Unë jam plak, shumë, shumë plak. Mandej, pikërisht në këtë krizë, jam kaq i vetëm. I vetëm ç’mos kurrë. Radoja? Oh, ky asht larg meje, shumë larg. Ay më din të fortë, ay asht i bindun se kam besim në jetën, se unë s e drue jetën. Ay s më beson, pse kujton se unë recitoj. Por unë  s recitoj.Veç e dij se me kërkuem mbshtetjen e tij, asht si me u mbshtetë mbi një parmak të kalbët në zgrip të një humnere.
“Dita e ditёlindjes sime! Dita ёshtё me shi dhe e trishtueshme. Kёrkoj tё studioj qё kёshtu tё mbys kohёn…Askёnd afёr! Oh, zoti im! Askёnd!...Njerёz! Pёrse nuk mё ngushulloni? Nuk dёgjoni qё jam fatkeq?..Njerёz, jam vёllai juaj nё fatkeqёsinё e pёrbashkёt, - pёrse nuk mё flisni?...Oh,  sikur ta dinit sa ju dua! Zemra ime, e  boshatisur me kohё  prej dashurisё sё njohur, tani ёshtё plot me dashurinё e panjohur pёr tё gjithё vёllezёrit e shpёrndarё nё Universin e pambarim. Njerёz tё pafat!...”

26 Shtatuer 1943
(pёrkthim nga frёngjishtja – shenimi ynё)

“Pas kthimit tim nё Shkodёr shumё gjёra kanё ndodhur. Italia ka kapitulluar dhe, nё rrugёt e qytetit tim, shihen vetёm ushtarё gjermanё…Ne  po kalojmё çaste tё vrullshme: nё horizontin shqiptar  veçse  re, shumё re. -  Si do tё shkojnё punёt? Ku do tё pёrfundojmё me kёtё mёnyrё? –Pёrse mendohet pёr tё gjitha  e aspak pёr Shqipёrinё e vёrtetё, Shqipёrinё qё ne kemi trashёguar prej prindërve tanё? – Unё e ndjej shtёrngatёn qё po vjen. – A do tё jemi ne tё aftё ta pёrballojmё, ta kalojmё? Por njeri nё botё nuk di t’u pёrgjigjet pyetjeve tё mia. As vetё, jo!”

8 Tetuer 1943
(pёrkthim nga italishtja – sh.ynё)

“Po çmendem! O Zot -  nga tё gjitha anёt ndjej darёt qё shtёrngohen rreth meje, shoh  duart e gjakosura dhe pёrsekutore qё mё ndjekin,  qё kёrkojnё fytin tim. – Larg, larg meje, - por frymёmarrja mё rёndohet, zemra mё rreh,  -  mё pёrpin stuhia e kohёs dhe unё kёrkoj t’i ik dhe njё herё, -  pёr tё fundit herё…Por, jo! Rrezikzi! Nuk mund t’i shmangesh fatit tёnd! Ti ke lindur me Atё. Ai ka lindur me ty. Vulёn e tij fatale e ke tё shtamposur nё mёnyrё tё pashlyeshme nё ballin tёnd, nё ballin tёnd me rrudha ashtu si shpirti yt.Dhe unё kёrkoj mё kot t’i shmangem Fatit tim - por pengohem dhe bie…Ah! Sa i zorshёm ёshtë   “Q’ prei dy ditësh zbrasin pa ia da. Nepër veshë kam përshtypjen se vijimisht më jehon gjama e bombeve, e pushkëve, e revoleve, e mitralozëve... Qe...shtëpija asht trandë deri në themele nga lëkundja e një shpërthimi t’afërm. Dikush këtu ndër kojshi ka qitë...Qe rishtaz...rishtaz...bombet e pushkët sonte s’ kanë të mbaruar. Atmosfera për rreth asht plot kurrente elektrike të padukëshme. Sonte nga Tirana arrijnë lajme të turbullta. Ajrorë anglo-amerikanë duket se kanë bombarduar rishtazi qytetin, - ende i pa qetësuar nga tronditja e parë. Sigurisht që jemi në prakun e ngjarjeve decizive për t’ardhmen e atdheut tinë. Sa e ankthshme, veç , është pritja...si pritja në terrin e natës, me zemër që rreh, - e njëj çapi të njohtun...Tok...Tok...
      “…Ne, bij tё njё atdheu tё braktisur,bij tё njё toke tё shqelmuar, tё djegur,tё rrёnuar nga lufta qё i kaloi sipёr, sorollatemi mё kot nё kёrkim tё njё fytyre tё njohur, tё njё fytyre mike. Asnjё! Ёshtё mallkimi I atdheut tё largёt qё kemi braktisur nё çastin e tij mё kritik: atdheun-mёmё tё sёmurё qё flet nё shtratin e vet tё vdekjes: - Mallkuar qofshi ju, - qё mё latё atёherё kur unё pata nevojё pёr ju mё tepёr se kurrё!...Ky zё na ndjek gjithmonё. Jehona e tij ushton pёrjetёsisht nё veshёt tanё…Ne sorollatemi nё kёtё vend tё urrejtur…nё kёtё qytetёrim tё urrejtur – shtegtarё mjeranё pa busull…Ёshtё epilogu i njё jete studimesh gjatё dy vitesh nё Itali, - ndёrsa shokёt e mi tё besёs e tё luftёs  luftojnё e bien: Qemal Stafa, Emin Duraku, Nazmi Rushiti, Sadik Staveleci, Vojo Kushi, Kristaq Tutulani! Radha ёshtё e gjatё, e pambarim. Tё mbeturit, mё tё pakёt se tё rёnёt. Unё jam I vetёm!
 (_e njëjta datё, mё vonё)                                                                                                    …Rreth meje…vetёm zbraztira, vetmia, pasiguria…Shokё tё dashur tё besёs , tё luftёs, tё burgut, shkёndi tё para, shpirtёra tё mёdhenj e bujarё – unё ju kёrkoj ndjesё me zё qё dridhet. Luftova dhe unё me ju: por unё rashё para jush e jo si ju: unё rashё nё mes tё rrugёs, i lodhur, i pavendosur. Ju mё shtritё krahun, por unё nuk munda ta kap: ju humba. Ju nuk patёt kohё tё ktheheshit dhe njё herё, sepse tashmё rryma ju merrte me vete: ju shkuat pёrpara me flamurin e lirisё lart, - flamurin tonё tё shenjtё… Ju humba nga sytё…u zhdukёt…unё mbeta nё mes tё rrugёs,- nё baltё, - i dёshpёruar,- i mundur!...”
 
Ditari 6 (selectae)
5 Kallnuer 1944 – (vazhdon letra)                                                                          
(pёrkthim nga italishtja – sh.ynё)

“…Dje kam marrё vesh qё dy miq tё tjerё tё  mi kanё rёnё. Rёnё ditёt e fundit  nё luftёn vёllavrasёse qё po rrёnon atdheun tim tё mjerё…Thuhet qё çdo javё bie mesatarisht njё tetёdhetёshe studentёsh…çfarё do tё thotё pёr ne njё mesatare kaq e ngritur (kur)…jemi gati gjithёsejt dy milion e gjysmё shqiptarё. Duke mos pasur nё tё kaluarёn mjetet , -pak prej nesh kanё ndjekur studimet …tani  bien…Bien njёri pas tjetrit shpresat mё tё mira tё atdheut tonё. Me ta bie edhe e ardhmja…Nuk ёshtё qё po vdes vetёm njё njeri…janё njёzet vite studimesh intensive, njё vetёdije e formuar, - njё burim energjie konstruktive…ata bien…Tanёt bien…bien…- dhe lufta vёllavrasёse rrёnon atdheun tonё…Çfarё do tё mbesё? Mё thuaj, çfarё do tё mbesё?...”
 
20 Tetor 1944
(pёrkthim nga italishtja-sh.ynё)

“Ndonjё herё kam tundimin e vetёvrasjes, por jam i ulёt e nuk kam kurajon ta bёj.Thonё se ёshtё virtyt tё vetёvritesh –por nuk ёshtё kёshtu. Njerёzit e kanё shpikur kёtё, sepse kanё dashur tё pёrligjin  poshtёrsinё e vet. Edhe nё se unё e gjykoj vetёvrasjen jo mё poshtёrsi por virtyt, nuk jam i aftё ta bёj. Jam frikacak. Ja mbi tryezёn kёtu time kam revolen time automatike “Berretta”. Heq siguresёn…Por jo! Nuk shoh asgjё tё mirё, zhytem çdo ditё e mё keq nё jetёn dembele e tё pёrçmueshme e tё ndenjturit pa bёrё asgjё, kujtoj se si i jam shmangur paturpёsisht detyrёs sime ndaj Atdheut dhe shokёve, - e megjithё kёtё pёrspektivё tё zymtё  nuk guxoj t’i jap fund njё ekzistence tё urrejtur dhe poshtёruese…Pёrpara nuk kam pasur tё tilla bremje tё ndёrgjegjes. Jetoja nё njё lloj automatizmi tё pavetёdishёm. Por tani kuptoj se kam kryer njё gabim tё pafalshёm, kuptoj qё duhet larё haku dhe pres…Nuk ka as dhe njё rreze drite. Vetёm re. Vetёm errёsirё. A thua ndoshta do tё vije sёrishmi drita…ndoshta…Ah, kjo shpresё qё mё tradhёton kurdoherё! Pёrse nuk jam njё njeri pa shpresё?...Por pёr çfarё tё shpresohet ende? Tё veprosh, tё bёsh çfarёdo, por tё veprosh! Do tё  mbysje kёtё vuajtje e kёtё jetë mjerane!...”

28 Nanduer 1944
Ora pesë e mëngjezit. Prap ka zhbërthye një zbrazje e re. Këtë herë edhe Rusi… në qiell çohen shllungat e zeza të tymit… asht ende terr, por nata asht tepër e kthjelltë. Ngjan një agim tragjik, i përgjakun nga stërpikja e thëroris së njëj fisi të tanë. Asht agimi i përgjakun i jetës së re shqiptare, i jetës së re shqiptare që po lind në mjedis të zjarrit e të gjakut. Te gjakut të derdhun rrkajë të rinis së përbuzun, të rinis së trathtueme arbnore…
… Qysh prej pesë orësh rruga që çon në Mal të Zi gjimon prei automjetesh e karrosh anmike që largohen nga qyteti… Duket se tash janë trupat e mbrame të invazorit, pse zhurma po men kadalë. Vlon veç në largësi krisma e parreshtun e plumbave e bombave që marrin zjarr…
Ora shtatë e mëngjezit. Ka kërsitë pushka në të tanë qytetin. Edhe në shtëpi. Ma në fund!... Marr frymë lirisht!... Jemi pa të huaj. Ah, le të zbrazi edhe unë një herë. Tash pesë vjet e gjysëm… Këtu në fyt më lidhet një ny vaje e përmallimi. Kiço, Emin, Nuro…Oh sa e sa të tjere ushtarë të panjohtun të Shqipnis së vuejtun…

13 Dhetuer 1944
(pёrkthim nga italishtja – sh.ynё)
“Kam ndёr veshё zhurmёn monotone tё shiut, nё kёtё natё tё thellё, kёtu pas dritares. Kjo zhurmё mё ndjek dhe tani mё ёshtё bёrё shoqe e pandarё nё orёt e vetmisё…Nervat janё zhgrehur e s ka asgjё pёr tё pritur…Numёroj ditёt e kalendarit qё kam mbi tavolinё, por nuk i jetoj mё. Unё jam jashtё kohe. Ditёt e mia nuk janё ditё por njё natё e pambarim, e zezё dhe e vazhdueshme, njё natё pa agim e pa perёndim, pa njё fillim e njё fund pёr tё pritur. Kёto ditё mё kujtohet shpesh fraza qe Erik Maria Remark vuri nё frontespicin e librit tё vet “Asgjё e re nё frontin e Perёndimit”: - Ky libёr nuk do tё jetё as njё akuzё dhe as njё rrёfim. Kёrkon tё flasё  pёr atё brez fatkeq qё lufta e vrau, edhe nё se granatat nuk e preken.-…”
 
Ditari 7 (selectae)
10 Shtatuer 1945

(pёrkthim nga frёngjishtja-sh.ynё)
“Tanimё ёshtё vjeshtё! Viti shkollor ka mbaruar dje… Kjo pёr mua ёshtё e trishtueshme…Tani unё jam vetёm me trishtimin tim tё pambarim…Sonte po filloj fletoren time tё re (ditari I fundit-shenimi ynё) -Ky nuk ёshtё njё fillim I mirё . Faqja e parё e njё fletoreje tё re e njё ditari intim duhet tё jetё e hareshme! Kёshtu ёshtё, por, nё tё kundёrt, duke shfletuar ditarin e mёparshёm, unё gjej qё ka qenё njё jetё e tёrё qё kam kaluar. -Njё jetё intensive, plot me tё papritura , plot me peripeci. Unё dal nga ajo jetё mё i mplakur, por mё i pjekur…Unё po mplakem!...

1 Maj 1946-Natё e vonё
(pёrkthim nga italishtja –fleta e fundit e ditarit, pjesёrisht-, shenimi ynё)
“…Ёshtё ironi e fatit qё ti, pikёrisht ti, tё mё kesh gjykuar keq pёr atё qё bёja pёr ty. Ёshtё Zoti dёshmitar, e bёja pёr ty. Qё tё tё shpёtoja prej njё sё ardhmeje tё pasigurtё, qё tё tё mos komprometoja, qё tё tё mos fusja nё telashe –pёr tё mirёn tёnde, pёr dashurinё tёnde. Pёr ty  kam  pranuar fatin e trishtuar qё tё tё shoh para meje se nuk ekziston pёr mua. Po sa e dhimbshme ёshtё tё shohёsh para teje se nuk ekziston pёr ty personi qё ke dashur aq shumё!...Po e paguaj shtrenjtё lumturinё e shkurtёr qё mё dhurove – po e paguaj shtrenjtё! Mendoj pёr vitin e shkuar dhe pёr lumturinё qё nё atё periudhё mbushte plot e pёrplot shpirtёrat tanё. Tani duhet tё tё shoh çdo ditё, - nё klasё – dhe tё kuptoj se si thellohet tek unё ndjenja e tmerrshme e ndarjes, tё kuptoj qё nuk mё pёrkёt mё, qё kurrё s’do tё jesh imja, qё rrugёt tona janё ndarё….”

[gallery]22765[/gallery]
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier, qytetarët me flamuj kuq e zi bëjnë paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier, qytetarët me flamuj kuq e zi bëjnë paradë në qendër të qytetit